Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ndodhet për vizitë pune në Kiev, ku do të realizojë takim me homologun e tij, Dmytro Kuleba dhe përfaqësues të lartë shtetëror nga Ukraina.
Është paraparë që Ministrat të diskutojnë për agresionin ushtarak rus dhe mënyrat se si bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, mund të ndihmojnë.
Në Kiev, Osmani u prit nga Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Krum Efremov, i cili këtyre ditëve u kthye në kryeqytetin e Ukrainës dhe së bashku me anëtarët e tjerë të misionit diplomatik, vazhdon ta kryejë funksionin e tij.
Në kuadër të vizitës së tij të punës në Ukrainë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i shoqëruar nga përfaqësues të Qeverisë ukrainase, vizitoi qytetin Irpinj, në periferi të Kievit, vend i veprimeve intensive ushtarake që nga fillimi i invazionit.
“Ajo që pashë në Irpinj edhe një herë më bindi se sa i drejtë është qëndrimi ynë për ta dënuar këtë agresion ushtarak. Janë gjetur trupa të shumë civilëve, ndërsa mbi 70% e ndërtesave janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht, përfshirë spitalet dhe institucionet arsimore”, tha Osmani, dhe shtoi se agresioni i pashembullt dhe i paprovokuar paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, sulm ndaj vendit sovran dhe përpjekje serioze që të shkatërrohen themelet e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar,thuhet në kumtesën e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.