Loading…

Një ligj absolutisht i panevojshëm, një qeveri definitivisht diletante!

  • 13/12/2021 | 21:35

Një ligj absolutisht i panevojshëm, një qeveri definitivisht diletante!

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Projektligjin Nr.08/L-073 për Ratifikimin e Këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me Asistencën e Ofruar në Formë Granti, sipas Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për Kontroll të Shitjeve të Armëve mes Republikës së Kosoves dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veprim ky i paprecedent i Kuvendit i cili ndodhi për herë të parë në historinë e funksionimit të tij. Por, kështu ndodhë kur një Qeveri e tërë nuk e ka idenë se si duhet vepruar në këso situatash.


Shkruan: Arton Musliu

Kjo Qeveri, në mungesë të njohurive elementare në lidhje me efektin juridik të akteve të njëanshme shtetërore, dhe duke mos ditë se si t’i përgjigjet Notës së ShBA- së, njëkohësisht duke e komplikuar çështjen, meqenëse deratifikimi është shumë më i vështirë nëse i duhet Kosovës, dërgoi në Kuvend projektligjin në fjalë. Kësisoji, sot Kuvendi i Republikës ka ushtruar kompetencat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së Republikës. Gjithashtu, ky është një precedent jo i mirë që institucionet e Kosovës kan vendosë me rastin e shkëmbimit të notave diplomatike. Një gjë e tillë, absolutisht është gabim. Një Qeveri që bënë gjëra të tilla, definitivisht është diletante.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka pranuar Notën Nr. 2021-0085, të datës 18 Tetor, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Përmes kësaj Note, “Ambasada (e Amerikës) propozon që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohen, që vetëm nëse paraprakisht është arritur pëlqimi i Qeverisë se Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të ofroj asnjë asistencë të pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Aktit të vitit 1961 për Asistencë të Huaj ose Aktit për Kontroll të Eksportit të Armëve, ose legiislacionit pasardhës, tek asnjë njësi e forcës së sigurisë së Republikes së Kosovës, që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka identifikuar në Republikën e Kosovës përmes kanaleve diplomatike si të ndaluar të pranoj një asistencë të tillë sipas pjesës 620M të Aktit te vitit 1961 për Asistencë të Huaj, e njohur gjithashtu si “Ligji Leahy”.

Më tej, kjo Notë në mënyrë implicite orienton mënyrën e përligjjes së saj nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, rrespektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas Notës “Nëse propozimi i mësipërm është i pranueshëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ambasada propozon qe Nota e Ministrisë se Punëve të Jashtme dhe Diasporës të ketë këtë rendësi dhe kjo Notë do të përbëjë një marrëveshje në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila do të hyjë në fuqi në datën e Notës së Ministrisë.

Në përgjigjen e Ministrië së Punëve të Jashtme të Kosovës, në këtë Notë Verbale thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se propozimi në përmbajtjen e Notës së Ambasadës së ShBA- së është i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe se kjo përgjigje, së bashku me Notën e Ambasadës së ShBA- së do të përbëjnë një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së ShBA- së”. Më tej, në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës është bërë një gabim procedural dhe përmbajtësor njëkohësisht, duke qenë se kjo përgjigje, ndryshe nga kërkesa/propozimi i Notës së ShBA- së, thotë se “Nota Verbale e ShBA- së së bashku me përgjigjen e MPJD- së së Kosovës do të përbëjnë një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së ShBA- së dhe Qeverisë së Kosovës, e cila do të hyjë në fuqi në datën e njoftimit me shkrim përmes kanaleve diplomatike nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të informuar Qeverinë e ShBA- së  lidhur me përfundimin  e procedurave të saj të brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Pra, Nota Verbale e Ambasadës së ShBA- së kërkon/propozon dy veprime esenciale:

Shndërrimin e kësaj Note, bashkë me përgjigjen e MPJD-së së Kosovës, në marrëveshje në mes të Qeverisë së ShBA- së dhe asaj të Kosovës

Hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje në datën e Notës së MPJD-së.

Ky pikëvështrim i Ambasadës së ShBA- së në lidhje me përbrendësimin dhe përligjjen e kësaj Note Verbale është kompatibil me dinamikat e të drejtës dhe marrëdhenieve ndërkombëtare mbi efektin detyrues juridik të akteve të njëanshme shtetërore, siç janë Notat Verbale.

Kjo është në të njëjtën linjë edhe me pikën 190 të raportit të tetë të Raportuesit Special i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, sipas së cilit “vlefshmëria e akteve të tilla mund të vihet në pikëpyetje vetëm nëse Nota Verbale ka të bëjë më çështjet kufitare (integriteti territorial) për të cilin nevojitet miratimi nga organi legjislativ i një vendi”. Një pikëveshtrim të tillë të ngjashëm e përmban edhe Kushtetuta e Kosovës por edhe Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare.

Por, çuditërisht, Qeveria ka vendosur që të sjellë në Kuvend Projektligjin Nr.08/L-073 për Ratifikimin e Këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me Asistencën e Ofruar në Formë Granti, sipas Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për Kontroll të Shitjeve të Armëve mes Republikës së Kosoves dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nxjerrja e një ligji të tillë përveç që është e panevojshme, në të njëjtën kohë tregon edhe mungesen e njohurive bazike të kësaj Qeverie në lidhje me dinamikat e marrëdhenieve dhe të drejtës ndërkombëtare përkitazi me përbrendësimin e akteve të njëanshme shtetërore.

Prandaj, për një Notë të tillë Verbale nuk ka qenë dhe nuk është e nevojshme të ndërmerren veprime për të nxjerrë një ligj në Kuvend. Për më tepër, nxjerrja e një ligji të tillë është edhe strategjikisht gabim duke qenë se deratifikimi i tij është shumë i vështirë.

Praktika shtetërore ndërkombëtare përgjatë viteve, por edhe doktrina juridike si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tregon për një dinamikë të re në marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare. Kjo dinamikë reflekton vërtetimin e fakteve ekzistuese apo krijimin e relacioneve të reja ndërmjet dy shteteve si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, përmes shprehjes së njëanshme të vullnetit të një shteti, qoftë përmes deklaratave / konferencave / paraqitjeve publike, siç është rasti i Francës e cila përmes kësaj mënyre të komunikimit ka shprehë përcaktimin e saj për ndaljen e testeve nukleare në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor (këto veprime nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë cilësuar si obligime të Francës në raport me Australinë), apo qoftë përmes Notave Verbale apo akteve të njëanshme të një shteti në raport me një shtet tjetër, siç është rasti i Notës Verbale të Kolumbisë drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi, për heqjen dorë nga një regjion kontestues kufitar.

Rasti i Notës Verbale të Ambasadës së ShBA- së drejtuar MPJD- së së Kosvës është i ngjashëm me rastin e Notës Verbale të Ministrit të Jashtëm të Kolumbisë drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi. Sepse, siç ka vërejtur edhe Raportuesit Special i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, në rastin e Kolumbisë në raport me Venezuelën, Nota Verbale e Ministrit të Jashtëm të Kolumbisë, drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi, e datës 22 nëntor 1952, përmes së cilës Kolumbia njeh sovranitetin e Venezuelës mbi Arkipelagun Los Monjes, është pasuar nga një Notë tjetër, nga Ambasadori i Venezuelës në Kolumbi, duke u pajtuar në tërësi me përmbajtjen e saj.

Prandaj, krejt çka është dashtë në ratin tonë, është që Ministrja e Jashtme e Kosovës të i’a kthej Notën Verbale Ambasadës së ShBA- së në Kosovë përmes së cilës pajtohet me përmbajtjen e asaj Note.

Për më tepër, kapaciteti i secilit shtet për të bërë/nënshkruar deklarata të tilla, të cilat sjellin/shkaktojnë obligime dhe konsekuenca ligjore, është i pranuar gjerësisht (Parimet Udhërrëfyese të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, Parimi nr. 2). Kapaciteti i shteteve për të bërë marrëveshje ndërkombëtare dhe deklarata të njëanshme është i sanksionuar në bazë të Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve Ndërmjet Shteteve (neni 6), praktikën juridike të GJND-së si dhe doktrinën juridike të kodifikuar nga Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare. Sipas paragrafit 172, të Konkluzioneve të Raportuesit Special të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, të vitit 2004, provizionet e Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (paragrafi 6), në lidhje me kapacitetin e shteteve për të bërë marrëveshje, nënkuptojnë edhe kapacitetin e tyre për të nxjerrë deklarata/akte të njëanshme.

Pra, praktika juridike ndërkombëtare, por, edhe doktrina juridike, tregon për një evoluim të së drejtës ndërkombëtare tradicionale në të gjitha fushat e edhe në fushën e modaliteteve të krijimit të relacioneve ndërshtetërore.

E tillë është edhe e ashtuquajtura Deklarata e Ihlen-it, Ministrit të Jashtëm norvegjez, mbi heqjen dorë nga Grenlanda. Kjo deklaratë, sipas Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë, ishte ligjërisht obligative për Norvegjinë. Kësisoj, sipas gjykatës“Gjykata konsideron se është i padiskutueshëm fakti se deklarata e dhënë nga Ministri i Jashtëm norvegjez në emër të qeverisë së tij, është detyruese për vendin të cilit i takon ai”.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë