Loading…

Një pasqyrë për ta parë racizmin institucional të Komunës së Mitrovicës

  • 04/08/2020 | 16:01

Një pasqyrë për ta parë racizmin institucional të Komunës së Mitrovicës

Vendimi për të ndërtuar një përkujtimore për martirët e masakrës së tregut të gjelbërt në Mitrovicë të masakruar me 13 mars 1999 është vendim i drejt. Duhet kujtuar sa më shumë masakrat e kryera nga makineria e shtetit të Serbisë. Duhet sa më shumë të dokumentohet mizoria e organizuar që kishte qëllim zhdukjen e tjerëve dhe dominimin e një etnie. Gjithcka është në rregull deri te shfaqja e racizmit te qeverisjes lokale të udhëhequr nga Agim Bahtiri.


Nga: MUHAMET BYTYÇI

Racizëm do të thotë besimi se shkaqe si raca, ngjyra, gjuha, besimi fetar, shtetësia, ose origjina etnike ose kombëtare, justifikon përbuzjen për një person ose  grup personash, ose nocionin e superioritetit të një personi ose një grupi personash.

Venimi i Komunës së Mitrovicës për përjashtimin nga pllaka përkujtuse të një fëmije romë të maskaruar bashkë me shqiptarët në ata masaker  i ka këto elemente dhe kjo do të duhej të bënte të ndihen të turpëruar  udhëheqjen komunale.

Elizabeta Hasani  vajza rome, 5 vjecare e cila ishte  vrarë nga forcat serbe bashkë me 6 shqiptarë të tjerë në masakren e Tregut të Gjelbërt me 13 mars 1999 do të duhej të ishte pjesë e asaj pllake që është një deshmi në sytë e gjithësecilit se Serbia ka kryer shumë krime.  Se Serbia ka maskaruar edhe femije.

Vendosja e të gjithë emërave në pllakën e përkujtimit do të tregonte se liria e Kosovës ju përket të gjithëve. Se drejtësi duhet të ketë për të gjithë e edhe për Elizabeten e pafajshme që u masakru nga politika raciste e ekspansioniste e Serbisë. Krimet e Serbisë nuk kanë qënë vetëm ndaj një etnie.

Si shoqeri duhet të jemi të vetëdijshëm që vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme për të çrrënjosur racizmin dhe diskriminimin racor, prandaj duhet të punojmë më shumë me veten dhe ajo që dikur bëhej ndaj nesh nuk duhet bërë tjetrit në asnjë rrethanë.

Duhet të reagojmë fuqishem për gjithsecilin rast që ka motive etnike e raciste që e përjashton e diskriminon tjetrin. Duhet të rrisim vlerat demokratike, në të kundërten do jemi armiq të vetvetes.

Në krejt këtë histori që shpërfaqi hapur diskriminimin,  ajo që më ka quditur është heshtja, heshtja e shumë njerezve që thirren në standarde demokratike e morale.

Ata që reagojnë për gjithcka, por jo kësaj radhe, jo. Pse? Apo ndoshta një rome fëmijë nuk të sjell vota e as simpati te shumica!!! Apo dëshirojmë të fajesojmë Elizabeten pse disa romë bashkëpunuan me armikun?

Apo ndoshta gabimi është nga të tanët? Dhe kur gabojnë tanët heshtim!

Romët kanë qenë dhe janë komuniteti më i diskriminuar në Kosovë. Gjenerata të tëra jemi rritur duke i diskriminuar, ata janë pa shkollim të mjaftueshëm, të varfër, pa profesione e me kushte te rënda banimi.

Asnjë përpjekje për integrim të tyre apo për ndihmë nuk merret seriozisht e me përkushitim.

Thjesht ata janë me vetëdije e pa vetëdije adresa e shtypjes për shumicen, jo vetëm në Kosovë fatkeqësisht, por edhe në vendet tjera.

Rasti me pllakën në Mitrovicë është shembull se nuk mjaftojnë konventat ndërkombëtare e ligjet vendore për tu përfshirë ata. Duhet guxim, vullnet dhe përkushtim për drejtësi në shoqëri.

Përjashtimi i Elizabetes që padrejtësisht nuk jeton më është edhe një akt i turpshëm që na rëndon mbi supet e shoqërisë që per c’do ditë po i humb vlerat e saj.

Komuna bëri një shkleje të rëndë. Përpjekjet e nënkryetarit Faruk Mujka e kryetarit Agim Bahtiri tregojnë naivitet e ligësi të madhe.

Komuna duhet me urgjencë të shtoj emrin e Elizabet Hasanit, në pllakën përkujtimore të kërkoj falje për përseritjen e gabimit dhe të ketë një qasje tjetër.

Komuna duhet të krijoje një vend në pllakën përkujtimore për Elizabeten derisa duhet të blej një pasqyrë të madhe për Kryetarin, nënkryetarin dhe bashkëpuntorët e tyre  që të shohin veten në atë pasqyrë!

Mitrovica dhe Kosova ju përket të gjithëve!

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë