Loading…

Origjina e krizës së pagjumësisë në “Njëqind vjet vetmi”

  • 07/08/2020 | 22:03

Origjina e krizës së pagjumësisë në “Njëqind vjet vetmi”

Gabriel Garcia Marquez është intervistuar në studio-zyrën e tij, matanë shtëpisë së tij, në Angel inn. Intervistuesi, Peter H. Stone, tregon se si kur Marquezi flet s’i zihet vendi vend.

Ndër të tjera, ai u pyet edhe për origjinën e krizës së pagjumësisë në librin e tij “Njëqind vjet vetmi”.

Stone: Cila ishte origjina e krizës së pagjumësisë në “Njëqind vjet vetmi”?

Marquez: Duke nisur që me Edipin, gjithnjë kam qenë i interesuar të merrem me gjëra të kësaj natyre. Kam studiuar shumë për punën e të zezave të mesjetës. Një prej librave më të preferuar për mua është “Ditari i vitit të zi” i Daniel Defoes, në mesin e shumë arsyeve edhe pse Defoe është një gazetar që ajo çfarë thotë, tingëllon si fantazi e pastër. Për shumë vite me radhë ma ka marrë mendja se ai ka shkraur për zinë e Londrës si e kishte vrojtuar vetë. Të zezat gjithnjë kanë qenë një prej temave të mia të përsëritura – dhe në forma të ndryshme. Shumë kohë kam menduar se dhuna politike në Kolumbi kishte të njëjtën metafizikë si hatatë. Para “Njëqind vjet vetmi” kisha përdorur një hata për të mbytur të gjithë zogjtë në një tregim të titulluar “Pas së shtunës”. Në “Njëqind vjet vetmi” përdora pagjumësinë si marifet letrar, meqë është e kundërta e krizës së gjumit. Fundja, letërsia është si puna e zdrukthëtarit.

Stone: A mund ta shtjelloni pak këtë analogji?

Marquez: Të dyja janë punë të rënda. Të shkruash është e zorshme sikur puna e gdhendjes së një tryeze. Në të dy rastet keni punë me realitet, si një material i ashpër sa druri. Të dy zanatet kërkojnë marifete dhe teknika të ndryshme. E në thelb kërkohet mund i madh e pak magji. Dhe siç ka thënë edhe Prousti, kërkon dhjetë përqind frymëzim dhe nëntëdhjetë përqind djersitje. Unë asnjëherë nuk kam bërë punën e zdrukthëtarit, por është zanati që e çmoj më së shumti, në mënyrë të veçantë për shkak se askush nuk e kryen këtë punë për hatër tëndin.

Stone: Po puna e etheve të bananeve në “Njëqind vjet vetmi”? Sa është bazuar në atë që kishte bërë kompania “United Fruit”?

Marquez: Ethet e bananeve janë modeluar sipas realitetit. Unë vetëm kam përdorur ca dredhi për gjërat që nuk janë provuar asnjëherë. Ta zëmë, masakra në shesh është plotësisht e vërtetë, por derisa po e shkruaja bazuar në dëshmi dhe dokumente, asnjëherë nuk u mor vesh sa njerëz saktësisht ishin vrarë. Kam përdorur shifrën prej tre mijë, që është një ekzagjerim i dukshëm. Por një prej kujtimeve të mia ishte vështrimi i një treni të gjatë, shumë të gjatë, që po largohej prej plantacionit me supozimin që ishte ngarkuar me banane. Mund të kenë qenë tre mijë të vdekur në të, e të cilët mund të jenë hedhur në det.

Më të fundit
...
  • 29/09/2020 | 22:57
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë