Loading…

‘Pakoja Ekonomike’ duhet të jetë prioritet për Qeverinë e re

  • Nga

  • FLAMUR BEQIRI

  • 25/04/2020 | 17:16

‘Pakoja Ekonomike’ duhet të jetë prioritet për Qeverinë e re

Ekonomia dhe rimëkëmbja ekonomike, e Kosovës, gjatë dhe pas pandemisë do të jetë fusha në të cilën do të duhej fokusuar qeveria e re, marrë parasysh ndikimin negativ të pandemisë në ekonomi dhe ndikimin negativ të masave të marra, si p.sh. kufizimi i lëvizjes, mbyllja e shitoreve, mbyllja e qendrave tregtare, e masa të tjera restriktive si rezultat i luftës ndaj pandemisë. Sigurisht se dialogu me Serbinë dhe përmirësimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtare sidomos raportet me SHBA janë dhe duhet të jenë në listën e prioriteteve të qeverisë Hoti veçse ekonomia duhet trajtuar shumë seriozisht.


Shkruan: Flamur Beqiri

Pakoja fiskale emergjente, për bizneset e ekonomisë së vogël dhe të mesme dhe sidomos për bizneset të cilat janë të rregullta në deklarimet e tyre tatimore, përfshirë importet, zhdoganimin, TVSH, shitjet me pakicë e shumicë, numrin e punëtoreve etj, etj mund të konsiderohet si ndihmë lëmoshë, pra ndihmë “me rahmet” karshi humbjeve dhe nevojës për mbajtje të një lloj qëndrueshmërie minimale të tregut. Në të kundërtën falimentimi i shumë kompanive është i pashmangshëm, ku pastaj efekti do të ishte zingjiror dhe pasojat do të ishin edhe më të mëdha.

Në ndërkohë, ndërhyrja e BQK’së në shtyrjen e kredive për tre muaj është për t’u përshëndetur veçse masat e tjera të ndërmarra nga qeveria janë minimale dhe se këto masa, në trajtim, mund të jenë selektive për disa arsye:

E para, pagesa minimale për punëtorë, është ndihmë vetëm për punëtorin por jo edhe për biznesin. Sigurisht se paga prej 170 eur është lehtësim për biznesin pra edhe ndihmesë për punëtorin, por çka nëse punëtori, hipotetikisht, kërkon pjesën tjetër të pagës dhe biznesi për shkak të rrethanave të krijuara, si rezultat i pandemisë, nuk mund ta përballoj as edhe atë pjesë të mbetur të pagës. Dhe, me këtë rast, si rrjedhojë shkëputet kontrata në mes të punëdhënësit dhe punëtorit.

E dyta, pagesa 50 përqind e qirasë për biznesin. Edhe kjo masë është selektive sepse favorizon vetëm njërën palë, qiradhënësin. Pra, edhe pse, pagesa mund të konsiderohet lehtësim për biznesin, duhet pasur parasysh se mjetet shkojnë në llogari të qiradhënësit ndërsa 50 përqindëshi i mbetur pa paguar nga qiramarrësi kundrejt qiradhënësit mbetet në diskrecion të qiradhënësit!? Pra, prap biznesi për shkak të rrethanave të krijuara, në pamundësi për të paguar pjesën tjetër të qirasë mund të “ndëshkohet” dhe mund të vie deri te prishja e marrëveshjeve për qira dhe dërgimi edhe në procedurë përmbarimore nga ana e qiradhënësit. Pra ndihma mund të konsiderohet e njëanshme sepse qiradhënësi kreditohet me 50 përqind të qirasë dhe se mbetet në diskrecionin e qiradhënësit, faturimi për pjesën tjetër të qirasë.

Andaj, pakoja emergjente dhe rehabilituese duhet të përfshijë masa të cilat i trajtojnë bizneset në mënyrë të barabartë dhe jo selektive.

Disa nga masat të cilat mund të ndihmojnë biznesin tani dhe pas pandemisë janë:

Subvencione direkte, kredi të buta, kredi afatgjate, grejs periudha më të gjata për kredi, lansimin e menjëhershëm të rregullores për pagesën e TVSH pas shitjes, vazhdimin e pagesës së 50% për qira nëpër qendra tregtare dhe restauronte apo kafiteri, deri në masat normale të lëvizjes, masa tatimore të cilat do të lehtësonin bizneset në veprimtaritë e tyre afariste etj. Pra masa reale të cilat do të kishin impakt direkt në rimëkëmbjen ekonomike.

Një element shumë i rëndësishëm në këtë proces është, përfshirja direkte e biznesit, në hartimin e pakos rehabilituese duke konsideruar se jo domosdoshmërish këto biznese përfaqësohen denjësisht nga odat e ndryshme ekonomike dhe nuk duhet harruar faktin se këto biznese janë në linjën e parë të frontit në mbrojte të ekonomisë.

Në të kundërtën nëse nuk reagojmë menjëherë, pandemia nga virusi mund të derivojë në endemi ekonomike.

(Autori është biznesmen dhe anëtar i kryesisë së LDK në Prishtinë.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë