Loading…

Pas deklaratës kontroverse të Albin Kurtit, pason reagimi i Molliqajt: “Aha!”

  • 11/11/2021 | 16:59

Pas deklaratës kontroverse të Albin Kurtit, pason reagimi i Molliqajt: “Aha!”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate [PSD], Dardan Molliqaj, ka bërë një koment për intervistën e djeshme të ish shefit të tij, Albin Kurtit.


Ai u mor sidomos me një deklaratë të Kurtit që u shpreh se komunat që fitoheshin nga partitë e tjera mund të bëheshin “platformë opozitare ndaj Qeverisë”.

Molliqaj ka krahasuar këto fjalë me qëndrimet autoritare të liderit kontrovers bjellorus, Alekandër Lukashenko.

“Aha! Problemi (lexo: rreziku) na qenka tek krijimi i platformave opozitare aty ku nuk udhëheq VV, e jo përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve.” – u shpreh kryetari Molliqaj, përcjell Periskopi.

“Zhdukja e opozitarizmit është tendencë e qartë totalitare. Nuk mund të ishte më e qartë se kaq.” – përfundon z. Molliqaj.

Statusi i plotë:

Kush ka frikë nga opozita dhe pse?

“..problemi do të jetë që ka tendencë të qartë që komunat ku nuk do t’jetë kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! si kryetar komune, të shndërrohen në një lloj platforme opozitare ndaj Qeverisë, përkatësisht ndaj rezultatit të 14 shkurtit”, nuk janë fjalët e Lukashenkos, e as të Orbanit. Është Kurti që tha këto fjalë, me zë e figurë.

Aha! Problemi (lexo: rreziku) na qenka tek krijimi i platformave opozitare aty ku nuk udhëheq VV, e jo përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve. Tashmë edhe nga vetë Kurti pranohet ajo që dyshohej nga të gjithë. Komunat që i fiton VV bëhen të VV-së, pra përvetësohen. Ndërsa përvetësimi si i tillë ka diçka të “padrejtë” ngërthyer në nocion që kur kombinohet me kontekstin e zgjedhjeve lokale, e gjejmë përkatësinë ideologjike të metodës qeverisëse të Kurtit.

Pushteti që ka synim zhdukjen e opozitës duke tretur dallimet, nuk mund ta arrijë atë pa persekutim e shtypje. Një pushtet që nuk sheh mundësi tek opozita, është pushtet unisono (një-zëri) që synim ka zhdukjen e dallimeve. Një pushtet që e sheh si problem opozitën, në fakt është problem në vete. Është pushtet anti-demokratik.

Kur thua “totalitarizëm” dhe “diktaturë” njerëzit rëndom e lidhin me pamje/foto brutale nga arkivat e historisë, ndërsa procesin zgjedhor si të kundërtën e tyre. Por edhe historia edhe aktualiteti dëshmojnë pamjaftueshmërinë e procesit të zgjedhjeve si të tillë. Nuk mund ta shohim situatë politike përmes një fotoje, apo vetëm përmes votës. Ai është pushtet që kërkon ballafaqim direkt dhe koherent, që të duket në tërësinë e tij.

Kolonizimi i konceptit “opozitë”, siç bëri para se ta marrë pushtetin me termin “parti”, duke i kthyer në referenca për korrupsion dhe tradhëti, po ashtu është rrjedhojë e pashmangshme e natyrës totalitare të pushteteve të tilla. Kështu që, kur thotë “platformë opozitare”, ai mendon që ky term ne vetëvete është shpjegues pse çdo mundësi për platforma opozitare duhet të zhbëhen. Pushteti në nivel komune na qenka instrument për këtë.

Zhdukja e opozitarizmit është tendencë e qartë totalitare. Nuk mund të ishte më e qartë se kaq. Kundërshtimi i pushtetit që qartazi ka tendenca totalitare duhet të bëhet edhe përmes këtyre zgjedhjeve.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë