Loading…

Një kompani ruse e naftës po nis punën në veri “ilegalisht”

  • 14/12/2016 | 19:10

Një kompani ruse e naftës po nis punën në veri “ilegalisht”

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka bërë me dije se Ministria për Dialog ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia.

Përmes një komunikate për media, Tahiri ka bërë të ditur se kjo kompani nga Serbia merret me shitjen e derivateve të naftës dhe ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Ajo ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Tahiri ka thënë që nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë.

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha Tahiri.

“Pas marrjes së informacionit nga mediat se një kompani e Serbisë e cila bënë shitjen e derivateve të naftës është duke hapur tri pika të shitjes në komunat veriore të Kosovës me datën 6 dhjetor 2016, Ministria për Dialog ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate. Me datë 8 dhjetor 2016, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pas verifikimeve ka njoftuar zyrtarisht se pas inspektimit nga Inspektorati përkatës është konstatuar se informata është e saktë dhe se kompania e ashtuquajtur ‘Nis Petrol’ ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka vendosur për t’i hapur tri pika të shitjes pa pasur licencë përkatëse nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis Petrol” është kompani aksionarësh ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë