Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli i ka konsideruar shqetësuese lajmet për ikjen e investitorëve. Ai përmes rrjetit social Facebook ka thënë se qeveria çdo ditë e më tepër po e thellon dështimin në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Sipas tij Kosova në letër ligjet i ka shumë atraktive dhe me taksa të favorshme për investitorët por, arsyeja pse ikin investitorët është frika nga shantazhet e njerëzve që përfaqësojnë forcën e institucioneve.
“Nga eksperienca ju them se, po të më ndodhte mua kjo çka ndodh në Kosovë në ndonjë vend tjetër, unë do të ikja menjëherë, për gjithmonë nga ai vend. Njerëzit që krijojnë punë në Kosovë sot janë të shantazhuar nga disa njerëz të caktuar për inate, hakmarrje, përfitime personale ose ndërhyrje”, ka thënë Pacolli.
Ai gjithashtu është shprehur se këta njerëz janë ata të cilët bëjnë çmos për t’i ruajtur pozitat e tyre, me çdo kusht e këta janë, pos tjerash edhe ata që përfitojnë shuma marramendëse duke siguruar vetës nga disa paga mujore.
“Secili do të përgjigjet për të bëmat e tij, edhe ata që sot i frikësojnë dhe i lënë qytetaret pa perspective”, ka shtuar Pacolli. /gazetametro.net