Loading…

Një liqe, dy shtete: Pse ka kaq debate rreth Liqenit të Ujmanit?

  • 26/06/2021 | 12:24

Një liqe, dy shtete: Pse ka kaq debate rreth Liqenit të Ujmanit?

Në javët e fundit janë shtuar debatet për dialogun e Kosovës dhe Serbisë dhe sa herë që ka debate të tilla përmendet Liqeni i Ujmanit. Së fundi edhe SHBA ka dhënë katër rekomandime për shfrytëzimin e Ujmanit nga palët e përfshira, gjë për të cilën Kryeministri Kurti pavarësisht rëndësisë nuk ka gjetur kohë t’i lexojë rekomandimet e Amerikës, shkruan Gazeta Metro.


Departamenti Amerikan për Energji ka dhënë katër rekomandime për shfrytëzimin e Ujmanit nga palët e përfshira. Të njëjtat parashohin përmirësimin e infrastrukturës së liqenit, formimin e një komisioni lumor, implementimin e një sistemi mbikëqyrës dhe përmirësimin e parashikimit të furnizimit me ujë.

Por sa dini për Liqenin e Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.

Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Hidrocentrali prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër-Lepenc është 49 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar me fonde të buxhetit të Kosovës.

Kanali Ibër – Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.

Ky liqe menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë, që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të së cilës, bashkë me amerikanët, parashihet hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Kjo marrëveshje u nënshtrua nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Në anën tjetër Kryeministri  Kurti ka deklaruar se qëndrojnë prapa çdo deklarate për liqenin e Ujmanit dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të ketë një kapitull të ri.

Kryeministri ka bërë të ditur se nuk ka arritur që të lexojë raportin e fizibilitetit të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji. Veçse këtë shtoi se duhet ta bëjnë fillimisht ekspertët.

Shefi i ekzekutivit  ka theksuar se negociatat me Serbinë janë përmbyllur me shpalljen e pavarësisë.

“Për besë gjatë ditës nuk kam mbërri ta lexoj, porsa ta lexojnë ekspertët tanë, profesionistët”, u shpreh ai.

Kurti është pyetur edhe nëse do te diskutohet për ndarjen dhe shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit.

“Nuk besoj që duhet t’i bëjmë tre hapa përnjëherë. Ndonëse një gjë e tillë nuk është e mundur. Dialogu do të ketë kapitull të ri, duhet të dakordohemi për agjendën, tre hapa përnjëherë si bëjmë dot”, ka përfunduar ai./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë