Loading…

Pa UÇK’në, ne nuk mund të hyjmë në Europë

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 14/08/2020 | 16:06

Pa UÇK’në, ne nuk mund të hyjmë në Europë

UÇK-ja është vlerë e qytetërimit evropian. Në të vërtetë, UÇK-ja është vlerë e qytetërimit perëndimor në përgjithësi. A kam të drejtë të konstatoj kështu? Kur kah fundi i shekullit të kaluar interesat gjeopolitike ruse janë konsoliduar për ta mbrojtur Jugosllavinë nga shpërbërja, si kusht i shtrirjes dhe rikthimit të tyre në Ballkan, përmes unitarizmit jugosllav të Millosheviqit, shqiptarët janë rreshtuar kundër këtij projekti.


Shkruan Faton Abdullahu

Faza më e lartë dhe më bindëse e këtij rreshtimi të shqiptarëve ka qenë përgjigja me luftë, konkretisht, lufta e UÇK-së (natyrisht edhe e UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni). Shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë mundur ta bëjnë këtë pa luftë siç e bënë polakët me ‘Solidarnostin’ dhe Leh Valensën, as si çekët me Vacllav Havellin, bile as si rumunët me vrasjen kryetarit të tyre Qausheskut. Është dashur edhe një hap tutje. Është dashur të bëhet lufta për liri me armë në dorë, sepse kishim të bënim me një shtet që ofronte vetëm robëri me dhunë. Jugosllavia kurrë nuk ka qenë shtet demokratik. Ajo i ka bërë ballë shumë epokave dhe ndryshimeve, por jo demokracisë. Thjesht, Jugosllavinë e ka shpërbë liberal demokracia evro-perëndimore.

Si askund në Evropën Lindore, kjo nuk ka mundur të ndodh pa luftë. Kundër interesave ruse në Ballkan, kundër Millosheviqit si vazhdim i këtyre interesave, në anën tjetër, për liberal demokracinë perëndimore dhe për gjeopolitikën evro-atlantike, ka dal UÇK-ja me pushkë në dorë. Ashtu si dikur Skënderbeu i cili ju priu shqiptarëve me shpatë në dorë, për lirinë e tyre dhe e mbrojti Evropën duke ndalur hyrjen e osmanëve në kontinent, ashtu edhe UÇK- ja doli për lirinë e shqiptarëve dhe kundër interesave anti-evropiane ruso-serbe, në këtë rajon të Evropës. Prandaj, Skënderbeu është çmuar gjithmonë nga Evropa dhe krejt perëndimorët, për të njëjtën arsye kështu duhet ta çmojnë evropianët, perëndimorët në përgjithësi dhe konkretisht amerikanët, UÇK-në edhe sot.

Çfarë nuk po kuptojnë perëndimorët sot në Kosovë?

Një rreshtim i tillë pro-evropian, përgjithësisht pro-perëndimor, nuk do të mund të bëhej në atë përmasë dhe në atë mënyrë sikundër është bërë me luftë, nëse UÇK nuk do të mbështetej tek themelet nacionale, tek vlerat shqiptare, thjeshtë tek shqiptarizmi. Ne jemi evropianë, sepse jemi shqiptarë. Mbrojtja e vlerave shqiptare ka qenë pasaportë për të mbetur në Evropë e nëse na kanë nxjerrë prej aty, për t’u rikthyer në te. Duke luftuar për lirinë tonë, në të njëjtën kohë ne e kemi mbrojt edhe Evropën dhe vlerat e sajë. Të qenurit shqiptarë, na ka bërë evropian dhe pjesë të qytetërimit perëndimor. Sa më shumë jemi shqiptarë, aq më shumë mbesim evro-perëndimor, dhe e kundërta. Në historinë e tyre, shqiptarët për ta fituar lirinë, pothuajse kurrë nuk u është dashur të luftojnë gjatë kundër ndonjë force, vendi apo shteti perëndimor. Mirëpo, këtë luftë për liri nacionale të shpeshtën e kanë bërë kundër vendeve që nuk i takojnë qytetërimit perëndimor, kundër tyre kemi luftuar gjatë dhe shumë.

Kështu ka ndodhur edhe me luftën e fundit. Ne luftuam kundër shtrirjes ruse në Ballkan, dhe derdhëm gjakun për këtë. Kundër regjimit unitar millosheviqian që ishte për Jugosllavi unitare dhe në koordinim me interesat ruse në këtë pjesë të Evropës. Këtë e bëmë si shqiptarë. Kjo na riktheu në Evropë, në aleancën gjeo-atlantike dhe kjo meritë i takon UÇK-së. Kush nuk e kupton drejtë këtë histori lufte, nuk e kupton këtë padrejtësi në paqe që ju bë dje UÇK-së në Kuvendin e Kosovës. Ka dy gjëra të cilat si duket nuk shkojnë bashkë sot në Kosovë, në të vërtetë nuk shkojnë bashkë si duhet që nga përfundimi i luftës. Vlerat e luftës dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet juridikisht shteti i Kosovës. E para vlerë është identiteti shqiptar, përkatësisht shqiptarizma si themel, e dyta multietniciteti dhe qytetaria si parime juridike dhe kushtetuese. Kjo diskrepancë duhet të tejkalohet. Deri më sot, kjo nuk ka ndodh, bile as që është kuptuar dhe shpjeguar drejtë si fenomen unik. Përndryshe insistimi me çdo kusht, që ato të mbahen ndaras si dy vlera, që nuk mund të bashkëjetojnë në Kosovë e fshin pashmangshëm deri në përjashtim dhe tëhuajsim historinë tonë kombëtare, bashkë me këtë edhe vlerat e luftës së fundit dhe për më keq identitetin e të qenurit shqiptar e vë në rrezik të vazhdueshëm sepse e konsideron të papërshtatshëm juridikisht. Si?

Amerikanët dhe UÇK-ja

Po ja për shembull, asnjë hero apo dëshmor i UÇK-së, dje, nuk është i përshtatshëm për rregullimin juridiko-shtetëror të Kosovës sot. Por, ne sot nuk kemi asnjë hero apo dëshmor për Kosovën multi-etnike të pranueshëm për Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e saja. Prandaj, sot asnjëri prej heronjve të UÇK-së nuk është në foajet dhe hapësirat tjera të Kuvendit të Kosovës. Kjo anomali politike, kulturore dhe shtetërore, duhet disi të tejkalohet, duhet të gjendet një formulë, gjithsesi unike por funksionale dhe për këtë mirëkuptim duhet të kenë në radhë të parë perëndimorët, sidomos ShBA-në. Pse? Sepse ata në rend të parë duhet ta kuptojnë se, nëse edhe juridikisht edhe me parime kushtetuese nuk përkrahen vlerat e luftës së fundit në Kosovë, ne gradualisht dhe në heshtja do ta dëmtojmë identitetin shqiptar. Në anën tjetër, pa identitet të mirëfilltë shqiptar ne në Kosovë, nuk mund të mbesim as të bëhemi sa e si duhet evropian, as perëndimor. Pa e kultivuar vazhdueshëm dhe përmbajtësisht identitetin tonë shqiptar, ne nuk mund të jemi pjesë aktive dhe kreative e interesave gjeopolitike evro-atlantike. Pa e kultivuar vazhdueshëm dhe përmbajtësisht identitetin tonë shqiptar, nuk mund të jetë e qëndrueshme as hapësira që e popullojmë ne në Ballkan e ku amerikanët ankorojnë interesat e tyre. Perëndimorët në përgjithësi e amerikanët në veçanti, duhet ta kuptojnë se me vlerat e luftës së fundit ne kemi bërë kthesën e domosdoshme historike për t’u rikthyer në Evropë. Pa ato vlera, ne sot nuk mund të hyjmë në BE. Ose shtruar ndryshe problemin, që të kuptohet edhe më mirë. Sot, ne nuk mund të konsolidohemi, as bëhemi unik, nëse nuk mbështetemi tek identiteti ynë nacional.

Sa më shumë që ai identitet dëmtohet dhe nuk kultivohet e mbrohet në çdo aspekt, pra edhe me ligje e Kushtetutë, si në të gjitha vendet tjera, aq më pak ne jemi në gjendje t’i kryejmë detyrat tona që na dalin si pjesëtar aktiv të gjeopolitikës evro-atlantike në Ballkan. Sa më pak të jemi ne me identitet shqiptar, aq më pak mund ta luftojmë ndër ne dhe në përgjithësi në Ballkan islamin politik. Këtë perëndimorët ende nuk e kanë kuptuar. Kjo është mangësi e madhe që ju ka shpëtuar pa e vërejtur dhe pa e kuptuar drejtë edhe amerikanëve. Sa më pak të jemi shqiptar ne në Kosovë, aq më pak do të dimë të rreshtohemi kundër interesave ruse aktualisht, atyre kineze me potencial në rritje dhe çfarëdo interesave të vendeve dhe ideologjive jo kompatibile me ato evro-perëndimore.

Sa më shpejt kuptohet krejt kjo drejtë, aq më mirë do të jetë për ne, për evro-perëndimorët dhe për interesat amerikane në Kosovë e Ballkan. Me atë çfarë ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës, pra me mos votimin e Ligjit për vlerat e luftës, kjo u la të kuptohet se perëndimorët në Kosovë, nuk po e kuptojnë drejtë këtë vlerë dhe në përgjithësi forcën e identitetit nacional shqiptar si busull me të cilën ata orientohen kah perëndimi. Kjo duhet të ndryshojë.

(Autori është analist i njohur politik dhe kjo kolumnë është shkruar për Gazetën Metro)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë