Loading…

Pas 10 deri 20 vitesh shqiptarët do të jenë shumicë në Maqedoni

  • 23/05/2017 | 16:17

Pas 10 deri 20 vitesh shqiptarët do të jenë shumicë në Maqedoni

Ish-kryeministri maqedonas Lupço Georgievski thotë në një intervistë se marrëveshjet për paqe në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni janë të paqëndrueshme.


Ai propozon një ndryshim radikal: krijimin e shteteve homogjene nacionale. Georgievski deklaroi se në vitin 2001 u kishte ofruar shqiptarëve që territoret në dhe rreth Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës t’i bashkohen Kosovës apo Shqipërisë.

2002 ka ndërmarrë reforma të mirëpritura në vend. Pasi partia e tij humbi zgjedhjet në vitin 2002 ai më 2003 dha dorëgheqje si shef i partisë. Gjatë kohës sa ishte në krye të qeverisë në fillim të vitit 2001 në Maqedoni shpërthyen trazirat më të mëdha mes popullsisë shqiptare dhe sllavo-maqedonase. Një luftë e përgjakshme civile u evitua falë ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare. Georgievski konsiderohet si njohës i shkëlqyer i situatës së tanishme politike – por me tezat e tij të prezantuara me guxim të tepërt mbi të ardhmen e Ballkanit ai nuk ngjallë përherë entuziazmin e bashkësisë ndërkombëtare, shkruan Huffington Post.

Në një intervistë për këtë portal, të botuar në gjuhën gjermane, Georgievski ka folur për krizën politike në Maqedoni. Ai tha kryeministri shumëvjeçar Nikola Gruevski, presidenti Gjorgje Ivanov dhe shumë funksionarë të VMRO-së kanë bllokuar jetën politike në vend nga frika e ndjekjes penale për shkak të aferës së përgjimeve dhe dyshmeve për keqpërdorime të tjera të pushtetit. Georgievski tha se bëhet fjalë për mbi 500 mijë faqe të protokoleve të përgjimit.

Në pjesën më të madhe të intervistës Georgievski ka folur për çështjen shqiptare. Ai tregoi se në vitin 2001 u kishte ofruar shqiptarëve që territoret në dhe rreth Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës t’i bashkohen Kosovës apo Shqipërisë. Por, sipas tij, për këtë temë nuk u zhvilluan kurrë bisedime zyrtare – “ndoshta për shkak se kundërshtimi te shumë politikanë maqedonas ishte tepër i madh dhe mua më shikonin si tradhtar”. Si shumë politikanë maqedonas edhe Georgievski u shpreh kundër gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në tërë Maqedoninë. Ai tha se kjo kërkesë nuk gjendet më në tavolinën e negociatave.

Georgievski që në vitin 2001 kishte thënë se duhet pasur guxim për të menduar për bashkimin e shqiptarëve në rajon. Në intervistë me “Huffington Post” ai tha: “Duhet të jemi realistë. Zhvillimi demografik i popullsisë shqiptare po rritet shumë shpejt. Sot kemi ndohsta rreth 25 deri 30 për qind shqiptarë në Maqedoni. Pas 10 apo 20 vitesh Maqedonia do të jetë vend mysliman. Prej 180 mijë fëmijëve që aktzualisht vijojnë mësimin në Maqedoni, 60 mijë mësojnë në shkolla të pastra shqipe. Edhe fqinjtë tanë si Shqipëria dhe Kosova janë gati 100 për qind shqiptare. Natyrisht njerëzit që i përkasin popullit të njëjtë kanë dëshirë të jetojnë në një shtet të përbashkët”.

Georgievski tha se tri marrëveshjet e paqes të nënshkruara në dekadat e fundit në Ballkan nuk po funksionojnë, madje kanë krijuar shtete jofunksionale. Paqja e Daytonit e vitit 1995 i dha fund luftës në Bosnjë, por shteti unitar i Bosnjës ekziston vetëm në letër. Më 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja për paqe për Kosovën pas bombardimit të Jugosllavisë, por çështja e Kosovës nuk është zgjidhur ende. Më 2001 i dhamë fund trazirave në Maqedoni me marrëveshjen e Ohrit. “A duhet të derdhet gjaku për t’i parë faktet me sy?”, pyeti Georgievski.

Ish-kryeministri maqedonas ka një ide mjaft të thjeshtë si duhet zgjidhur konfliktet në Ballkan. “Serbia merr Republika Srpska në Bosnjë dhe veriun e Kosovës, Shqipëria bashkohet me pjesën e mbetur të Kosovës, me gjasë edhe me një pjesë të Maqedonisë perëndimore dhe merr eventualisht Luginën e Preshevës në Serbinë jugore, Kroacisë i jepet po ashtu një pjesë e Bosnjës”, tha Geogrievski, i cili propozoi që Bosnja të marrë një kompensim territorial apo financiar, pa sqaruar si do të duhej ky model. Sipas Georgievskit anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në BE mund të krijojë rrethana stabile në Maqedoni. Ai beson se kryeministri i ardhshëm Zaev do të jetë më fleksibël sa i përket emrit të shtetit maqedonas.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë