Loading…

Operacionet Ruse të Dezinformimit në kohën e koronavirusit po arrijnë edhe në Kosovë

  • Nga

  • ARBËR AHMETI

  • 17/03/2020 | 17:44

Operacionet Ruse të Dezinformimit në kohën e koronavirusit po arrijnë edhe në Kosovë

Ditëve të fundit edhe në Kosovë ka pasur raste të shpërndarjes të lajmeve të rreme me qëllim të krijimit të panikut dhe pasigurisë tek qytetarët. Lajmet e para të rreme në kuadër të krizës së koronavirusit ishin raportimet e pasakta në disa portale për raste pozitive në kohën kur në Kosovë nuk kishte asnjë rast të koronavirusit. Disa ditë më parë edhe Klan Kosova demantoi një lajm që frynte numrin e të infektuarve që ishte lansuar në rrjetet sociale nga një portal me emër të kopjuar.


Por ndoshta lajmi i rremë më i sofistikuar deri tani në Kosovë është një opinion konspirativ pa autor me titullin “Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe Ballkan, Ju nuk jeni në vetëdije…“, i cili është shpërndarë mbi 1800 herë dhe është postuar në portale si Mekuli Press dhe portale tjera të caktuara. Artikulli spekulon që diçka po përgatitet në Europë dhe ka një qasje pro Ruse duke akuzuar SHBA’të se po sjellë në kuadër të stërvitjes ‘European Defender 20’ mijëra ushtarë dhe mjete ushtarake në Europë, dhe vazhdon tutje duke bërë lidhje konspirative mes Kinës dhe Italisë, SHBA’ve dhe trupave ushtarake amerikane në Itali dhe Rusisë në Europë. Artikulli përfundon duke spekuluar se aleanca Ruso-Kineze është e rrezikshme për SHBA’të për shkak se sulmon monopolin e dollarit dhe se koronavirusi është masë për të përgatitur qytetarët për diçka më të madhe duke lënë të nënkuptohet që virusi mund të jetë zhvilluar për interesa amerikane. Artikulli në një pjesë të mirë të tij përmban pyetje që mëtojnë të shkaktojnë dyshime e pasiguri tek lexuesi dhe është i shkruar me kujdes dhe saktësi më të lartë gramatikore por leximi i kujdesshëm i tij vërteton që ai është i përkthyer nga një gjuhë tjetër. Lajmi mund të klasifikohet si propagandë Ruse që ka filluar të shpërndahet tek publiku Kosovar.

Por ky nuk është epilogu i lajmeve të rreme në kohën e kësaj krize epidemike. Departamenti Amerikan i Shtetit akuzoi ditë më parë Rusinë për inicimin e një operacioni masiv të dezinformimit i ngjashëm me Operacionin Infektion të KGB’së që është zhvilluar në vitet ’80. Operacioni Infektion shtyu përpara teori konspirative që AIDS është virus i zhvilluar në laborator dhe Amerika është përgjegjëse për zhvillim e pastaj shpërndarjen e tij në Afrikë. Fakti që të gjithë kemi dëgjuar dhe njohim njerëz që besojnë edhe sot këtë teori dëshmon edhe efektivitetin e tij. Operacioni ishte shumë efektiv dhe krijoi konfuzion dhe mosbesim në shtetet Afrikane kundrejt SHBA’ve, duke e dëmtuar reputacionin e kësaj të fundit. Njëjtë dhe lajmet e fundit të rrejshme hedhin në publik teori të konspiracionit që koronavirusi është zhvilluar në SHBA dhe është shpërndarë nga SHBA’të për të dëmtuar ekonomitë e vendeve të lindjes. Edhe Instituti për Studimin e Luftës raportoi për një kampanjë të intensifikuar Ruse në Ukrainë në kuadër të kësaj kampanje globale me qëllim të shkaktimit të mosbindjes dhe protestave civile duke eksploatuar mungesën e informacionit për disa qendra të karantinës ne disa qytete të Ukrainës, duke mëtuar të krijoj avantazhe ndaj qeverisë Ukrainase për koncesione politike në qytetin e Donbasit.

Operacionet e dezinformimit të zhvilluara nga agjencitë inteligjente si qëllim kanë të shtojnë pasiguritë në vendet që i kanë target, të dëmtojnë reputacionin e akterëve të caktuar dhe në rastet e krizave dhe pandemive si kjo e tashmja mund edhe të limitojnë veprimet që marrin qeveritë për të menaxhuar krizat duke krijuar kështu hapësira për kaos dhe përkeqësim të tyre. Gjatë epidemisë së Ebolës në Afrikë, stafi i Organizatës Botërore për Shëndetësi dhe autoritetet e shteteve përkatëse kanë pasur shume probleme si pasoje e hapjes së lajmit që SHBA’të dhe Agjencitë e OKB’së janë përgjegjëse për sjelljen e virusit në Afrikë. Nigeria mbetet shembulli i vetëm që arriti ta menaxhoj krizën duke e mbajtur numrin e të infektuarve në 20 me vetëm 8 viktima, ndërsa vendet tjera që ishin objekt i përhapjes së dezinformatave patën një fat shumë më të keq, për shkak se ekipet e vetëdijesimit, testimit dhe trajtimit ka ndodhur që edhe janë sulmuar nga grupe të armatosura duke u akuzuar për shpërthimin e epidemisë.

Përderisa operacionet e dezinformimit do të përpiqen të lansojn informacione të pavërteta, të pamjaftueshme, informacione të vjetruara dhe dezinformata oportuniste me qëllim të arritjes së rezultateve të caktuara, të gjithë qytetarët duhet të jenë mjaftueshëm të informuar që të mos bien viktimë kampanjave të tilla. Dezinformimi nuk është keqinformim, pasi ai ka objektiva të caktuara dhe nuk vjen si pasojë e injorancës, por e eksploaton atë. Qytetarët duhet të injorojnë lajmet që keq-citojnë burimet, vijnë nga burime të dyshimta apo nuk kanë referencë për burimet fare. Thënë shkurt qytetarët duhet të injorojnë çdo informacion që nuk vjen nga autoritetet dhe personat kompetent. Mënyra më e mirë për tu informuar në këto kohë është duke shkuar direkt tek burimi i lajmeve, gjegjësisht tek deklaratat zyrtare të institucioneve dhe tek mediat serioze. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për implikimet potenciale të keqinformimit, dhe çdo lajm i dyshimtë që përpiqet të sfidojë masat e qeverisë lidhur me pandeminë të marra sipas ligjeve në fuqi, kërkon të injoroni apo i cilëson si të pavërteta e të pasakta masat e rekomanduara nga institucionet gjegjëse, duhet injoruar dhe raportuar tek organet e rendit.

Qeveria në anën tjetër duhet të jetë sa më transparente dhe të informoj qytetarin vazhdimisht lidhur me situatën, në mënyrë që mungesa e informacionit të mos kthehet në një armë që mund të përdoret për të hutuar, shkaktuar panik dhe mosbindje tek qytetarët. Poashtu institucionet përgjegjëse duhet informojnë qytetarin për të gjitha masat dhe rëndësinë e respektimit të tyre. Humbja e besimit në masat e rekomanduara nga qeveria do ta bënte më të vështirë menaxhimin e krizës dhe do rriste efektet negative të krizës.

Qeveria duhet të bashkëpunoj me mediat, institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë që të minimizojnë mundësitë për dezinformimin e qytetarëve, duke zhvilluar praktika të komunikimit dhe bashkëpunimit ndër-sektorial dhe në të njëjtën kohë të komunikimit me qytetarët. Me përkeqësimin e gjendjes dhe përhapjen e mëtutjeshme të koronavirusit do të rritet dhe intensiteti i kampanjës së dezinformimit, dhe qeveria duhet të bëjë kujdesin më të madh ta informoj qytetarin edhe për gjendjen në terren edhe për praktikat e dezinfomimit dhe efektet potenciale që mund të kenë ato. Informacioni i saktë që arrin tek qytetari përpara atij të pasaktë, është mënyra më e mirë për të garantuar rezultat të lartë të menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

(Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë