Loading…

Opozita edhe me një përpjekje për Trustin, pushteti s’ka ndryshuar qëndrim

  • 17/01/2023 | 20:36

Opozita edhe me një përpjekje për Trustin, pushteti s’ka ndryshuar qëndrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten e 19 janarit do të vendosin nëse qytetarëve do t’u mundësohet tërheqja e deri në 30 për qind e mjeteve financiare nga Trusti Pensional.


Një praktikë e tillë ishte zbatuar në vitin 2020 gjatë kohës sa vendi drejtohej prej Avdullah Hotit – qytetarët kishin tërhequr 10 për qind të mjeteve të kursyera në Trust.

Përpjekja që kjo të përsëritet gati dy vite më pas – dështoi, më 24 mars 2022 kur Kuvendi nuk ia dha dritën jeshile projektligjit për Trustin. Kjo ide nuk vdiq, nga ajo kohë iniciativa qytetare vazhdoi aktivitetin dhe u diskutua sërish në Kuvend.

Lidhur me këtë nisi edhe një peticion që deri më tash ka grumbulluar mbi 17 mijë nënshkrime, tregon për Gazetën Express, Adnan Jashari.

Jashari që ka iniciuar peticionin thotë së pret nga deputetët e Kosovës të reflektojnë, pra të votojnë në favor të tërheqjes nga Trusti.

“Ne shpresojmë që të votohet dhe nuk kemi mendim çka pastaj sepse qytetarët do ta shprehin revoltën e tyre dhe më pas do të shohim cilat do të jenë veprimet tona”, ka thënë ai.

E ideatori i kësaj ideje në radhët e legjislativit, Bekim Haxhiu, nuk dëshiron as të mendojë se projektligji nuk do të kalojë.

Thotë se është paragjykim të thuhet se “projektligji nuk do të votohet”.

Në një prononcim për Gazetën Express, Haxhiu ka deklaruar se ka edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që do ta dëgjojnë kërkesën qytetare – ta votojnë trustin.

“Nuk mund të flas në emrin e atyre deputetëve, por ka edhe prej atyre që janë deklaruar pro votimit”, ka thënë Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dhënë asnjë sinjal që e ka ndryshuar qëndrimin për këtë temë.

Madje kreu i kësaj partie, kryeministri Albin Kurti në qershor ishte marrë personalisht me Bekim Haxhiun.

Teksa po flitej sërish në Kuvend për trustin, Kurti i kishte thënë Haxhiut se ai nuk është ekonomist për t’u marrë me këtë punë.

“Çështja e financave shtetërore, çështja e të ardhmes në ekonomi e ka një dimension të fuqishëm profesional, duhen shumë eksperta e ekonomista që të konsultohen para se të thuash diçka, sepse vetëm duke folur bën dëm e lërë duke bërë. Prandaj dua të di se kënd e ke konsultuar për këtë, sepse nuk je i fushës. Unë do të vijë këtu në seancë edhe me respektin më të madh do t’ju dëgjoj atëherë kur për shembull ju ta merrni nismën e projektligjin për masazh, ama projektligjin për Trust s’ka kurrfarë kuptimi kjo punë”, kishte thënë Kurti më 23 qershor në Kuvendin e Kosovës.

Një deklaratë e tillë e Kurtit ishte cilësuar ”arrogancë e kryeministrit“, por të njëjtën edhe tash po e thotë Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Tahiri thotë se argumenti i pushtetit që tërheqja e trustit nuk e ndihmon shumicën e shoqërisë është “arrogance”.

Ka paralajmëruar edhe veprime ligjore nëse trusti nuk kalon në Kuvend, pasnesër.

“Vota pro trustit prej Kuvendit të Kosovës në këto rrethana është votë e njerëzve në nevojë, unë pres nga shumica parlamentare që deri të enjten të reflektojë sepse përndryshe kjo qeveri është duke vepruar kundër popullit të Kosovës me votën që e ka marrë nga populli”, ka thënë Tahiri. “Ne do t’i shohim të gjitha mundësitë tjera qofshin ato të inicimit ligjor, qofshin ato të organizimit me të gjitha organizatat politike”.

Projektligji për trustin

Projektligji ka ardhur si rezultat i iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Saktësisht, deputeti Bekim Haxhiu e ka shtyrë këtë cështje

Ky projektligj nuk e parasheh tërheqjen e 30 për qind të trustit për të gjitha kategoritë shoqërore, pa dallim.

Kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kontribute pensionale do të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve.

E ata që kanë deri në 20 mijë deri në 30 mijë euro, s’mund të marrin më shumë sesa 25 për qind të mjeteve të tyre. Ndërkaq, kategoria e pasur – që kanë mbi 30 mijë euro marrin 15 për qind të trustit.

Më pak do të kenë në dispozicion të tërheqin ata që në trust llogaritet t’i kenë mbi 40 mijë euro – vetëm 10 për qind tërheqja.

Kosova e ka praktikuar këtë politikë

Ka qenë viti 2020 kur vendi po përballej me krizë ekonomike shkak i masave izoluese të Qeverisë për shkak të rrezikut nga pandemia COVID-19. Për ta zbutur krizën, ekzekutivi që atëherë drejtohej nga Avdullah Hoti kishte vendosur që Trustin ta vë në dispozicion të qytetarëve – duke e lejuar tërheqjen e 10 për qind të mjeteve për të gjithë.

Mbi 427 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për t’i mundësuar ekonomisë qarkullimin e një kapitali prej 198 milionë eurosh.

Kjo politikë sipas Institutit GAP ka ndikuar 40 për qind në rritjen ekonomike të vitit 2021 që ishte me numra dyshifrore.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit, e llogaritur në muajin mars të vitit 2022, në krahasim me marsin e vitit 2021, ka qenë 10 për qind.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë