Loading…

Një rrëfim nga Ballkani për Aleksandër Vuçiçin

  • Nga

  • QENDRIM BADALLI

  • 29/09/2021 | 19:52

Një rrëfim nga Ballkani për Aleksandër Vuçiçin

Ngritja politike e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk do shumë analizë. Politikisht dhe ideologjikisht ai është produkt i konjukturave të udhëhequra nga Sllobodan Millosheviqi. Përderisa gjeneza e formimit politik të një lideri në rrethana tjera do të ishte fakt  periferik, në rastin e Vuçiçit njohja e këtij fakti është shumë me rëndësi meqë përmes tij shpjegohet në masë të madhe profili i tij aktual politik dhe politikbërja e tij në përgjithësi.

Shkruan: Qendrim Badalli

Në fakt pikërisht kjo, pra dështimi për t’u shkëputur nga e kaluara, mungesa e kurajos për t’u ballafaqur me të kaluarën, e bënë Vuçiçin ky që është sot, një politikan i status-quos destruktive. Vuçiç ec para duke tërheq zvarrë zingjir në këmbë. Meqë është me zingjir në këmbë ai ec me vështirësi dhe fort ngadalë. Zingjiri këtu është metafora e hegjmonizmit politik, e aktivitetit kriminal, si dhe platformave dehumane ideologjike, përmes së cilave ai dhe shteti i tij i ka atakuar popujt e rajonit, ndër të tjera edhe shqiptarët e Kosovës.

Zingjirët në këmbë do të mund të shkëputeshin nëse ai do të ndiqte modelin gjerman të ballafaqimit me të kaluarën. Memoriali më i vizituar për Holokaustin nuk është në Izrael, por në Gjermani. Meqë Vuçiç nuk ndjeki rrugën e vështirë por më të sigurtën, rrugën e pranimit të fajit dhe të kërkim faljes, ngjarjet kanë marrë rrjedhën që kanë marrë. Pavarësisht mundësisë, ai nuk arriti të bëjë një kthesë historike në kursin e politikbërjes serbe, siç tentoi përkohësisht Zoran Gjingjiqi. Rrjedhimisht, në këtë pikë, tek Vuçiç nuk ka asgjë historike. Ai thjeshtë po ndjekë një traditë historike të politikbërjes, që e  harmonizon nën rrethana të reja.

Në rrafshin individual të profilit të tij politik ai nuk ka asgjë perendimore pavarësisht se i pëlqen shumë që të ftohet në kancelaritë europiane dhe të duket një lider liberal i vendit të tij, madje i gjithë rajonit. E vërteta është se ai Europën e sheh thjeshtë si një formacion politiko-ekonomik të zhveshur nga vlera e iluminizmit perendimor, pavarësisht se Unioni mbi të është krijuar. Vuçiç nuk i njeh dhe nuk beson në vlerat e perëndimit, ai thjeshtë i përdor ato. Ai ka vendosur autokraci teknokratike në Serbi, teksa është burim tensioni dhe destabiliteti në rajon. Kjo politikëbërje e tij është shprehja më kumbuese dhe illustrative që Vuçiç nuk i ka të përbrendësuara dhe nuk beson në vlera europiane, të cilat promovojnë dhe nxisin paqen dhe stabilitetin, të Drejtat e Njeriut, pluralizmin politik dhe social, si dhe tolerancën dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.

Vuçiç nuk ka asnjë lidhje serioze dhe të qëndrueshme me vlerat e Europës edhe qasaj e tij karshi saj është instrumentalizuese. Kështu Serbia refuzon të bëhet pjesë e NATO-së, si forcë ushtarake të perëndimit, por i merr donacionet milioneshe nga BE-ja.  Kur kërkohet ai citon Mlladiqin në ndonjë tubim në Rashkë sa për ta mobilizuar elektoratin e vet në kundërshtim me retorikën europiane. Kur kërkohet shkon në Bruksel të mirëmbajë rrëfimin e tij për perëndimin përmes angazhimin të tij për paqen dhe sigurinë. Kur kërkohet po ashtu është i gatshëm të bëjë djegje doganash dhe atentate politikanësh si shprehje e lojaliteti ndaj Rusisë. Kështu, ai mirëmbanë disa rrëfime në të njejtë kohë; Një për serbët provinvial të Kraljevës, një për Europën, një për Rusinë. Meqë je opsional, je i instrumentalizuar tanimë. Kështu është Europa për Serbinë, vetëm një opsion për manovra politike, asnjëherë një projekt serioz në të cilin është e lëshuar “all in”.

Ballkani Perëndimor aktualisht ka shumë probleme. Në rrafshin politik, problemi kryesor i tij, i cili njëkohësisht është edhe burim problemesh tjera është Serbia nën udhëheqjen e Vuçiçit. Ai po e mirëmbanë një status-quo destruktive duke ushtruar ndikim të drejtëpërdrejtë në pengimin e vendosjen së paqes dhe stabilitetit si dhe në bllokimin  e integrimit të rajonit brenda strukturave euro-atlantike. Këtë ndikim destruktiv ai po e ushtron në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, si dhe së fundmi edhe në Mal të Zi. <Politikan i status qous destruktive> po e mban peng të ardhmen e miliona qytetarëve në këtë rajon duke ushqyer fantazmat politike të së kaluarës nga të cilat nuk shkëputet dot.

Pas përpjekjeve faktike për destabilizim në Mal të Zi dhe së fundmi edhe në Kosovë nga ana e Serbisë, Shqipëria duhet ta mendojë që përkohësisht t’i pezullojë aktivitetet e përbashkëta rajonale ku përfshihet Serbia si dhe të ketë një aktivitet më dinamik në denoncimin e këtyre përpjekjeve tek qendrat  e vendimarrjes. Interesimi i krerëve të Shqipërisë për Kosovën përveç se është obligim kombëtar dhe kushtetues i tyre, është lëvizje e duhur pasi çdo skenar destabilizimi në këtë pjesë e përfshinë në një mënyrë a tjetër edhe vet shtetin e Shqipërisë.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta rimendojnë qasjen e tyre në raport me Serbinë dhe Vuçiçin në veçanti. Nevoiteti një qasje më rigoroze, një ndërhyrje më e shpejtë dhe më direkte në këtë rajon në mënyrë që të mos ketë përsëritje të skenarëve tashmë të njohur. Edhe bota intelektuale në perëndim duhet ta dënojnë regjimin e Aleksandër Vuçiçit në Serbi si dhe përpjekjet e tij për destabilizimin konstat të Ballkanit Perëndimor si dhe zvarritjen e integrimit të tij brenda bllokut europian. Ndër të tjera, sepse e kanë obligim intelektual mbrojtjen e vlerave demokratike edhe në Ballkanin Perendimor si pjesë integrale e Europës.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist kosovar).

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë