Kombëtarja e Kosovës ka filluar përgatitjet për katër ndeshjet e muajit qershor që do të zhvillohen në kuadër të Ligës së Kombeve, transmeton Gazeta Metro.
Nën udhëheqjen e përzgjedhësit francez, Alain Giresse gjatë ditës së sotme ‘Dardanët’ kanë mbajtur seancën e parë stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, aty ku do të zhvillohet edhe seanca e dytë e pasdites në ora 17:30.
Në stërvitje kanë marrë pjesë 17 futbollistë, teksa pjesa tjetër do t’i bashkohet ekipit ditët në vijim.
Sipas njoftimit nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) stërvitja kaloi pa ngarkesa të mëdha, kryesisht me ushtrime fizike, vrapime të lehta dhe lojë individuale me top, ndërsa më tutje thuhet se te futbollistët vërehet disponim i mirë për nismë të mbarë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Kujtojmë se me fillim nga ora 14:00 do të mbaj edhe konferencë për shtyp trajneri francez, Alain Giresse.
Vlen të theksohet se Kosova duelin e parë e zhvillon më 2 qershor si mysafire e Qipros, më pas dy ndeshje do t’i luaj në shtëpi kundër Greqisë (më 5 qershor) dhe kundër Irlandës së Veriut (më 9 qeshor) dhe në fund është mysafire e Greqisë (më 12 qershor). /gazetametro.net