Në emisionin Komiteti, që transmetohet në RTV Dukagjini, avokati Dastid Pallaska ka komentuar mënyrën se si financohen partitë politike, duke treguar se çfarë formash përdorin që të fshehin burimet e tyre financiare.
Pallaska ka veçuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila, siç thotë ai, përdor fondet që i bëjnë publike për të mbuluar paratë që i marrin nga bizneset për t’u financuar.
Ai ka thënë se ekzistojnë disa metoda të cilat ua mundësojnë partive politike, në këtë rast VV’së, që të fsheh burimet e financimit, duke i shfaqur ato si forma të rregullta të fondeve që mbledhë nga përkrahës dhe aktivistë.
Pallaska ka thënë se njeriu i fundit që duhet t’i mbajë moral Shpend Ahmetit për raportet e tij me bizneset është Albin Kurti, pasi ky i fundit sipas Pallaskës sa ka qenë në krye të VV’së ka pranuar donacione nga ato biznese që i ka kritikuar së fundmi në Kuvend.
I vetmi dallim në mes të Ahmetit dhe Kurtit, sipas Pallaskës është se lideri shpirtëror i VV’së, nuk është parë në fotografi në jaht sikurse siç është parë kryetari i Prishtinës.
VV, thotë Pallaska e ka një mënyrë të sofistikuar të mbledhjes së parave. “I keni parë duke dalë me kërku donacione, 5 euro, 10 euro …, por kjo bëhet me qëllim të shpërlarjes së parave. Vetëvendosje, për dallim nga partitë tjera, i merr paratë prej biznesve, shembull 50 mijë euro, dhe i fut në bankë. Por, këtë e bën duke ua ndarë aktivistave të saj, të cilët më pas nënshkruajnë kinse po i japin donacion partisë në shuma shembull nga 1000 mijë euro. Por nëse i sheh ata njerëz që japin donacione partisë, nuk kanë fare të ardhura”, ka thënë Pallaska.