Vetëm disa orë pasi u deklaruan se ka pajtueshmëri absolute për votën pro Bekim Sejdiut të propozuar për President, vetëm para pak çastesh kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, deklaroi se gjashtë deputetë janë realisht kundër, shkruan Gazeta Metro.
Abdixhiku ka kritikuar ashpër dhe ka folur me emra për gjashtë deputetë të partisë së tij që janë shprehur kundër që president të jetë Bekim Sejdiu.
“Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtm Shala kanë dalur kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për President”, ka thënë Abdixhiku.
Vendimi është marrë pa asnjë votë kundër u tha fillimisht, ndërsa nga LDK-ja është vlerësuar si qëndrim zyrtar i strukturave drejtuese të partisë dhe si hap në funksion të ruajtjes së stabilitetit institucional.
Në njoftimin e saj, LDK-ja thekson se vendimmarrja është bërë në bazë të autorizimeve të marra nga Kuvendi i partisë dhe në përputhje me mekanizmat e saj të brendshëm.
“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”, thuhet në njoftim.
Partia argumentoi fillimisht se dakordimi për postin e Presidentit tejkalon çështjen e një kandidature individuale, duke e lidhur atë me nevojën për funksionim normal të institucioneve dhe evitimin e një situate të re bllokuese politike.
“Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional. Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë. Në të njëjtën kohë, zgjedhja e Presidentit të Republikës kërkon një personalitet me integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, i cili e kupton peshën kushtetuese të kësaj detyre dhe është në gjendje ta përfaqësojë unitetin e popullit”, u tha në njoftim.
Menjëherë pas mbledhjes kundër haptazi doli ish-kryeministri dhe deputeti nga kjo parti, Avdullah Hoti./gazetametro.net