Dy krerët e partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë takuar sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin kanë diskutuar për situatën e krijuar në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Pas takimit, dy liderët refuzuan të flisnin për media, por nëpërmjet Facebookut të dy ndanë detaje nga takimi i tyre i përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
I pari i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se janë informuar nga Kurti për gjendjen aktuale në veri dhe se ka kërkuar nga kryeministri të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së policëve dhe zyrtarëve tjerë.
Krasniqi më tutje ka thënë se është e nevojshme koordinimi me partnerët ndërkombëtare, veçanërisht SHBA’të, BE’në dhe KFOR’in, derisa ka thënë se zbatimi i ligjshmërisë në Kosovë është obligim kushtetues.
“Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa. Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim. Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”, ka shkruar ai.
Edhe kreu i LDK’së Abdixhiku ka thënë se i ka shprehur mbështetjen Kurtit për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e policisë. Ai ka kërkuar nga Krti koordinim të plotë me SHBA’të dhe BE’në dhe ky koordinim të bëhet menjëherë.
Tutje ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin t’i durojë tensionet në vendin e vet.
Të dashur qytetetarë, Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti. Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial. Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet. Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.
E në anën tjetër, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka shkuar në ora 09:00 në zyrën e Kurtit por nuk e ka gjetur aty.
Ai shton se takimi duhej të ishte informativ, ndërsa qëndrimin i tij për veriun thotë se është i njëjti pavarësisht nëse Kurti i shkon në takim ose jo.
“I jam përgjigjur kërkesës për takim me Kryeministrin në orën 9 dhe unë në këtë orë isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty! Takimi do të duhej të ishte informativ për situatën e sigurisë në veri. Qëndrimi im për situatën në veri është i qartë dhe ai nuk ndryshon kurrë, pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo! Kosova duhet të mbrohet edhe me jetë. Gjithmonë me mbrojtësit e Kosovës! Unë kam qenë dhe jam në Kosovë dhe për Kosovën në çdo kohë dhe situatë. Koordinimi me aleatët tanë duhet të jetë i përhershëm! RH”, ka shkruar Haradinaj.
Gjendja e tensionuar në veri duket se ka bërë bashkë krerët e partive politike në Kosovë, pozitë e opozitë për të qenë unik në qëndrimet e tyre dhe veprimet që do të ndërmerren në atë pjesë të Kosovës.
Ndërkohë sot po vazhdon dita e shtatë e bllokadave në Jarinje dhe Bërnjak ku policia e Kosovës po e monitoron dhe aplikon masën e reciprocitetit për targat, nën zhurmën e përhershme të protestusve atje dhe nën vështirësitë e krijuara nga barrikadat që i kanë vendosur serbët.
Gjithashtu, shteti serb ka provokuar Kosovën duke e afruar ushtrinë afër kufirit dhe duke lëvizur me mjete ushtarake ajrore mbi qiellin e Kosovës disa ditë me radhë.
Bashkësia Ndërkombëtare ka bërë thirrje unike për deeskalim të situatës në veri të Kosovës, ndërsa thonë se dialogu midis dy vendeve është e vetmja rrugë përpara në këtë temë.
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, qëndrimet janë të definuara. Kosova kërkon nga Serbia t’i njohë targt ‘RKS’ në mënyrë që Kosova t’i njoh ato të Serbisë, ndërsa për presidentin serb Aleksander Vucic kjo nënkupton njohje e pavarësisë së Kosovës.
Aktualisht, palët qëndrojnë në mospajtim, ndërsa akterë të rëndësishëm kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe rikthim në procesin e dialogut si e vetmja mundësi e zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe të pambyllura midis Kosovës dhe Serbisë. /gazetametro.net