Loading…

Paralajmërohet janar i ‘nxehtë’ për Agim Ademin, opozita ‘godet’ kryetarin e FFK’së: Është duke propaganduar

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 01/01/2023 | 22:00

Paralajmërohet janar i ‘nxehtë’ për Agim Ademin, opozita ‘godet’ kryetarin e FFK’së: Është duke propaganduar

Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) gjatë vitit 2022 ka pasur mjaft shumë zhvillime, duke filluar nga Kuvendi Zgjedhor i shumë përfolur deri tek (mos) licencimi i FFK’së nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të MKRS’së. Mes tjerash, gjithashtu ishte raportuar edhe për një sulm fizik ndaj drejtorit për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori nga epiqendra e gjithë këtyre ngjarjeve kryetari, Agim Ademi. Vëmendje kishte marrë edhe vizita e presidentit të FIFA’s, Gianni Infantino, që nuk është se mori pjesë në ndonjë inaugurim sepse nuk ishte ndërtuar asgjë, por u takua vetëm me disa politikanë në vendin tonë dhe mbajti një konferencë për media, shkruan Gazeta Metro.


Eroll Salihu dhe Arianit Ahmeti të paktën deri më tani kryetari i tanishëm i FFK’së, Agim Ademi i ka parë si dy ‘kundërshtarët’ më të mëdhenj. Të dy me vendim të Komitetit Ekzekutiv në kohëra të ndryshme janë shkarkuar nga puna.

Gazeta Metro ka kontaktuar edhe me Salihun dhe Ahmetin për të folur më shumë se si e kanë parë ata nga këndi i tyre udhëheqjen me federatën më të madhe në vend gjatë vitit që lamë pas.

Nuk provuam të kontaktojmë me kryetarin Ademi ose të dërgojmë pyetje në FFK sepse siç dihet tash e sa kohë organi drejtues i futbollit është shumë jo transparente në këtë aspekt.

Fillimisht, ish-sekretari i FFK’së Eroll Salihu deklaroi se nuk ka pasur aspak ”logjikë juridike” kuvendi zgjedhor i mbajtur më 6 prill, ku delegatët rizgjodhën kryetar kryetarin e vjetër.

”Kuvendi Zgjedhor i FFK’së është paraparë të mbahet në korrik, ai është kuvend zgjedhor dhe nuk është kuvend pune dhe pas një periudhe me 100 mijë skandale kryesisht të Agim Ademit, kjo ka qenë për mua e pa pranueshme sepse e ka shpall kuvendin zgjedhor katër apo pesë muaj para se t’i përfundojë mandati katërvjeçar që nuk ka aspak logjikë juridike. Edhe unë gjatë asaj kohe kam qenë Këshilltar i lartë ligjor i federatës dhe i kam dërguar një letër Komitetit Ekzekutiv dhe Agim Ademit duke ju thënë se ky kuvend është i jashtligjshëm, nuk keni të drejtë të mashtroni opinionin. Domethënë kjo ka qenë fillimi i fundit për mua në FFK dhe nuk kam mundur ta pranoj këtë, kam qenë vetë pa askënd tjetër,” tha Salihu.

Siç e lexuat një ndër njerëzit më të afërt ndoshta edhe më i afërmi i të ndjerit legjendës, Fadil Vokrri tha se ”ka qenë fillimi i fundit për mua në FFK”. Kjo pasi që më 28 prill Komiteti Ekzekutiv do të merrte vendim për largimin e tij nga puna.

Për largimin nga puna Eroll Salihu nuk kishte qenë në dijeni dhe e kishte kuptuar vetëm pas bisedës telefonike me gazetarin e Metros. 

”Unë kam qenë edhe kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) që është organi më i lartë i juridiksionit sportiv dhe si është e mundur që unë si anëtar i FFK’së të hesht për një padrejtësi të madhe kundrejt palëve tjera, e kam pasur obligim ligjor. Pas kësaj ka pësuar një debat i madh publik pasi që kuvendi u mbajt për pesë minuta në rrethana shumë misterioze, ku nuk kanë qenë të ftuara as mediat dhe pastaj edhe ministria e Sportit e ka dhënë verdiktin e vet që ka thënë se është i jashtligjshëm dhe në fund shkaktuan katrahurë juridike duke më shkarkuar nga puna,” vazhdoi ai me kritikat e tij për kuvendin zgjedhor.

Licencimi i FFK’së ka shkaktuar shumë zhurmë në komitetin e futbollit, aq shumë zhurmë sa javën e kaluar analisti, Faruk Statovci dhe presidenti i Trepçës’89, Abedin Zeka ishin shumë afër një përplasjeje fizike në një emision sportiv, ku po diskutohej rreth kësaj çështje.

Eroll Salihu tregon për Metron se licencimi i FFK’së edhe para disa vitesh kishte qenë i vështirë, por siç thotë ai kishte angazhuar pesë administratorë për ta përfunduar procesin e kërkuar nga ministria.

Ai beson që problemi pse FFK’ja nuk është licencuar ende qëndron te Agim Ademi, i cili ia kishte dërguar Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të MKRS’së një certifikatë që e kishte nxjerrë në emër të rregullimit të dokumenteve për vizë udhëtimi, në vend të certifikatës origjinale të gjykatës që dëshmon se ai nuk është nën hetime.

”Licencimi është një proces i cili bëhet në të gjithë botën dhe vlen për të gjitha federatat sportive. Nuk është hera e parë që shkakton telashe procesi i licencimit sepse edhe para se të pranohemi në UEFA dhe FIFA zëvendësdrejtori i Departamentit të Sportit që ka qenë, Fatmir Kabashi pikërisht ai na ka kërkuar mijëra dokumente dhe atë kohë të gjithë federatat kemi qenë të hidhëruara se është duke kërkuar shumë dokumente për licencim. Por, i pata angazhuar pesë administratorë që të punojnë dhe kur ka përfunduar procesi e kemi falënderuar të gjithë Fatmir Kabashin për arsye se e kemi parë që është edhe në interes të federatave ta kemi një databazë, për ta ditur statutin juridik të klubeve, federatës.”

”Tani, të gjitha federatat janë duke u licencuar dhe FFK’ja nuk po licencohet sepse nuk është problemi te federata por te udhëheqësi i saj, Agim Ademi. Komisioni është duke kërkuar një dokument që personat që udhëheqin federatat mos të jenë nën aktakuzë dhe këtë po ua kërkojnë të gjitha federatave. Kjo shkon plotësisht në përputhshmëri me Kodin Disiplinor të FIFA’s ku thuhet se nuk duhet të lejohen në udhëheqje personat që janë nën aktakuzë dhe personat që janë të dënuar për vepra penale. Unë nuk e kuptoj pse po e frikësojnë opinionin kur FIFA dhe UEFA e kërkojnë këtë. Fjalët se do të na dënojë UEFA janë propaganda të Agim Ademit,” tha Salihu.

Gjatë muajit janar pritet të ulen temperaturat dhe të bie borë. Mirëpo, ‘shumë nxehtë’ siç duket do të jetë për Agim Ademin.

Sipas informatave të Eroll Salihut ai është duke u hetuar edhe për vepra penale të tjera përveç asaj që akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”.

Për çka bëhet fjalë Salihu la të kuptohet se opinioni do ta marrë vesh gjatë këtij muaji.

”Agim Ademi është duke u hetuar edhe për vepra penale të tjera, sipas disa informacioneve të sigurta. Ai do të tregoj se për çfarë vepra të tjera penale, por do ta shikoni në janar. E theksoj përsëri se janë duke e frikësuar opinionin që kinse federata nuk po licencohet, jo kjo nuk është aspak e vërtetë sepse vetëm Agim Ademi është problem ligjor as një problem tjetër nuk është sepse edhe nëse ka atëherë të gjitha të tjerat mund të rregullohen. Ai për ta ruajtur pozitën e vet është në gjendje të sakrifikoj jo vetëm FFK’në por edhe të gjitha sportet e tjera në Kosovë vetëm e vetëm që të mbetet në pozitë,” tha ai për Metron.

Shkurtimisht Salihu i komentoi edhe vizitën e Gianni Infantinos dhe raportimet për përplasjen fizike mes Agim Ademit dhe Artan Govorit.

”Vizita e Infantinos ka qenë në kuadër të vizitave që i ka bërë në federatat e regjionit dhe ka qenë Armando Duka që e ka lutur të vijë në Kosovë.”

”Agim Ademi mendon se është dikushi, por nuk është askushi në futboll. Ai e ka kompleksin e inferioritetit, sulmon dhe është agresiv shteti duhet të reagoj në raste të tilla,” përfundoi ai.

Arianit Ahmeti, ish-zëvendës/sekretar në FFK’së thotë se dokumenti më i rëndësishëm për ta parë se sa është respektuar Ligji për Sport dhe statuti i FFK’së me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor është ai i Departamenti Ligjor të MKRS’së, ku kishte vlerësuar se FFK’ja nuk ka respektuar statutin e saj dhe po ashtu ishin konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport.

”Dokumenti më i rëndësishëm për kuvendin zgjedhor është opinioni ligjor i Ministrisë së Sportit, i cili ka paralajmëruar që para mbajtjes së kuvendit pasi që janë zhvilluar shumë debate se ky kuvend ka shkelje të mëdha ligjore dhe vetëm ajo e ka treguar si rezultat i atij kuvendi jemi këtu ku jemi. Të gjitha këto vetëm sa e vërtetojnë edhe më shumë këtë opinion ligjor që ka qenë i drejtë, domethënë çdo gjë është bërë në kundërshtim me statutin e FFK’së, rregulloren dhe ligjet e Kosovës,” tha ai për Metron.

Ahmeti vizitën e presidentit të FIFA’së, Gianni Infantino në shtator të 2022 e cilëson se nuk i ka sjellë asnjë dobi FFK’së, sepse sipas tij ai ka ardhur për garën e tij lobuese për t’u rizgjedhur president i organit më të lartë të futbollit.

”Vizita e Infantinos të kishte qenë vetëm për Kosovën atëherë në atë vizitë do të duhej të ishte ndonjë inaugurim i ndonjë objekti apo investimi nga vet FIFA Forward të cilin e udhëheq zoti Infantino. FIFA Forward është një program zhvillimor i cili u jepet të gjitha federatave botërore dhe unë nuk e di që ka qenë ndonjë inaugurim ose është ndërtuar diçka nga ato investime. Kjo e lë të nënkuptohet edhe vetë rrugën e Infantinos se nga erdhi ku kishte qenë disa ditë më parë. Ai është në garën e tij lobuese dhe qëndrimi i tij i shkurtë sa ka qenë dhe delegacioni me të cilin ka ardhur unë e kam parë atë si një kthim të rrugës ndoshta ka ndikuar ndokush për mbulim të çështjeve të brendshme nga vet Agim Ademi pasi që nuk ka pasur asnjë dobi nga ky takim FFK,” tha ai.

‘Çfarë të flasim më shumë’ thotë Arianit Ahmeti kur kujton se Agim Ademi u mundua ta mashtrojë Ministrinë duke i dërguar certifikatë vize, në vend të certifikatës origjinale të gjykatës.

”Në çdo deklarim tim në opinionin publik më herët e kam bërë një paralele se kur një të punësuarit në FFK i kërkohet një dokument elementar që nuk është nën hetime dhe është elementi kryesor që të vazhdohet më tutje për ta pranuar në punë apo jo, ndërsa për vet kreun e FFK’së kjo u anashkalua, çfarë të flasim më shumë.”

”FFK’ja duhet të licencohet, mirëpo duhet të plotësohen kriteret në bazë të udhëzimit administrativ, në bazë të ligjeve të vendit tonë, në bazë të statutit të saj. Por, Komisoni për licencim i ka dhënë një mori vërejtjesh të cilat janë të gjitha të bazuara në vet statutin dhe rregulloret e FFK’së, në rregulloret e UEFA’s, FIFA’s dhe në ligjin e sportit,” tha ai.

Vlen të theksohet se Agim Ademi javën e kaluar e kishte publikuar një dokument të gjykatës për të cilin pretendon se ia dërgoi Komisionit Vlerësues të Ministrisë së Sportit, i nevojshëm për licencimin e federatës, por u përfshi në një skandal edhe më të madh.

Rreth sulmit të raportuar ndaj Artan Govorit, Ahmeti thotë se ”kjo siç duket tregon një qeverisje autokrate” të Agim Ademit, gjersa potencoi se FFK’ja nuk është se ka parë ditë të mira që nga marrja e udhëheqesisë nga Agim Ademi. Në fund, deklaroi se nuk do të mirret më me të.

”Këtë pyetje duhet të ja drejtoni zoti Agim Ademit dhe personave të tjerë që kanë qenë të implikuar në këto raste. Por, kjo siç duket tregon një pasiguri të tij, një qeverisje autokrate apo mund t’i kaloj edhe përmasat nëse mund ta quajmë të dhunshme. Mesa duket FFK’ja që nga ardhja e këtij njeriu si kryetar ka qenë e përmendur vetëm për skandale, nuk e di që kemi parë ndonjë ditë të mirë që nga ardhja e këtij njeriu.

Tash vetëm me këtë çështjen e licencimit, ku të gjitha asetetet i përdor në mbrojtje të vetvetes dhe çdo gjë është në gjendje të bëjë saqë edhe klubet po i humbin të drejtën që ua siguron ligji i sponsorizimit dhe janë të penalizuara drejtpërdrejtë është aq e pakuptimtë të flasim rreth këtij njeriu, saqë unë më nuk do të merrem me të,” përfundoi ai për Metron.

Për pak harruam ta kujtojmë edhe një skandal tjetër të Agim Ademit që u raportua në vitin 2022 nga Gazeta Metro, që ndoshta mund të cilësohet edhe skandali më i madh në historinë e futbollit kosovar.

Si kishte planifikuar Agim Ademi të kurdisë lojën e kombëtares U-21 për bastore në janar 2016. Rreth kësaj çështje Prokuroria e Shtetit kishte konfirmuar nisjen e hetimeve. /gazetametro.net

Ekskluzive: Si planifikoi Agim Ademi të kurdisë lojën e Kombëtares U-21 për bastore

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë