Loading…

Një version katastrofal për Kosovën

  • Nga

  • QENDRIM BADALLI

  • 11/11/2020 | 12:51

Një version katastrofal për Kosovën

Me proceset politike që ka vendi përpara, Kosova aktualisht është në pozicionin më të vështirë që nga periudha e luftës. Përfundimi i dialogut me Serbinë përmes një kompromisi që tashmë është një kërkesë zyrtare e tavolinave të vendimarrjes si dhe njëkohësisht fillimi i punës së Gjykatës Speciale janë dy procese, pa dyshim të ndërlidhura njëra me tjetrën, që Kosovën e kanë dërguar në një momemntum tepër të ndërlikuar politik.


Shkruan: Qendrim Badalli 

Është krejt e qartë që keqqeverisja e pasluftës, kriza e thellë ekonomike përmes papunësisë dhe standartit të ulët të jetesës, migrimi i madh i të rinjëve jashtë shtetit, niveli i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e shtetit social, margjinalizimi i pakicave ideologjike, si dhe problemet tjera sociale dhe politike, kanë krijuar një frustrim të madh tek shumica e qytetarëve në vend, të cilët tashmë duket se nuk duan as të dëgjojnë për këtë krizë të thellë të vendit.

Indiferenca e tyre karshi këtyre proceseve është produkt sa i mungesës së vetëdijes së tyre për çështjet kolektive aq sa edhe i mllefit të tyre me situatën e përgjithshme të krijuar ndër vite. Përtej arsyeshmërisë së këtij qëndrimi, megjithatë grupet e të rinjëve, partitë politike, elitat intelektuale, shoqëria civile, duhet ta gjejnë kuraojnë dhe vullnetin, që sa paku përkohësisht, t’i tejkalojnë dallimet dhe zhgënjimet mes vete për tu koncetruar në betejat përpara të cilat nuk janë aspakt të lehta.

Ekzistojnë së paku dy arsye se përse Kosova gjendet në këtë momentum kaq të rrezikshëm. Së pari, pas çlirimit të vendit, askush nuk u brengos për një dokumentim dinjëtoz të luftës dhe po ashtu u trajtua me naivitet përpjekja e Serbisë për rishkrimin e historisë. Për neve, lufta kishte përfunduar në Qershor 1999, dhe për neve e vërteta jonë për veten ishte e mjaftueshme. Të qenurit në rregull në raport me veten qëndron në një rrafsh personal, por jo edhe në atë kolektiv, e aq më pak në sferën e politikës, e aq më pak përpara Serbisë. Së dyti, Serbia ka pregaditur një fushatë të gjatë intensive kundër UCK-së përmes marionetave ruse në institucionet ndërkombëtare dhe ja që fushata e tyre për fatkeqësinë tonë ka dhënë frytet e para.

Ku jemi sot? Sot jemi përpara trysnisë ndërkombëtare për ta arritur një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë përmes një kompromisi që duhet ta bëjën të dyja palët, dhe pararelisht jemi dëshmitar të kapjes peng të figurave kyqe të UCK-së në Hagë, ku UCK-ja, në dokumentimin zyrtar të kësaj gjykate po quhet “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” ku masakrat në Kosovë, po quhen “sulme të armatosura”, këto vetëm dy momente sa për ta shpërfaqur tendencën e një gjykatë politike dhe të njëanshme për ta neutralizuar krimin serb dhe për ta ndryshuar e hiperbolizuar aktivitetin e UCK-së.

Është krejt e qartë që ndoshta qëllimi i fillimit të punës së Gjykatës Speciale pikërisht në momentin kur po kërkohet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë ndoshta nuk ka qenë në mënyrë direkte, dobësimi i pozicionit të vendit përmes arrëstimit të figurave me peshën reale më të madhe politike dhe historike në vend, por pa dyshim, kjo është konsekuenca e parë logjike e ndërlidhjes së këtyre proceseve.  Pra, le të arrëstohen më të pushtetshmit në vend, në mënyrë që të trasohet rruga për një marrëveshje më të lehtë dhe më të shpejtë pa ta, dhe njëkohësisht Gjykata Speciale le të shërbejnë si instrument shantazhi mbi trupa e prangosur dhe mbi Kosovën në përgjithësi, me dosje të fabrikuara si dhe me ato të shqyrtuara paraprakisht nga UNMIK dhe EULEX në Kosovë.

Në njërin nga versionet, i cili nuk është teori konspiracioni, as halucinacion individual, por një plan konkret me gjasa reale për të ndodhur, Serbia me aleatët e saj europian do të synojë fillimisht një marrëveshje me Kosovën përmes bosnjëzimit të saj, dhë më pas dënimin e çlirimtarëve dhe shpalljen e UCK-së, “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Kështu, merret karta e shtetësisë si fiasko politike, pastaj merret karta e UCK-së si fiasko historike. Ky do të ishte kapitullim total historik dhe politik për vendin. Ky do të ishte versioni më i keq, i cili aktualisht është në lojë si projeksion politik i Serbisë dhe aleatëve të saj.

Konsideroj së Kosova duhet të mobilizohet mirë përpara këtij projekti real i cili do të na kthente prapa në histori, edhe më të turpëruar, në një pozicion edhe më të keq se që kemi qenë para luftës. Është krejt e papranueshme dhe jashtë çdo logjike politike dhe intelektuale që Kosova ta pranojë symbyllur dhe në heshtje këtë përpjekje për gjunjëzim dhe poshtërim historik dhe politik, për sa kohë, vendi jonë, liria jonë, parvarësia jonë, ëshë fituar me gjak ndër vite, natyrisht edhe me ndihmën e madhe politike dhe ushtarake ndërkombëtare. Përveç se prapa në histori, një version tillë, do të krijonte bazë për një konflikt të ri, sepse Serbia as nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë as nuk e ka ndryshuar qasjen hegjemonike në raport me vendin tone, dhe se Serbia nuk kërkon strukturë juridike dhe politike brenda Kosovës, për t’i shërbyer paqe e stabilitetit, multikulturalizmit dhe demokracisë, por përkundrazi, politikave destruktive dhe bllokuese.

Instrumentin e shantazhit që Serbia dhe aleatët e saj e ngritën mbi Kosovën, mbi UCK-në dhe mbi trupat e prangosur në Hagë, duhet t’ua lëmë në duar, thjeshtë të ia ndryshojmë kahjen e tij. Kjo bëhet nëse Kosova nuk nënshkruan asnjë marrëveshje pa e parë verdiktin përfundimtar të Gjykatës Speciale për UCK-në. Me këtë lëvizje, të thjeshtë dhe në gjentilencë, ne e ndalim ofenzivën serbe mbi vendin tonë dhe lëvizim tatktikisht për mrekulli në favori tonë. Dialogu le të vazhdojë, por marrëveshje le të mos ketë. Dialogu le të vazhdojë si shprehje e vullnetit të mirë për paqe dhe stabilitet dhe si shenjë mirëkuptimi e partneritetit me aleatët tanë, por marrëveshje le të mos ketë. Me këtë lëvizje ne e mbrojmë UCK-në. Në të kundërtën, nëse shkohet me marrëveshje paraprakisht, verdikti i Gjykatës Speciale do të jetë i ditur ende pa u dhënë dhe kësisojë sigurojmë humbje të dyfishtë.

Ne, si shtet e si komb, nuk kemi nevojë dhe as forcë reale, që ta mbivlerësojmë veten. Por njëkohësisht ne nuk kemi nevojë dhe as përfitim që ta nënvlerësojmë veten dhe rolin tonë politik në raport me zhvillimet në rajon por edhe në raport me interesat gjeopolitike për Ballkanin Perendimor. Kosova është shteti i dytë i një etnie, etnie e cila ka pakica konstruktive dhe shtetformuese në Maqedonin Veriore, në Mal të Zi dhe në Serbi. Kjo nuk është pak, apo jo? Kosova përmes konflitik të hapur me Serbinë, ka në dorë bllokimin e nismave rajonale ashtu sikurse ka në në dorë edhe arritjen e stabilitetin përfundimtar në Ballkanin Perendimor si dhe integrimin e tij në BE. Jo më kot, Kosovën ekspertët e huaj politik e kanë quajtur “ çështja e të gjitha çështjeve”.

Kështu, ne kemi potencialin politik, njerëzor dhe kombëtar, pozicionin gjeografik dhe gjeopolitik, përmes së cilave ne duhet të luftojmë dinjëtetshëm, me diplomaci dhe pa komplekse përball të gjithëve në mbrojtje të interesave tona, sepse Kosova dhe bota shqiptare në përgjithësi është pjesë integrale e Ballkanit Perendimor, me potencial destabilizues të shprehur në fundvitet e 90’ ta ashtu sikurse edhe me potencial stabilizues që i kontribuon paqes dhe sigurisë të shprehur tash e njëzet vite.

Se çfarë do të ndodhë tutje do ta varet nga ne. Shenja nuk janë aspak optimiste. Përtej rivaliteti politik që edhe në këto momente  menzi po tejkalohet, sa për ta ilustruar gjumin tonë letargjik dhe paaftësinë tonë për moblizim edhe në këto rrethana shumë të rënda, shembull ilustrativ kemi Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Kanë kaluar sa ditë që nga prangosja e zyrtarëve më të lartë të UCK-së dhe kjo akademi ende nuk ka marrë mundin ta ketë një reagim. Me këso qasje nga një institucion kaq i lartë intelektual në vend, dhe jo vetëm nga ky institucion, Serbia po tallet keq me një popull të cilin e kishte maltretuar dhe masakruar me vite. Mit’hat Frashëri kishte thënë: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”. Deri atëherë le ta durojmë avatanzhin politik dhe talljen nga Serbia.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist kosovar).

 

Më të fundit
...
  • 25/11/2020 | 12:13
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë