Rruga “Ilir Konushevci” në Prishtinë është kthyer në shërbim të qytetarëve pas përfundimit të ndërhyrjeve infrastrukturore që kishin kufizuar qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm të kryeqytetit, transmeton Gazeta Metro.
Hapjen e saj e ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi të publikuar të enjten, ku ka bërë të ditur angazhimin e ekipeve komunale për përmbylljen e punimeve në kohë.
“Ekipet e Kryeqytetit kanë punuar pa ndërprerje, edhe gjatë natës, që rruga ‘Ilir Konushevci’ të jetë sot e hapur dhe plotësisht funksionale për qytetarët”, shkroi Rama.
Punimet ishin zhvilluar në pjesën ndërmjet kryqëzimit me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” dhe atij në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, me qëllim përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës rrugore.
Ndërhyrjet në këtë segment kishin filluar më 22 korrik, ndërsa nga Komuna e Prishtinës ishte bërë e ditur se puna do të vazhdonte me intensitet të lartë për të mundësuar hapjen sa më të shpejtë të rrugës./gazetametro.net