Loading…

Një vit burgim me kusht për zyrtarin e Komunës së Dragashit, i akuzuar për korrupsion

  • 27/10/2022 | 16:38

Një vit burgim me kusht për zyrtarin e Komunës së Dragashit, i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Avni Nebiu, zyrtar i Komunës së Dragashit, duke e dënuar me një vit burgim me kusht.


Nebiu akuzohej se si zyrtar autorizues i pagesave ka nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit, u bë të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Nebiu dënohet me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër të re penale.

Po ashtu, ai obligohet që të paguajë të gjitha shpenzimet procedurale në emër të ekspertizave financiare dhe prezencën e ekspertit në shqyrtimin kryesor.

I njëjti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këto veprime, ata thuhet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë