Gazetari Dashnor Kaloçi dhe UET Press kanë sjellë një libër të dytë për Ismail Kadarenë e pranishëm në dokumente të panjohura arkivore që dëshmojnë denoncimet për autorin dhe veprën e tij. Pas librit të parë “Kadare i denoncuar”, Kaloçi sjell “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, ku vijnë dëshmi të reja për shkrimtarin duke rihapur debatin e pakryer, që lidhet drejtpërsëdrejti me hapjen e dosjeve e sidomos denoncimit të krimeve të komunizmit.
“…Sigurimi ka dashur ta arrestonte Kadarenë, por ajo gjë nuk ndodhi, pasi nuk është miratuar nga lart, d.m.th nga Enveri. Gjë e cila është shpjeguar nga vetë Kadare, ku midis të tjerash është shprehur: “Enveri më ka shpëtuar nga vetvetja, pra nga Enveri”…”
Atuori ka sqaruar në një intervistë për Violeta Muratin në gazetën Mapo, libri i ri është një vazhdim të librit të parë.
“Libri “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, është vijim dhe në të njëjtën linjë me librin e parë, “Kadare i denoncuar”, si nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Por me të vetmin ndryshim, se te libri i parë kishim 31 dokumente, te ky libër ka plot 101. Unë iu ktheva përsëri figurës së Kadaresë, për disa arsye kryesore, të cilat po përpiqem t’jua shpjegoj shkurt.
E para: Ndërsa libri “Kadare i denoncuar” u fut për botim në fundin e tetorit të vitit të kaluar (2015), i bindur se ai libër ishte ende i paplotë, por edhe më shumë për inerci, apo kurioziteti profesional si gazetar i rubrikës historike dosier, vazhdoja të kërkoja dokumente në arkiv. Dhe pashë se kishte përsëri dokumente me mjaft vlerë që bënin fjalë për figurën e Kadaresë. Kjo ishte e para që iu riktheva përsëri “Kadaresë”, si dhe kërkesës së botuesit, Henri Çili, i cili më thoshte shpesh: “A i bëjmë dot 101 dokumente për Kadarenë”?! Të jem i sinqertë, (gjë të cilën ia shprehja edhe Henrit kur më pyeste), nuk e besoja kurrë se do arrinte një numër kaq i madh dokumentesh. Dhe këtë gjë e bazoja edhe në faktin se ishin botuar dy libra nga ish-drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, prof. dr. Shaban Sinani, dhe që nga ajo kohë, (pra më shumë se dymbëdhjetë vjet më pas), vetëm dy tre dokumente të reja kishin dalë për Kadarenë. Ky fakt më bënte mosbesues lidhur me ekzistencën e dokumenteve të tjera. Por Henri vazhdonte me kërkesën e tij edhe në kuadrin e një projekti që kishte ideuar dhe futur në zbatim, lidhur me “Formësimin e Memories Kolektive dhe Kujtesën Historike”, kryesisht atë që kishte të bënte me zbardhjen e ngjarjeve kryesore dhe krimeve të regjimit komunist të para viteve ’90-të. Dhe nisur nga kjo ide e tij, unë u bëra pjesë e këtij projekti dhe vazhdova kërkimet në arkiva.
Pothuaj për një vit e ca, duke punuar gati çdo ditë në Arkivin e Shtetit dhe rezultati është ky që dihet tashmë, libri që kemi në dorë. Por përveç këtyre, duhet shtuar edhe njëfarë suksesi që pati libri i parë, “Kadare i denoncuar”, i cili u prit shumë mirë. Interesi për atë libër ishte mjaft i madh gjë që u tregua, si nga lexuesit, ashtu dhe nga media në përgjithësi”, thotë autori.
“Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, promovohet nesër në UET në orën 13.00 dhe do të jetë i pranishëm në stendën e UET Press në Panairin e Librit.