Turneu i “Australian Open” që do të mbahet në Janar përballet me më shumë paqartësi, pasi qeveria vendosi që të shtyjë edhe me dy javë të tjera hapjen e kufijve kombëtare të vendit.
Autoritetet kishin vendosur që udhëtarët ndërkombëtare të vaksinuar të lejoheshin të hynin nga data 1 Dhjetor, por kjo nuk do të ndodhë deri më datën 15, për shkak të përhapjes së variantit Omicron.
Nga data 28 Dhjetor, është programuar që të mbërrijnë në Australi personeli i tenistëve, e më pas nisin përgatitjet. Por në rast të një shtyrjeje tjetër të hapjes së kufijve, eventi rrezikon që të mos mbahet.
Shumcia e tenistëve pjesëmarrës janë vaksinuar, por ka edhe sportistë si Novak Djokovic që ka refuzuar të thotë se si do të veprojë. Por ekziston mundësia që numri 1 i botës të mos marrë pjesë në “Australian Open”.
Drejtori i turneut Craig Tiley deklaroi se po punon me qeverinë dhe shpreson se eventi do të mbahet pavarësisht rrezikut nga varianti i ri i Covid. Një javë më parë, “Australian Open” konfirmoi se vetëm tenistët e vaksinuar do të garojnë në “Melbourne Park”.