Loading…

Partitë opozitare kundër shtrenjtimit të energjisë: Rritja e çmimit rreth 15 për qind, goditje e radhës ndaj qytetarëve

  • 24/03/2023 | 15:50

Partitë opozitare kundër shtrenjtimit të energjisë: Rritja e çmimit rreth 15 për qind, goditje e radhës ndaj qytetarëve

Partitë opozitare në vend janë shprehur kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kjo pasi Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar tarifat e reja.


Duke filluar nga 1 prilli, rryma do të shtrenjtohet rreth 15 për qind bazuar në këto tarifa, megjithatë përqindja e saktë e shtrenjtimit do të dihet saktë në mbledhjen e ardhshme të Bordit të ZRRE-së.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar Qeverinë Kurti lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, me çka sipas tij rëndohet jeta e qytetarëve të Kosovës.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, është shprehur se “kjo qeveri që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishaj, po e keqpërdorë në thelb misionin e saj”.

“Vitin e kaluar e rritën mbi 100 për qind çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15 %. Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo Qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, shkruan kreu i PDK-së.

Krasniqi konsideron se me këtë lloj qeverisjeje, numri i qytetarëve të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja.

“Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!”, shkruan ai.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti është kundër këtij shtrenjtimi.

“15 për qind rritet çmimi i energjisë elektrike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se partia e tij do ta kundërshtojë vendimin për rritjen e energjisë elektrike me të gjitha format demokratike.

Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës (AAK), është deklaruar kategorikisht kundër propozimit të ZRRE-së, për t’u rritur çmimi i energjisë elektrike për rreth 15%.

“Ne si AAK, do të gjejmë rrugën demokratike të kundërshtimit në parlament, po ashtu, meqë jam anëtar i komisionit për ekonomi dhe ZRRE raporton në këtë komision, që në javën e ardhshme do ta ftoj ZRRE-në, ta komunikojë vendimin dhe arsyeshmërinë për rritje të çmimit”, deklaroi Lekaj.

Ndërkaq, për shtrenjtimin e çmimit të energjisë kishin reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive (KMDLNJ).

KMDLNJ në reagim thekson se qytetarët e Kosovës, me të drejtë të pakënaqur me këtë paralajmërim të shtrenjtimit të rrymës e që do të përcillet nga ngritja zinxhirore e çmimeve të artikujve tjerë dhe të shërbimeve.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë