Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë. Mirëpo, në replikat e opozitës, kryesisht nga liderët e partive opozitare, po vënë në dyshim guximin e Kurtit për t’u ballafaquar me Serbinë në Bruksel, shkruan Gazeta Metro.
Kurti foli për disa nga marrëveshjet e arritura më herët, për të cilat pati shumë kritika.
“Dokumenti fillon me paraqitjen e kornizave në të cilat ka filluar procesi i dialogut. Pastaj listohen marrëveshjet e arritura në fazën e dialogut të quajtur teknik, dhe në atë politik. Gjatë këtyre dy fazave janë nënshkruar një sër dokumentesh që jo-domosdoshmërisht burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që rregullon”, ka thënë ai.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Enver Hoxhaj, U.d. i kryetarit të PDK’së i cili ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij rreth dialogut.
Ai ka thënë se në vend që Kurti të vie në Kuvend për të raportuar për planin e tij rreth dialogut, ai ka ardhur që të akuzojë Qeveritë e kaluara.
Hoxhaj ka ironizuar me seancën duke e cilësuar si ‘shkollë verore’, ndërsa Kurtit i ka uruar mirëseardhje në këtë ‘seminar’.
“Z.Kurti keni pasur një prezantim të shkëlqyeshëm, ujin e keni pa gaz, kafen e keni pa pare, mirë se keni ardhur në këtë seminar. E dëgjova me shumë vëmendje prezantimin e Kurtit, dhe kam menduar se një kryeministër që ka marrë 50% të votave, do të vinte këtu të flisnim për dialogun, ndërsa mënyra si ka folur për dialogun ky sot, quhet sharlatanizëm”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, ai ka thënë se Kurti nuk është i përgatitur politikisht për dialogun Kosovë-Serbi.
“Pritja ime ka qenë që sot, ne do të flasim për dialogun ku kryeministri do të sjellte temat, afatet dhe do të diskutohej rreth këtyre temave. Sot pasi që e dëgjova kryeministrin, qytetarët duhet ta dijnë se dialogu nuk është i përgatitur politikisht fare. Nuk është i përgatitur as në rrafshin diplomatik, Kurti duhej të tregonte se sa letra i ka quar para se të shkojë në Bruksel. Çfarë keni marrë ju, janë raporte të Edita Tahirit… Besnik Bislimi vitin e kaluar ka qenë këtu ekspert financiar, tash është ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare, krejt çfarë mund të them është ‘Bravo dajë, ke avancuar në karrierë’”, ka thënë Hoxhaj.
Për qasjen e Kurtit ndaj dialogut, kritikat nuk kanë munguar as nga partia tjetër opozitare LDK, kryetari i së cilës ka thënë se Kurti po shkon në Bruksel pa asnjë kusht, për çfarë më herët i kishte akuzuar Qeveritë e kaluara.
Kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, duke i thënë se tash nuk është opozitë, dhe të sillet si opozitë, shkruan Gazeta Metro.
Abdixhiku i tha Kurtit të reflektojë sepse tash nuk është opozitë, dhe të fillojë të flas si një kryeministër dhe të mos mirret vetëm me të shkuarën.
Abdixhiku në seancën ku po diskutohet për dialogun, tha se diskutimi para shkuarjes në dialog është praktikë që duhet mbajtur, sepse dialogu kalon nëpër Kuvend.
“Diskutimi në Kuvend para shkuarjes në dialog është praktikë që duhet mbajtur dhe mirëmbajtur, transparenca në sy të të zjgehdurve të popullit është domosdoshmëri e sidomos dialogu duhet të kalojë nëpr Kuvend”, ka thënë ai.
Abdixhiku tha se Kurti duhet të flet për atë se cka do të bëjë, e jo atë se cka kanë bërë të tjerët.
“Kryeministri duhet të raportojë mbi raundin e ri dialogues, ku ai këtë të marte është pjesë. Ky cfarë do të bëjë, cka ka ndodhur e dijjmë, po ky cka do të bëjë. Nuk je më opozitar z.Kurti, je njeriu që I ke krejt, trego cka do të bësh, nga 25 minuta fjalim, 24 i pate për të shkuarën, vetëm një atë se cka do të bësh. Përgjigjësia juaj është morali, për qëndrimet që I keni pas dikur e që I keni tani, ka një transformim tuaj”, tha Abdixhiku.
“Tash në petkun e ri prej pushtetarit, me siguri ke arritur të kuptosh një gjë ose dy, obligimeve nuk duhet të ju ikësh, mos ki frikë, do të ju gjykoja nëse keni frikë nga ballafaqimi. Po të gjykojmë se ke ndryshuar radikalisht në secilën kauzë”, tha ai.
Ndërsa, i pari i AAK’së Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti të mos ketë frikë të ballafaqohet. Ai e quajti momentin e raportimit të kryeministrit si shumë të rëndësishëm për Kosovën derisa vuri në pikëpyetje kredibilitetin e kryeministrit Kurti.
“Pse kryeministri ynë po ikë e po i fshehet Amerikës? Është e habitshme kur ish kryeministri i lajmëron marrëveshjet e mëhershme dhe thotë se krejt çka ka mbetë është njohja reciproke. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit të Amerikës – me i kërku një të ngarkuar special, një emisar special, për njohjen reciproke?” – pyeti Haradinaj.
Haradinaj deklaroi se Joe Biden është i lidhur me çështjen shqiptare dhe është e pakuptimshme t’i kërkohet ndihma.
“Pse nuk po guxojmë t’i kërkojmë Amerikës rolin e vet që i takon në këtë çështje duke e ditë se çështjet e mëdhaja nuk kryhen pa Amerikën? Duhet të mendojmë të gjithë pse nuk po i shkruajmë për çështjen e statusit final? Nëse ne frikësohemi prej këtij presidenti të amerikës, si do të presim prej një presidenti të ardhshëm. Nuk besoj që një shqiptar ka arsye me u frikësu prej presidentit Biden. Pse? Pse? Pse? Ka diçka që jep pikëpyetje.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vucic do të takohen në Bruksel më 15 qershor./gazetametro.net