Loading…

Një lutje për kolegët nga Kosova, kur pyesin Sali Berishën!

  • Nga

  • MERO BAZE

  • 18/09/2020 | 12:12

Një lutje për kolegët nga Kosova, kur pyesin Sali Berishën!

Kam një lutje për kolegët e mi, gazetarët nga Kosova, që kanë qejf të intervistojnë Sali Berishën. Nuk ju vë faj që ai gënjen, as që u imponohet ju të dëgjoni gënjeshtrat e tij. E bën këtë rregullisht dhe në Shqipëri.

Shkruan: Mero Baze

Por meqë keni dëshirë të intervistoni Sali Berishën për “punë kombëtare”, dhe shumica e pyetjeve kanë të bëjnë me krime që lidhen me të, do të ishte korrekte të përgatiteshit për krimet që e pyesni.

Ndoshta mos e pyesni për të gjitha krimet njëherësh, se janë shumë dhe e shpëtoni. Pyeteni vetëm për një, por për gjithçka rreth tij, dhe ai do të ngatërrohet me këmbët e veta, pasi ka dhjetëra versione për të njëjtin krim.

Rasti tipik ishte dje me pyetjen për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Eshtë aq e njohur ajo temë në Kosovë dhe aq epike beteja e djalit të tij për të mbajtur gjallë çështjen, sa është tepër banale ta pyesësh si për një gjë që ti ke kuriozitet si gazetar, që pret ta mësosh nga vrasësi.

Mjafton të kërkosh gjithë deklaratat e tij dhe të të tjerëve për atë vrasje, dhe mund të mos e fyesh të ndjerin Remzi, duke e lënë Sali Berishën të shpikë një alibi të re, se për herë të parë për këtë çështje e ka njoftuar Adem Demaçi.

Remzi Hoxha është zhdukur në vjeshtën e vitit 1995. Mund të verifikohet lehtë se Adem Demaçi nuk ka qenë në atë kohë as për vizitë në Shqipëri. Mos gaboj ai erdhi në verën e vitit 1996, kur Berisha e thirri ta përdorte kundër Rugovës

I pari që ka njoftuar Sali Berishën për vdekjen e Remzi Hoxhës jam unë dhe kolegu im Ylli Rakipi, në atë kohë drejtor i gazetës “Albania”, dhe e kemi bërë ditën që Remzi Hoxha mund të ishte ende gjallë. E kam shkruar disa herë këtë.

Para nesh natyrisht e ka informuar orë për orë, Gazidede se çpo bëhej me atë operacion.

Në ditën që SHIK-u ka rrëmbyer Remzi Hoxhën në redaksinë e gazetës “Albania”, erdhi ortaku i Remzi Hoxhës, që ishte dhe mik ynë, G.S., së bashku me Nexhmedinin, vëllain e Remzi Hoxhës, dhe djalin e tij të vogël përdore.

Ka dhjetra dëshmi të familjes për kronologjinë e kontakteve me Arbnorin, apo zyrtarë të tjerë

Pse duhet ta bësh këtë pyetje, duke e dëgjuar gënjeshtrën e tij si zbulim! Mund të mos e bësh fare, pasi së paku nuk e fyen viktimën e tij

Kur pyesni Sali Berishën për krime, përgatituni ndopak, se nuk po e pyesni për pushimet verore. Mos kaloni në orgazëm që po dilni në fotografi me të.

Përgatituni që ai mund t’iu gënjejë dhe të keni pyetje gati. Përgatituni të dini çfarë ka thënë më parë për të njëjtën gjë.

Përgatituni të dini si ka qenë e vërteta.

Shikoni deklarimet e tij për shtypin e Kosovës për të njëjtat ngjarje që ka dhënë dhjetëra versione, shoqëruar me të njëjtën foto gazetarësh të lumtur që ai i gënjen.

Njëherë thotë UÇK ishte organizatë enveriste, një herë thotë bashkëpunuan me komunistët shqiptarë në rebelimin e ’97-s, pastaj thotë i hapa vetë depot më ’97-n për të armatosur UÇK-në, pastaj thotë i hapi Greqia për të më përmbysur nga pushteti…

Një herë thotë i dhashë naftë Kosovës (jo Serbisë) se i duhej për të korrur grurin gjatë kohës që ajo ishte nën pushtetin e Milosheviçit, a thua se polici në kufi ishte i Kosovës dhe jo i Milosheviçit, një herë thotë ja dhashë Bulatoviçit se doja të ndaja Malin e Zi nga Serbia, një herë thotë ishte mafia ndërkombëtare, një herë thotë ma kanë shpikur kundështarët.

Udhëtoja me Sali Berishën, Topallin dhe Besnik Mustafaj në qershor të vitit 1998 për në Francë, në një vizitë të sajuar nga ish- ambasadori Mustafaj në Asamblenë parlamentare dhe Senat, ku do fliste për trazirat që kishin nisur në Kosovë.

E kam shoqëruar si gazetar. E kam të botuar raportin nga fjalimi i tij në takimin me disa senatorë rreth UÇK-së, në disa gazeta në Tiranë dhe Kosovë.

E quan UÇK-në enveriste dhe me prirje për eleminime fizike dhe luftë për pushtet .

Dy ditë më parë, “Neë York Times” kishte botuar foton e shtëpisë së tij në Tropojë, nën titullin “Shtëpia e Berishës, bazë e rebelëve të UÇK-së”

Besnik Mustafaj duke dëgjuar qasjen e tij për UÇK-në, i sugjeroi ta përgënjeshtronte lajmin e “Neë York Times”, dhe të thoshte që ajo shtëpi s’ka më lidhje me atë.

Jo, i tha, Berisha. Le të jetë dhe ai version

Në mëndjen e këtij njeriu nuk ka një të vërtetë, por ka gjithnjë një nevojë. Në Francë i duhej të dukej kundër UÇK, dhe ashtu bëri. Po atë ditë diku tjetër donte të dukej se ishte me UÇK-në.

Ashtu bënte.

Mu kujtua kjo dje, ndërsa e dëgjova të mburrej se ai e kishte dhënë me koshiencë shtëpinë, për UÇK-në. Në fakt shtëpia e tij qe një bazë trafiku armësh e një nipi të vet, që ja shiste UÇK-së, dhe as e pyeste njeri fare. Kaq banale ishte, sa ata që strehoheshin tek shtëpia e tij, ishin në luftë me njerëzit e tij që vriteshin me Haklajt.

Ndaj nuk është e lehtë të intervistosh një vrasës. Nëse vendosni ta intervistoni si një “hero” për Kosovën, bëjeni, por së paku mos i përmendni vrasjet, që t’i rivarrosni të vrarët e tij. Lereni në hall të vet dhe mbuloni me kurora heroin tuaj.

Nëse do ta intervistoni si njeri të përzier në vrasje, përgatituni të përballeni me një vrasës, që nuk e ka mendjen vetëm tek gravata, kostumi që ka veshur, por tek dorezat që ka përdorur për vrasjen.

Ne në Shqipëri ndoshta jemi më keq se ju kur intervistojmë Berishën. Por këtu Berisha i zgjedh ata që e pyesin. I gjen mes nivelit të Enit dhe Fevziut.

Imitojeni Enin kur hap sytë për gjithçka, apo Fevziun në veshje, por jo dhe në vese. Se të paktën Fevziu të bën dhe atë pyetjen e “fortë”:

A je i sigurtë që nuk ke vrarë njeri?

Dhe po i the “jo”, ai qetësohet se quhet që e ka bërë detyrën. Por nuk besoj se keni dhe ju atë detyrë.

Po aq keq jemi dhe ne në Shqipëri, kur na ndodh të intervistojmë politikanë nga Kosova, por nuk bëjmë dëme të mëdha, se nuk i pyesim për vrasje. Maksimumi i pyesim “Si ju duket Tirana” dhe “ku i ke kaluar pushimet”. Dhe ata janë shumë të kënaqur me të dyja.

(Autori Mero Baze, është gazetar dhe opinionist i njohur në Shqipëri)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë