Loading…

Operacioni “fatal” i Rusisë në Ukrainë

  • Nga

  • DARDAN ISLAMI

  • 26/07/2022 | 16:00

Operacioni “fatal” i Rusisë në Ukrainë

Agresioni ushtarak në Ukrainë në fazën e tij të parë ishte një fiasko, sepse ky “operacion ushtarak” as përafërsisht nuk i arriti objektivat e veta ushtarake, fillimisht si pasojë e dështimit të inteligjencës e më vonë edhe të logjistikës. Humbjet kolosale të ushtrisë ruse nga armët perëndimore në fushëbetejë, e bëjnë këtë luftë që dita ditës t’i ngjajë më shumë luftës së shekullit të kaluar në Afganistan kur asokohe ushtria Sovjetike u thye dhe u tërhoq kokulur, me shumë humbje në personel dhe në teknikë luftarakë.


Shkruan: Dardan Islami

Afganët e zbathur dhe të armatosur lehtë, po e fitonin këtë luftë falë raketave Amerikane të krahut, “Stringer”, raketa këto tokë-ajër, që e ndërruan kursin e luftës atje. Edhe sot si para dyzet vitesh mitet për ushtrinë ruse po thyhen jo vetëm nga morali i lartë i ushtrisë Ukrainase, por janë përsëri armatimet moderne perëndimore ato që po e zbulojnë një Rusi të dobët ushtarakisht, me gjasa shumë të vogla reale për fitore ndaj Ukrainës, aq më pak në një përballje të mundshme me NATO-n.

Në fazën e dytë të operacionit Putin po ballafaqohet me shumë humbje dhe pak përparime në terren, ku duket se shkaktari kryesor i humbjeve mbetet mosfunksionimi i sistemit rus të mbrojtjes kundërajrore “S400” dhe i atij “Pantsir”, që nuk po arrijnë të inteceptojnë asnjë nga raketat amerikane “Himars”, raketa të cilat lirshëm po godasin caqet ruse.

Në pamundësi për të fituar territor si rezultat i dobët i strategjisë, teknikave dhe taktikave luftarake, Putin në këtë fazë ka zgjedhur artilerinë e rëndë, duke shkatërruar brutalisht qytete dhe vendbanime. Ai po kërkon rrugëdalje nga projeksionet e tij të dështuara, duke shantazhuar botën me përdorimin e armëve bërthamore, bllokadën e grurit, ndaljen e gazit dhe naftës, uri e kriza refugjatësh, të përcjellura me kaos e trazira në Evropën Perëndimore, me shpresë se kështu BE një ditë do të përçahet!

Koha kur Putin zgjodhi ta pushtojë Ukrainën ishte mirë e planifikuar, një moment ky i ligë për njerëzimin, moment kur Europa po rimëkëmbej nga efektet e tmerrshme ekonomike pas pandemisë, ai vendosi të sulmojë, duke shpresuar se ekonomitë perëndimore nuk do të jenë në gjendje t’i përballojnë pasojat e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, i bindur se BE edhe kësaj radhe do të jetë e butë në dënimin e agresionit rus, ashtu siç ishte në vitin 2014.

Edhe pse përpjekjet e tij në modernizimin dhe trajnimin e mirëfilltë të ushtrisë ruse, sot pas 20 viteve nuk po tregojnë sukses, metodat e luftës hibride gjithsesi se mbeten një armë e tij e fshehtë dhe e fuqishme, ato janë shumë aktive me ndikimin e tyre dashakeq në shumë procese, gjithandej Globit. Narrativi i krijuar tash e sa vite nga propaganda e sofistikuar ruse se “demokracia perëndimore është para shthurjes”, duke tentuar kështu ta manipulojë opinionin me fakte të deformuara, me gjysmë të vërteta, e shpeshherë edhe me gënjeshtra e konspiracione qesharake, pjesërisht i ka dhënë efektet e saj, por asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje se me çka duhet ta zëvendësohet demokracia liberale, kur dimë se autokracia ruse apo kineze nuk janë modele bindëse.

Pra narrativi se ky rend botëror nuk po funksionon, sepse Rusia nuk njihet si superfuqi nga Perëndimi, dhe se NATO është agresore sepse ka bombarduar Serbinë, ku harrojnë të përmendin se ushtria serbe në Bosnje dhe Kosovë po kryente prej vitesh spastrim etnik dhe gjenocid, kur përmendin invazionin në Irak më 2003, sërish harrojnë të përmendin se Sadami kishte pushtuar Kuvajtin më 1990 dhe se trupat Amerikane kishin zbarkuar atje me ftesë të Kuvajtit, por edhe në rastin e pushtimit të Afganistanit, ku përsëri harrojnë të përmendin se Talibanët po i bënin konak Bin Ladenit dhe Al-Kaidës, një rrjeti global të terrorit që goditi kullat binjake në Nju Jork. Harrojnë të përmendin se Sllobodan Millosheviqi, Sadam Huseini, dhe Mulla Omari ishin vrasës. As skeptikët më të mëdhenj nuk do të besonin se Putin do të futej në Ukrainë në një konflikt të panevojshëm, se do ta izolonte dhe dobësonte Rusinë, dhe se do ta unifikonte dhe zgjeronte NATO-n.

Dikur një shahist i mirë, Putin sot është shndërruar në një gjeneral të dëshpëruar i një ushtrie të lodhur, pengmarrës i një shteti paqësor fqinj, duke e udhëhequr personalisht luftën dhe duke i ndërruar vazhdimisht objektivat. Në fazën e tretë të kësaj ekspedite, forcat ruse po rigrupohen me qëllim të një ofensive në jug e mbase edhe në veri drejt Kievit nga Bjellorusia, gjersa Ukrainasit nga mbrojtja kanë filluar me kundërsulme. Epilogun, numrin e viktimave dhe kohëzgjatjen e kësaj lufte mbase tash për tash nuk e di askush, por Putin si duket akoma vazhdon ta besojë propagandën e vet, “se Perëndimi është dobësuar dhe se Rusia është e fortë”?

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë