Loading…

OBSH-ja, thirrje autoriteteve t’u kushtojnë vëmendje vuajtësve me pasoja afatgjata të COVID-it

  • 25/02/2021 | 23:20

OBSH-ja, thirrje autoriteteve t’u kushtojnë vëmendje vuajtësve me pasoja afatgjata të COVID-it

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se një në 10 pacientë me COVID-19 përjetojnë probleme shëndetësore edhe 12 javë pasi kanë patur virusin dhe u bëri thirrje autoriteteve shëndetësore ta shqyrtojnë me seriozitet situatën e tyre.


Në një konferencë virtuale për shtyp të enjten, dega e OBSH-së për Evropën publikoi një raport që dokumenton se si vendet e ndryshme në rajon u janë përgjigjur pacientëve që vuajnë simptoma afatgjata të COVID-19.

Drejtori për Evropën i OBSH-së Hans Kluge tha se i ashtuquajturi “COVID i gjatë” mund të shkaktojë simptoma që përfshijnë lodhje të rëndë, dhimbje gjoksi, inflamacion të zemrës, dhimbje koke, harresë, depresion, humbjen e nuhatjes, ethe të përsëritura, diarre dhe zhurmë në veshë.

Në raport thuhet se të dhënat e disponueshme tregojnë se rreth një në katër persona me COVID-19 shfaqin simptoma rreth një muaj pas testimit pozitiv, ndërsa një në 10 përjetojnë simptoma pas 12 javësh.

Zoti Kluge tha, “vuajtësit e simptomave pas COVID-it duhet të dëgjohen nëse duam të kuptojmë pasojat afatgjata dhe rimëkëmbjen nga COVID-19”. Ai tha se është e rëndësishme për politikëbërësit të marrin në konsideratë pacientë të tillë afatgjatë si pjesë të përgjigjes për të zbutur ndikimin e pandemisë.

Zoti Kluge shtoi se të sëmurët afatgjatë janë një përparësi për OBSH-në dhe duhet të jenë për çdo autoritet shëndetësor.

Ai tha gjithashtu se në Evropë për të dytën javë radhazi, numri i rasteve të reja ka qënë më pak se një milion, gjë që tregon se transmetimi i virusit vazhdon të ngadalësohet. Zoti Kluge tha se rastet e reja kanë rënë gati përgjysëm që nga fillimi i vitit, si rezultat i zbatimit të masave të reja të ndërmarra nga vendet për ngadalësimin e transmetimit.

Por zoti Kluge paralajmëroi se COVID-19 vazhdon të përhapet me ritme shumë të larta në të gjithë Evropën, me dy variante shqetësuese që vazhdojnë të dominojnë mbi variantet e tjera./voa

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë