Vite me radhë u raportua se yjet e “Game of Thrones” përfitonin shuma marramendëse për çdo episod, por Emilia Clarke thotë se realiteti ishte krejt ndryshe, transmeton Gazeta Metro.
Aktorja britanike, e njohur për rolin e Daenerys Targaryen, ka mohuar zërat se ajo dhe kolegët e saj fitonin qindra mijëra dollarë për episod gjatë kulmit të suksesit të serialit.
Duke folur për Variety, Clarke tha se shifrat e publikuara ndër vite nuk përputheshin me të vërtetën, madje i komentoi me humor.
“Nëse do të ishin të sakta ato shuma, garazhi im do të dukej krejt ndryshe”, la të kuptohet ajo, duke bërë shaka me raportimet për pagat.
Edhe pse nuk tregoi sa paguhej realisht, aktorja theksoi se shumë prej spekulimeve rreth të ardhurave të kastit ishin të ekzagjeruara.
Clarke u ndal edhe te përvoja e saj në serialin që e shndërroi në emër botëror, duke thënë se nuk ka ndier pabarazi në pagesë krahasuar me kolegët meshkuj.
Ajo foli gjithashtu për anën tjetër të famës, duke e përshkruar atë si diçka të përkohshme, ndërsa rikujtoi edhe betejat e rënda shëndetësore që kaloi gjatë viteve të xhirimeve, kur u përball me dy aneurizma cerebrale që rrezikuan jetën e saj./gazetametro.net