Personi që ka humbur jetën të mërkurën në liqenin e Cyrihut është një shqiptar 42 vjeçar. Siç merr vesh albinfo.ch nga rrethi i afërm i të ndjerit, bëhet fjalë për B.Sh.A. nga fshati Llovcë, i Gjilanit.
Një person me karrocë invalidësh është nxjerrë të mërkurën pasdite nga Liqeni i Cyrihut. Provat për t`i bërë rianimacionin kanë rezultuar të pasuksesshme kështu që pak më vonë ai ka ndërruar jetë në spital, shkruajnë mediat zvicerane.
Sipas njoftimit të dhënë nga Policia e Qytetit, lajmi për personin e pajetë në liqenin e Cyrihut (në plazhin Tiefenbrunnen) ka ardhur në polici pasditen e të mërkurës.
Para se të arrinte aty policia ujore, personeli për shpëtim i plazhit e kishte nxjerrë të mbyturin nga uji dhe kishte bërë përpjekje t`i kthente jetën përmes rianimimimit, transmeton albinfo.ch.
Pastaj ai, në gjendje kritike ishte dërguar në spital, ku pak më vonë dhe kishte vdekur.
Policia është në kërkim të dëshmitarëve për të zbuluar shkaqet e vdekjes.