Loading…

‘Nuk e kuptoj qysh një drejtor i policisë kalon në PDK’, ‘Ministre kujdes kur i drejtohesh deputetëve se mund të kthehet bumerang’: Haxhiu e Qalaj debatojnë ashpër në Kuvend

  • 07/07/2022 | 15:41

‘Nuk e kuptoj qysh një drejtor i policisë kalon në PDK’, ‘Ministre kujdes kur i drejtohesh deputetëve se mund të kthehet bumerang’: Haxhiu e Qalaj debatojnë ashpër në Kuvend

Opozita ka kundërshtuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.


Pas kritikave të shumta në seancën e sotme të Kuvendit, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu në foltoren e Kuvendit tha se kur kanë marr mbështetjen prej qytetarëve dy prej arsyeve kryesore kanë qenë zotimet në çështjen e drejtësisë dhe punësimit.

“Kur para qytetarëve kemi prezantuar programin qeverisës ka qenë pikërisht çështja e Byrosë Shtetërore. Unë nuk mundem diçka tjetër me prezantua në fushatë e diçka tjetër me punu kur e marr mandatin e ministres”, tha Haxhiu.

Duke iu përgjigjur deklaratave të opozitës për “hakmarrje politike”, Haxhiu tha se ka pas tendenca të tilla në të kaluarën, duke përmendur faktin se ishte tentuar që LVV-ja të shpallej organizatë e paligjshme, shkruan Telegrafi.

“Unë besoj që të gjithë pajtohemi se me bazën penale ka pas hakmarrje politike, sepse ka pas tendenca me hetu figura veç pse i përkasin LVV-së. Pra kryetarin e LVV-së që tash është kryeministër dhe Kryetarin e Kuvendit tash që atë kohë ishte në kryesi të partisë. Shumë mirë e dini që LVV-në kanë pas me shpall organizatë të paligjshme dhe kjo ka ndodh, figurat kryesore që kanë pas tendencë të tillë kanë qenë në krye të institucioneve të drejtësisë”, tha Haxhiu, duke përmendur këtu ish-drejtorin e Policisë tashmë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj dhe ish-kryeprokurorin Sylë Hoxha.

“Si ka mundësi që prej Prokurorisë shkon në LDK e prej Policisë shkon në PDK, unë këtë e kisha ndalu me ligj”, ka thënë Haxhiu.

Pas kësaj ka replikuar deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj i cili kërkoj nga ministrja Haxhiu që të ketë kujdes me deklarimet.

“Ministre me na shit moral është bukur mirë, por jo nga ju. Ju e dini ministre e nderuar çka keni ba në këtë Kuvend. Është turp me fol për këtë sen ju. Nuk po du me shku ma gjatë, ne jemi deputet dhe kem drejt me pas mendimin tonë. Jini më e kujdesshme kur i drejtoheni deputetëve se mundet me tu kthy bumerang”, tha Qalaj.

Sërish kundërpërgjigje pati ministrja Albulena Haxhiu.

“z.Qalaj për veprimet tona politike në këtë Kuvend jemi përgjigj para ligjit, jemi dënuar nga gjykata për ato, dhe asnjëherë nuk i bimë pishman për gazin lotsjellës. Për mua nuk është normale që një drejtor i policisë sapo ta përfundoj mandatin të shkoj në parti politike. E kam për ty sepse do të ishte mirë që të prisje së paku një kohë e pastaj t’i bashkoheshe një partie”, tha Haxhiu, shkruan Telegrafi.

E replikë pati edhe nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj i cili kërkoi nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që të menaxhoj me temat e mëdha në vend.

“Kryetar po të drejtohem ty pasi ke mbet ndër zërat më racional të kësaj shumice parlamentare, merri në dorë këto tema të mëdha dhe menaxhoj si din ti, sepse ky përfaqësim është duke e katandis shtetin dhe shoqërinë. Bëhu gardian i kësaj situate sepse padituria do të jetë armiku më i madh këtij vendi”, tha Selmanaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë