Soda e bukës përdoret shpesh për lehtësimin e urthit dhe aciditetit të stomakut, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar mund të jetë i rrezikshëm.
Sipas Mayo Clinic, te disa persona kjo mund të prishë ekuilibrin elektrolitik dhe të ndikojë në funksionin kardiovaskular, veçanërisht te ata me hipertension ose sëmundje të zemrës.
Përdorimi i sodës kërkon kujdes të veçantë te personat me tension të lartë, insuficiencë kardiake, probleme me veshkat, si dhe te gratë shtatzëna ose që ushqejnë me gji. Përveç kësaj, tabletët duhet të treten plotësisht në ujë dhe nuk rekomandohet marrja me stomak të mbushur, pasi mund të shkaktojë irritim ose parehati.
Ekspertët paralajmërojnë se natrium-bikarbonati mund të ndërveprojë me shumë barna, duke ulur efektivitetin e tyre ose rritur rrezikun e efekteve anësore. Kjo përfshin Aspirin, antibiotikë të caktuar, Methotrexate, Lithium dhe antacide të tjera. Ndërveprimet ndodhin për shkak të ndryshimit të pH-së së stomakut dhe urinës, që ndikon në përthithjen dhe eliminimin e barnave.
Përdorimi i tepërt mund të çojë në alkalozë metabolike, gjendje ku rritet niveli i bikarbonatit në gjak, me simptoma nga nauze dhe dridhje muskulore deri te çrregullime serioze të ritmit të zemrës. Specialistët këshillojnë të mos përdoret për më shumë se dy javë pa konsultuar mjekun dhe ta përdorni me kujdes, veçanërisht nëse keni sëmundje kronike ose merrni barna të tjera.