Loading…

Një jetë kushtuar fëmijëve pa përkujdesje prindërore: Gruaja që iu bë nënë 15 fëmijëve

  • 06/11/2021 | 17:03

Një jetë kushtuar fëmijëve pa përkujdesje prindërore: Gruaja që iu bë nënë 15 fëmijëve

Sadete Hajrizi zgjohet çdo ditë herët në mëngjes për t’i përcjellë fëmijët për në shkollë. Dy djem dhe tri vajza, me të cilët Sadetja jeton në Prishtinë, nuk janë fëmijët e saj biologjikë. Këta fëmijë, pa përkujdesje prindërore, kanë krijuar një familje me Sadeten që e ka rolin e SOS-nënës.


Kjo formë e re e kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore është krijuar nga organizata “SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë”.

Kjo organizatë është fondacion që funksionon në Kosovë që nga viti 1999 dhe është i dedikuar për përkujdesje ndaj fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore.

Brenda projektit “Kujdesi alternativ”, aktualisht nga kjo organizatë janë krijuar tetë familje për 40 fëmijë gjithsej.

Që nga themelimi, në kujdes alternativ në SOS-Fshatrat e fëmijëve të Kosovës kanë kaluar 500 fëmijë.

Secila familje ka një SOS-nënë që jeton me disa fëmijë në një apartament, në mënyrë që fëmijët të zhvillojnë jetë të zakonshme.

“Zgjohem, i thërras fëmijët në mëngjes. I përgatiti fëmijët për të shkuar në shkollë, shkojnë në mëngjes në orën 7:30, kthehem te mëngjesi… Punë të përditshme, kështu”, rrëfen Sadetja për një ditë të saj të zakonshme.

Fëmijët që jetojnë me Sadeten janë nga mosha pesë deri në 14 vjeç.

Dashuria për fëmijët ia ndërroi profesionin

Sadetja thotë se dashuri për fëmijët kishte pasur gjatë gjithë jetës së saj.

Ajo kishte kryer shkollën e mjekësisë dhe po priste që të vazhdonte profesionin në atë drejtim.

Në moshë më të re ajo punoi punë të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës deri në moshën 40-vjeçare kur i erdhi mundësia për të aplikuar për rolin që do ta ndiqte për 18 vjetët e ardhshëm.

Ajo u bë SOS-nënë.

“Familja ime në fillim s’ka qenë e kënaqur (për punën si SOS-nënë ) se unë e kam kryer shkollën dhe menduan se do të punësohem diku më ndryshe, në profesionin tim. Por, unë kam vendosur edhe kam thënë se po më pëlqen”, tregon ajo.

Gjatë gjithë punës së saj si SOS-nënë, Sadetja u kujdes për 15 fëmijë, 10 prej të cilëve tashmë janë pavarësuar apo ribashkuar me familjet e tyre.

Puna që Sadetja e bën parasheh që ajo të qëndrojë 24 orë me fëmijët për të cilët përkujdeset dhe të jetojë me ta si një familje e zakonshme.

Megjithatë, asaj i lejohet që herë pas here të pushojë dhe në këtë kohë atë e zëvendëson ajo që quhet SOS-tezja.

SOS-tezet po ashtu janë shumë të afërta me fëmijët.

Ritakimi me fëmijët pas pushimit, sipas Sadetes, është shumë emocional.

“O mezi pres, kur të dalin te dera t’i përqafoj. Çfarë ndjenje!”, tregon Sadetje.

Rregullat për t’u bërë një SOS-nënë thonë se kandidatja nuk duhet të ketë obligime personale familjare dhe duhet të jetë e gatshme për përkushtim maksimal ndaj fëmijëve për të cilët kujdeset.

Aktivitete për socializim e aftësim për fëmijët

Mënyra sesi organizata SOS – Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë kanë rregulluar funksionimin e kujdesit alternativ, parasheh fonde për të gjitha shpenzimet e fëmijëve.

Besnik Peci, udhëheqës i Kujdesit Alternativ ka treguar për Radion Evropa e Lirë shërbimet që ofrohen brenda projektit.

“Shërbimet profesionale psiko-pedagogjike jepen në mënyrë të rregullt për këta fëmijë”, tha ai.

Kjo organizatë funksionon në bashkëpunim me Ministrinë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht Qendrat për Punë Sociale.

Ligji për Familjen në Kosovë përcakton se fëmijëve pa kujdes prindëror u sigurohet mbrojtja e posaçme përmes formave të mbrojtjes siç janë kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial dhe adoptimi.

Adoptimi i fëmijëve sipas këtij ligji “është i lejuar nëse i shërben mirërritjes së fëmijës dhe nëse pritet që mes prindit adoptues dhe fëmijës do të krijohet marrëdhënia prind-fëmijë.

Në ambientet e SOS-Fshatrave të fëmijëve në Kosovë mbahen aktivitete të shumta për fëmijë.

Ata mësojnë gdhendjen e drurit dhe krijojnë punime të ndryshme që i ekspozojnë dhe planifikojnë t’i shesin në të ardhmen.

Sipas Pecit, me aktivitete shënohen edhe ditët ndërkombëtare si ajo e Mësuesve, e Gruas, si dhe e Ditës kundër Substancave Narkotike.

“Gjatë vitit 2021 kemi pasur shumë aktivitete që kanë karakter rekreativ. Secilin aktivitet ka qëllim që fëmijëve t’i ndihmojë drejt jetës së pavarur”, tregon ai.

Peci ka thënë se mburren me faktin që asnjë nga fëmijët e SOS-Fshatit nuk pi duhan apo përdor ndonjë substancë narkotike.

Sadetja ndërkohë thotë se puna që bëhet me këta fëmijë ndikon drejtpërdrejt në atë se çfarë këta fëmijë do të bëhen në të ardhmen.

“Gjithsecili më duket që do të dalë mirë e më mirë dhe do të kontribuojë jo vetëm për veten, por ndoshta edhe për këta fëmijët e tjerë”, tha ajo.

Të ardhmen e saj të paktën deri në pension, Sadetja thotë se e sheh me fëmijët që i ka në përkujdesje për t’i parë teksa rriten e pavarësohen. /rel

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë