Loading…

Osmani tenton ta diskreditojë Dakën dhe sulmon BE’në: Unë jam autoritet emërues dhe shkarkues

  • 20/10/2021 | 18:21

Osmani tenton ta diskreditojë Dakën dhe sulmon BE’në: Unë jam autoritet emërues dhe shkarkues

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur sot konferencë për media në të cilën ka sulmuar dhe ka tentuar ta diskreditojë ish-kryesuesen e KQZ-së, Valdete Daka.

Kjo pasi që një raport preliminar i BE-së konstatoi se Osmani ka bërë shkelje ligjore në rastin e shkarkimit të Dakës, shkruan lajmi.net.

Osmani ka tentuar që përmes kësaj konference për media të diskreditojë punën e Dakës në KQZ, e cila nga shoqëria civile dhe nga gjendja faktike në terren, ishte vlerësuar gjithëherë me notë maksimale.

Osmani madje ka thënë se këta vëzhgues të BE-së kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ani pse ishte vet ajo që kishte kërkuar angazhimin e tyre.

“Jam shumë e kënaqur që zgjedhjet e 17 tetorit janë cilësuar si më të mirat dhe më demokratiket në rajon. Ky është lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës dhe tregon nivelin e maturisë dhe demokracisë që ka vendi ynë. Tejet e lumtur që vlerësimi për punën e KQZ-së aktuale është tejet pozitiv, për dallim nga raporti i kaluar përfundimtar i këtij misioni i cili për zgjedhjet 14 shkurtit konstanonte se KQZ në disa raste ka lejuar trajtim të pabarabartë të votuesve, ka pasur tejkalim të kompetencave nga ish-kryesuesja duke tentuar të diktohet puna e PZAP-së dhe ka pasur kufizim të së drejtës për zgjidhje efektive përmes shkurtimit të afatit për ankimim”, ka thënë Osmani.

Presidentja tutje ka thënë se sipas saj, ka pasur përmirësim të dukshëm të punës së KQZ-së nën udhëheqjen e kryesuesit të ri, Kreshnik Radoniqi.

“Problemi i parë qëndron në faktin se ndërprerja e këtij mandati s’ka të bëj me procesin zgjedhor të 17 tetorit. Pra, edhe vëzhgimi i një veprimi të tillë që është bërë para se të shpallen zgjedhjet e 17 tetorit është tërësisht jashtë mandatit të këtij ekipi Teknik sa i përket konstatimeve preliminare. Ka pasur pra përmirësim të dukshëm në punën e KQZ-së”, ka thënë ai.

Mirëpo presidentja nuk u ndal me kaq. Ajo tha se vendimet e saja nuk duhet t’i kontestojë BE-ja dhe asnjë organ tjetër përpos gjykatave kompetente.

Madje siç u shpreh, ajo është vet “autoritet emërues dhe shkarkues”.

“Më lejoni të jem e qartë që interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetencë e gjykatave komptente dhe jo misioneve që të jepin deklarata të tilla. Legjislacioni parasheh që presidentja është autoritet kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së si dhe për ndërprerjen e mandatit të saj. Pra presidentja është autoriteti emërues dhe shkarkues dhe që bën vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave. Rezultati po shihet tashmë që është pozitiv me një udhëheqje apolitike”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, vëzhguesit e BE-së dje në një raport preliminar konstatuan se presidentja Osmani ka bërë shkelje ligjore kur ka shkarkuar Valdete Dakën.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhet në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Menjëherë pas kësaj, ish-kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë për lajmi.net se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për vendimin e Osmanit, që përfshinë edhe dërgimin në Kushtetuese.

Ndaj paralajmërimit të saj u përgjigj sot Vjosa Osmani, e cila nxitoi ta cilësonte menjëherë si kërcënim, të atillë që atë “nuk do ta ndalë”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë