Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, vlerësoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka arritur të paraqesë asnjë investim apo nismë të rëndësishme që, sipas tij, ka sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët, transmeton Gazeta Metro.
Duke komentuar intervistën e fundit të Kurtit, Hoti tha se kreu i Vetëvendosjes nuk dha përgjigje konkrete kur u pyet për projektet kryesore të mandatit të tij.
“Gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohen pas gjithë këtyre viteve në pushtet. Përgjigjja ishte zbuluese për qeverisjen e tij të zbrazët, por edhe dëshpëruese: nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz dhe madhor që ka ndryshuar jetën e qytetarëve. Rrjedhimisht, u kthye te zanati i tij i vetëm prej se është në politikë: propaganda, mashtrimi dhe fajësimi i të tjerëve. Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime”, ka shkruar ai.
Më tej, Hoti ngriti shqetësime për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike gjatë qeverisjes aktuale, duke përmendur tenderët me një operator dhe procedurat e negociuara, për të cilat tha se kanë ngjallur debat publik.
“Por propaganda nuk mund t’i fsheh milionat e shpërndara me tenderë njëburimorë. Nuk i arsyeton kontratat e negocuara në ËhatsApp. Nuk i zhduk dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike. Vetëm gjatë vitit 2025, Auditori i Përgjithshëm ka referuar 80 lëndë në Prokurori bazuar në gjetjet e auditimeve në institucione të ndryshme. Koha e propagandës po mbaron. Koha e llogaridhënies po afrohet. Dhe për dallim nga konferencat për shtyp, para ligjit nuk mjafton propaganda”, shkroi ai./gazetametro.net