Loading…

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës proteston sot para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata

  • 09/12/2023 | 08:10

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës proteston sot para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, NJSI, do të protestojë sërish sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Protesta do të mbahet në orën 12:00 dhe asaj do t’i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.


Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri.

Ndryshe, pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, edhe më 1 nëntor, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta më 7 nëntor, por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Takimi mes tyre u mbajtë, por pa ndonjë rezultat, që si rrjedhojë vjen edhe protesta e sotme.

Ndërkohë, pas protestës që zhvilluan këto dy njësite para objektit të Qeverisë së Kosovës në fillim të muajit të kaluar, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u deklaruan lidhur me kërkesat e tyre, përmes postimeve në Facebook.

Kurti tha se 27 për qind e pjesëtarëve të Policisë kanë pasur të hyra më shumë se 1000 euro në muaj, duke shtuar se janë 203 policë që sivjet kanë pasur të ardhura edhe më të larta se Presidentja Vjosa Osmani.

”Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, shkroi Kurti në postimin e tij,.

Ministri Sveçla deklaroi se ka policë të cilët të ardhurat mesatare mujore e kanë mbi 2 mijë e 200 euro.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, shkroi Sveçla.

Deklaratat e tyre nxitën reagime të shumta në opinionin publik, pasi sipas Ligjit për Paga, polici i lartë merr pagë bazë vetëm 619 euro.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, kishte sqaruar se një pagë e tillë mund të arrihet vetëm duke pasur parasysh orët shtesë.

”Varësisht se cila është grada e tij, a është polic, rreshter apo toger brenda këtij njësiti. Nëse e marrim një polic të lartë që e ka koeficienti 5.9 aktualisht paga e tij është 619 euro dhe kur llogaritet që ky njësit para implementimit ë ligjit të pagat ka pas shtesë për rrezikshmërisë 215 euro dhe plus 100 euro me një vendim të qeverisë i bie 315 euro, shtesë që nga implementimi i pagave nuk e kanë pranu asnjëherë”, ka deklaruar ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë