Loading…

Një vështrim kritik ndaj postimit të Blerim Latifit të titulluar ‘Rugovizmi si kopje e disidencës çekosllave’”

  • Nga

  • BAJRAM GECAJ

  • 03/12/2019 | 16:38

Një vështrim kritik ndaj postimit të Blerim Latifit të titulluar ‘Rugovizmi si kopje e disidencës çekosllave’”

Në postimin e tij, zotëri Latifi ka vendosur disa paralele, ca nga të cilat krejtësisht të paqëndrueshme, në mes të disidencës çekosllovake dhe lëvizjes gjithë-popullore të shqiptarëve të Kosovës të fund-viteve të shekullit të kaluar – Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në këtë paralelizëm të tij, Latifi shkon madje aq largë saqë LDK-në e trajton si një kopje e cila në fund edhe nuk kishte funksionuar. Është afër mëndësh që lëvizjet e ndryshme mund edhe të ndodhë të kenë ngjashmëri, në veçanti atëherë kur fryma dhe disa elementet përmbajtjesore të këtyre lëvizjeve do të mund të përputhen me njëra tjetrën. Megjithatë, një ngjashmëri e tillë mund të konstatohet jo vetëm me disidencën çekosllovake, por edhe me lëvizjet tjera, siç ishte për shembull edhe lëvizja “gandiste” e Indisë, shumë vite më herët, dhe në brendinë e saj fare pa prezencën e elementit komunist.


Shkruan: Bajram Gecaj

Zotëri Blerim Latifi shprehet se Rugova “inspirimin kryesor politik” e mori nga kjo lëvizje, pra nga disidenca çekosllovake, e që më shumë tingëllon si një konstatim subjektiv i një natyre politike e psikologjike, se sa ndonjë përfundimi shkencor i mbështetur në fakt dhe premisa të cilat do ta bënin të besueshëm dhe kredibil këtë konstatim të tij.

Edhe ngjashmëria me përfundimet e “intelektualëve antikomunistë çekosllovakë”, të ilustruara në këtë postim nga ana e zotëri Latifit, është mjaft e diskutueshme:
1. Ndryshimi i regjimit komunist me dhunë nuk është i mundur.
 Ndryshimi i regjimit komunist me dhunë ishte i mundur dhe në fakt edhe kishte ndodhur në disa shtete të Evropës Lindore, siç ishte për shembull rasti i Rumanisë;
2. Nuk është i mundur as ndryshimi paqësor i regjimit nga brenda, me anë të reformimit gradual.
 LDK asnjëherë nuk ka pasur qëllim ndryshimin gradual të regjimit Jugosllav nga brenda, por rrëzimin e tij përfundimtar dhe realizimin e trinomit: Liri, Pavarësi dhe Demokraci;
3. E vetmja zgjidhje mbetet krijimi i një hapësire paralele të mendimit dhe veprimit opozitar.
 Hapësira paralele (per se) nuk ishte konsideruar asnjëherë si e vetmja zgjidhje, por padyshim që ishte zgjidhja optimale, më reale, më e sigurt dhe me më pak pasoja drejt qëllimit përfundimtar;

Me të drejte zotëri Latifi thekson se “sistemi paralel i krijuar nga disidentët çekosllovakë, kishte përballë një regjim autoritar në rënie e sipër …”, por që gabimisht vazhdon se “sistemi ynë paralel, kishte përballë një regjim të sapongritur dhe shumë vital…”! Ky përfundim nuk përkon fare me realitetin e asaj kohe, pasi që edhe regjimi i “Kasapit të Ballkanit” i asaj kohe ishte ngritur mbi rrënojat e një regjimi totalitar në shuarje, ish-Jugosllavisë, e qe vërtetë përfaqësonte “shkelmat e fundit” të një “bishe” që po vdiste.

Edhe përfundimi i zotëri Latifit se pas konferencës së Dejtonit “Rugova nuk arriti të lexoj situatën e re dhe të kuptoj se Qyteti Paralel Kosovar kishte arritur në limitet e tij” është jashtë parametrave reale, pasi që Presidenti Rugova çdoherë ishte i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për situatën mjaft të vështirë, të ndjerë dhe të ashpër në Republikën e Kosovës, por që ishte njëkohësisht edhe mjaft i informuar nga ata dhe i vetëdijshëm se pa përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, tragjedia që e kërcënonte Kosovën do të mund t’i linte nën hije ato të Bosnjës dhe të Kroacisë.

Lëvizja gjithë-popullore e viteve të nëntëdhjeta, Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte lëvizje e llojit të vet (unique) dhe e papërsëritshme, krejtësisht në harmoni me kapacitetet, rrethanat e kohës dhe qëllimet përfundimtare të popullit të Kosovës. Ishte lëvizja më e madhe dhe më së miri e organizuar në tërë historinë mijëvjeçare të popullit shqiptare. Ishte lëvizje e cila u kurorëzua me fitoren përfundimtare dhe me sendërtimin e aspiratave shekullore të popullit kosovar. LDK dhe UÇK nuk ishin asnjëherë në kundërshtim me njëra tjetrën, por ishin në fakt dy anët e së njëjtës medalje, të cilat së bashku aktivizuan dhe mobilizuan në anën e tyre edhe pjesën më civilizuese të komunitetit ndërkombëtarë.

(Autori i kësaj kolumne është zyrtar i LDK’së)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë