Loading…

Organizata “QIKA” kërkon shkarkimin e gjyqtares e cila dënoi me 8 muaj burgim dhunuesin e 15 vjeçares në Gjakovë

  • 25/10/2021 | 16:07

Organizata “QIKA” kërkon shkarkimin e gjyqtares e cila dënoi me 8 muaj burgim dhunuesin e 15 vjeçares në Gjakovë

Organizata Qika ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares Florije Zatriqi pas marrjes së vendimit për dënimin me 8 muaj burgim të personit që dhunoi një 15 vjeçare në Gjakovë.


Sipas kësaj organizate, ndaj gjykatëses Florije Zatriqi duhet të zhvillohet procedurë disiplinore dhe në bazë përfundimeve të procesit t’i jepet masa disiplinore e merituar që konsiderojmë se duhet të jetë shkarkimi.

“Asnjë nga rrethanat që gjyqtarja i ka konsideruar si lehtësuese nuk e arsyetojnë dhe nuk e bëjnë të ligjshëm zbutjen e dënimit në 8 muaj burgim. Kjo është në shpërputhje të plotë me Kodin Penal të Kosovës. Sipas Kodit Penal zbutja e dënimit në raste të rrethanave posaçërisht lehtësuese për vepra penale që dënohen me së paku 5 vite, si në këtë rast, do të mund të shkonte deri në 3 vjet burgim. Pra, assesi nuk arsyetohet dënimi i dhunuesit me 8 muaj e 8 ditë burgim”, thuhet në reagim

Reagimi i plotë:

Me shqetësim kemi përcjellë raportimin e Kallxo.com për rastin e vendimit të gjyqtares së Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi, e cila ka dënuar një person të akuzuar për dhunimin e një 15 vjeçareje me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Sipas Kodit Penal të Kosovës dënimi për dhunim në rastin kur viktima është i/e mitur parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim. Prandaj, ndaj gjykatëses Florije Zatriqi duhet të zhvillohet procedurë disiplinore dhe në bazë përfundimeve të procesit t’i jepet masa disiplinore e merituar që konsiderojmë se duhet të jetë shkarkimi.

Këtë vendim gjyqtarja e ka arsyetuar duke përdorur interpretime si “ai kishe pasur sjellje korrekte, kishe shprehur keqardhje e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21 vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite”. Secila nga këto rrethana janë arsye që përdoren shumë shpesh për të arsyetuar dhe legjitimuar dhunën ndaj grave.

Gjykata është dashur ta vë theksin në mënyrën e kryerjes së veprës penale – me kanosje serioze duke përdorur thikën, është dashur të marrë parasysh moshën e re të viktimës 15 vjeçe dhe faktin sesi e tillë është viktimë posaçërisht e ndjeshme dhe është dashur ta shfrytëzojë këtë rast për t’ia përçuar të gjithë dhunuesve potencial të grave e vajzave një mesazh të qartë se veprime të tilla janë të papranueshme dhe ndëshkohen ashpër. Duke injoruar të gjitha këto, e duke u përqendruar në rrethana aspak lehtësuese si sjellja korrekte, mungesa e lëndimeve, fakti se dhunuesi është prind e ka fëmijë dhe se ka kaluar kohë e gjatë që nga dhunimi, gjykatësja ka nxjerrë vendim që e dehumanizon viktimën dhe e diskriminon atë në bazë të gjinisë. Për më keq, ky dënim i ulët dhe i paligjshëm dekurajon vajzat dhe gratë t’i raportojnë dhunimet seksuale dhe sulmet tjera ndaj integritetit të tyre seksual.

Asnjë nga rrethanat që gjyqtarja i ka konsideruar si lehtësuese nuk e arsyetojnë dhe nuk e bëjnë të ligjshëm zbutjen e dënimit në 8 muaj burgim. Kjo është në shpërputhje të plotë me Kodin Penal të Kosovës. Sipas Kodit Penal zbutja e dënimit në raste të rrethanave posaçërisht lehtësuese për vepra penale që dënohen me së paku 5 vite, si në këtë rast, do të mund të shkonte deri në 3 vjet burgim. Pra, assesi nuk arsyetohet dënimi i dhunuesit me 8 muaj e 8 ditë burgim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet urgjentisht të tregojë për publikun se cilat janë masat që do të ndërmerren (ose që janë ndërmarrë) ndaj gjyqtares së rastit.

Ky vendim është shkelje e të drejtës elementare të viktimës për proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor andaj në asnjë mënyrë nuk do të pranohet. Gjyqtarja e rastit duhet të shkarkohet!

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë