Loading…

OJQ’të thirrje ministrit Shala: Fëmijët po helmohen

  • 10/02/2017 | 12:25

OJQ’të thirrje ministrit Shala: Fëmijët po helmohen

 

Është organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, e cila ka ngritur prapë shqetësime sa i përket ndotjes së ajrit në Prishtinë.


Në një raport më të detajuar nga këto dy OJQ, të cilat kohë pas kohe kanë bërë matjen e ajrit, duke përfshirë këtu edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, por edhe vetë matjet e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës – tregojnë vlera skandaloze të ndotjes së ajrit.

Madje nga matjet e këtyre dy OJQ-ve, shihet se ndotja e ajrit në qendër të Prishtinës është më e lartë se në Dragodan, aty ku janë të vendosura matësit e Ambasadës së SHBA-ve, gjë që mohon argumentin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë se Dragodani është më i ndotur sesa qendra e Prishtinës, duke synuar kështu ti zhvlerësojnë të dhënat e bëra nga ambasada e SHBA-së.

Ata po fajësojnë ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Ferat Shala, i cili po jep deklarata skandaloze nëpër media, duke tentuar kështu ta normalizoj gjendjen që sipas tyre është jonormale, transmeton gazetametro.net.

Madje i kanë bërë edhe një analizë deklaratave të tij.

“E para, ministri Shala, në fillim të fjalisë thotë se “situata vazhdon të jetë pothuajse me parametra të njëjtë me vitin paraprak.”, ndërsa më vonë tregon se “situata këtë vit është 50% më mirë sesa në vitin e kaluar.”. Ministri Shala duhet ta dijë se 50% përbën gjysmën e vlerës, prandaj, siç edhe ai dëshiron ti referohet, as ‘shkencëtarisht’ situata e vitit të kaluar nuk del e njëjtë me këtë vit. E dyta, ministri Shala thotë se “duke marrë nga të gjitha të dhënat statistikore, relevante dhe të besueshme të institucioneve tona…” tenton që të aludojë se vetëm të dhënat e Ministrisë së Mjedisit janë të ‘besueshme’ dhe çdo e dhënë tjetër nuk është e besueshme”, thuhet në këtë reagim të dy OJQ-ve.

Ata i kujtojnë ministrit Shala se Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, të vitit 2014/2015/2016, japin një kritikë të rëndë punës së institucioneve, ndërmjet tjerash duke thënë se “jo-mirëmbajtja e veglave matëse si dhe jo-kalibrimi i rregullt i tyre mbesin problem i madh sepse direkt rrezikojnë kredibilitetin e të dhënave”transmeton gazetametro.net.

Duke dashur që ministrit Shala t’ia tregojnë të vërtetën për ajrin, OJQ PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, që nga muaji janar 2017, në mënyrë sistematike (dy herë në ditë: paradite dhe pasdite), kanë bërë matje brenda dhe jashtë shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Kjo zonë siç edhe thuhet në këtë reagim është një nga zonat më të ndotura si shkak i trafikut të lartë.

Në bazë të të dhënave të publikuara edhe në hartat më poshtë, këto dy OJQ kanë dëshmi të plota që tregojnë se fëmijët e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë janë në rrezik të përhershëm, sidomos gjatë ditëve me smog, si pasojë e ndotjes së lartë të ajrit.

“Raporte dhe studime të ndryshme nga institucionet, universitetet dhe qendrat më me renome botërore tregojnë se ekspozimi i fëmijëve në ndotje kaq të lartë të ajrit shkakton pasoja të rrezikshme në shëndetin e tyre”, thuhet në këtë reagim.

E po ashtu sjellin dhe një listë pasojash që fëmijët e shkollës fillore “Faik Konica” rrezikojnë ti fitojnë si pasojë e ekspozimit të tyre ndaj ndotjes së ajrit:

“Fëmijët nga shkolla me ndotje të lartë kanë pas një rritje shumë më të vogël të zhvillimit kognitiv krahasuar me fëmijët nga shkollat me ndotje më të ulët” – kështu thotë një studim i bërë nga 17 studiues. Studimin mund ta gjeni këtu: http://bit.ly/publikim1.

“Ndotja me mikro-grimcat mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut edhe në nivele të ulëta – në të vërtetë nuk është identifikuar asnjë lloj pragu nën të cilën ndotja me mikro-grimca nuk ka ndonjë pasojë në shëndet” – thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, artikullin e së cilës mund ta lexoni këtu: http://bit.ly/publikim2.

“Fëmijët që jetojnë në zona me ndotje të lartë janë të prirë që të kenë katër herë më shumë zvogëlim të funksionimit të mushkërive në moshën e rritur.” “Ekspozimi në ndotje të ajrit mund të ndikojë në zhvillimin fizik dhe mental të fëmijëve” – këto janë vetëm dy të gjetura nga një raport i detajuar mbi ndikimin e ndotjes së ajrit te fëmijët, të cilin mund ta lexoni këtu: http://bit.ly/publikim3.

Ata ftojnë ministrinë Shala që të marrë përgjegjësinë e plotë dhe menjëherë të marrë masa mbi gjendjen e ndotjes së ajrit, dhe sidomos informimit të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre. Po ashtu, këto dy OJQ ftojnë edhe shkollat tjera që të marrin masa për nxënësit e tyre./gazetametro.net

harta-1

Vija e kuqe janë zonat ku janë bërë matjet, vlerat e të cilave kanë kaluar limitin e  Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve. Matjet që shihen në hartë janë bërë me datën 25 janar 2017 dhe niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 160.44 mikrogramë për metër kub. Ndërsa vlera që konsiderohet e lejueshme duhet të jetë ndërmjet 0-25 mikrogramë për metër kub.

harta-2

Vija e kuqe dhe vjollcë janë zonat ku janë bërë matjet, vlerat e të cilave kanë kaluar limitin e  Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve. Matjet që shihen në hartë janë bërë me datën 30 janar 2017, gjatë orëve të mëngjesit kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Derisa ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë jo e shëndetshme (unhealthy), ngjyra vjollcë tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë shumë jo e shëndetshme (very unhealthy). Niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 , në hartën që po shihni, ka arritur deri 179.20 mikrogramë për metër kub.

harta-3

Matjet që shihen në hartë janë bërë me datën 03 shkurt 2017, gjatë orëve të mëngjesit kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Derisa ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë jo e shëndetshme (unhealthy). Niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 , në hartën që po shihni, ka arritur deri 115.47 mikrogramë për metër kub.

 

harta-4

Po në të njëjtën ditë, me 03 shkurt 2017, gjatë orëve të pasditës, niveli i ndotjes së ajrit me PM2.5 zvogëlohet. Në hartë shihet vija me ngjyrë të verdhë, që tregon se ndotja e ajrit ka rënë në nivel mesatarë, por jo në nivel të ulët, me disa zona të vogla ku ndotja vazhdon të jetë e lartë (shihni pikat e kuqe dhe të portokallta).

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë