“Qeveria e Serbisë duhet të heqë dorë nga Marrëveshjet e Brukselit dhe ta nisë iniciativën e gjerë që çështja e Kosovës të hiqet nga kompetenca e BE-së dhe ajo të kthehet në kompetencën e KB-së, atje ku e kemi përkrahjen parimore të aleatëve tanë Rusi e Kinë”, ka thënë kryetari i Partisë Popullore të Serbisë Nenad Popoviq.
Ai , siç njofton FoNet, ka qëndruar në Kosovë dhe ka theksuar se harta gjeopolitike në botë po ndryshon dhe se “ajo, përfundimisht është në të mirë të Serbisë.”
“Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, Brexit në Britani të Madhe, si dhe paralajmërimi i mbajtjes së referendumeve të reja në shtete europiane që dëshirojnë të braktisin BE-në, pastaj rrita ekonomike dhe ushtarake e Rusisë, tregojnë se rrethanat gjeopolitike po ndryshojnë dhe se ato janë në favor të interesave kombëtare të Serbisë” ka thënë Popoviq.
Ai ka theksuar “se shtetet që e përkrahin Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta”, të cilat, bashkë me tradhtarë të Serbisë, në vitin 2009, ka thënë ai, çështjen e Kosovës e zhvendosen nga KB në BE”.