Loading…

Pas murit në Mitrovicë, kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë

  • Nga

  • 08/12/2016 | 17:33

Pas murit në Mitrovicë, kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë

Përderisa qëllimi i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ka qenë shembja e mureve ekzistuese në mes të dy vendeve, këto ditë ne jemi dëshmitarë të ndërtimit të një muri më shumë që ndanë shqiptarët me serbët.


Ky mur që filloi të ndërtohet këtë javë në veri të Mitrovicës shtoi edhe më shumë brengën e qytetarëve të Kosovës për qytetin tashmë të ndarë.

Qeveria e vendit tonë, duke përfshirë këtu ministren për Dialog Edita Tahiri dhe kryeministrin Isa Mustafa, patën deklarime rrënjësisht kundërthënëse karshi atyre të liderëve serbë.

Ministrja Tahiri ka premtuar rrënimin e murit në një takim urgjent me Grupin punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit dhe revitalizimin e saj.

“Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e një muri janë shumë zhvillime shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për gjendjen në atë pjesë të vendit tonë, duke cenuar gjithë arritjet e deritashme për të vendosur normalitet, stabilitet dhe rend. Ndërtimi i këtij muri është një veprim ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për revitalizimin e urës së Ibrit dhe si i tillë do të ndalet dhe rrënohet”, tha Tahiri para mediave.

Ndërsa, Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i sheh këto fjalë si të pafuqishme, duke thënë se muri nuk do të rrënohet dhe se Tahiri nuk do të pyetet kurrë se çka do të ndërtohet në veri.

“‘Mbrojtësja’ nuk do të rrënohet. Edita Tahiri nuk do të vendosë çka të ndërtohet në veri. Muri për të cilin flet Edita Tahiri nuk do të rrënohet sepse bëhet fjalë për një ‘mbrojtëse’ dhe një pjesë të projektit, të cilin përfaqësuesit e Beogradit, të Prishtinës dhe të BE-së e kanë pasur parasysh. Se çka do të ndërtohet në veri do të vendosë qeverisja lokale dhe vetë qytetarët e jo ministrja për Dialog nga Prishtina”, ka thënë Rakiq.

Në anën tjetër, opozita kosovare duket mjaft e shqetësuar me këto zhvillime mbi urën e Ibrit, duke thënë se kjo gjendje e rënduar është si pasojë e bisedimeve që Qeveria Mustafa po i drejton.

Deputeti Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje në një bisedë me Gazetën Metro e vlerësoi këtë mur që po ndërtohet në mes të qytetit të Mitrovicës si diçka që e bënë edhe më faktike ndarjen e këtij qyteti.

“Kjo ndarje dhe ky mur janë pasojat direkte e bisedimeve në mes pushtetarëve të Kosoves dhe të Serbisë. Zaten, pikërisht ndarja e qytetit ka qenë njëra ndër objektivat e bisedimeve në Bruksel. Pasi që kjo ndarje tashmë po bëhet edhe fizike, janë shume neveritëse deklaratat e maskotës së Qeverisë së Kosovës – ministres Tahiri”, ka thënë Selimi.

Madje, deklaratat e ministres Tahiri, deputeti i VV-së i sheh si bajate, dhe sipas tij, ekziston vetëm një gjë që mund ta rrëzojë ministrja Tahiri.

“E pamë që ka dalë me deklarata bajate për rrezimin e atij muri. Kur ajo nuk mundi ta shkrinte fluskën e borës si mund të presin qytetarët e Kosovës që ajo dhe qeveria e saj të rrezojnë një mur prej betoni. Edita tash pas kësaj, vetëm një gjë mund ta rrënoje – urën mbi Ibër”, tha tutje Selimi për Gazetën Metro.

Sipas tij, arkitektët e murit ndarës në Mitrovicë janë Thaçi, Daçiç, Mustafa, Vuçiq e Tahiri.

“Këta persona në një koordinim perfekt e realizuan atë çfarë Evropa i ka shembur në shekullin e kaluar – muret ndarëse në mes njerëzve”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së poashtu vlerëson se ndërtimi i këtij muri është një mesazh se është shteti serb ai që ka sovranitetin mbi atë territor.

“Dialogu është kthyer në abuzim të Serbisë me Kosovën, e kemi thënë e rithënë e prapë po e theksojmë. Me veprimin e fundit, me murin mbi Ibër, Serbia po dëshiron të thotë se ajo është sovrani mbi atë pjesë, kjo logjikë nuk duhet pranuar nga Qeveria e Kosovës”, tha Lekaj në një bisedë me Gazetën Metro.

“Një qeveri normale menjëherë do të ndërpriste dialogun dhe do t’i thërriste mendjes për ma tutje. Asnjë moment nuk duhet vazhduar dialogu përderisa nuk tërhiqet totalisht Serbia me strukturat e saj paralele nga Kosova. Nuk i besojmë deklaratave as çka thotë Serbia, por as çka po na thonë (duke u vetë lavdëruar) Qeveria e Kosovës.”, përfundoi deputeti nga AAK’ja.

Ndërsa Kryetari i Këshillit Kombëtarëtë NISMA’s për Kosovën, Jakup Krasniqi për Gazetën Metro ka thënë se ky mur do duhej të shënonte edhe fundin e Qeverisë dhe Presidentit të vendit.

 “Dështimin e marrëveshjeve te Brukselit nuk e shohin vetëm partitë e koalicionit. Marrëveshjet edhe pse janë të dëmshme për Kosovën, pala serbe jo vetëm që nuk e ka bërë asnjë përpjekje për realizim, por përkundrazi, kanë qenë e janë për të sabotuar çdo gjë dhe rrënuar edhe në planin ndërkombëtar për të penguar çdo përpjekje të Kosovës për të forcuar sovranitetin e saj”, tha Krasniqi.

Ai tregoi edhe përgjegjësit kryesorë për ndërtmin e murit në Mitrovicë.

Kudo në Botë ku janë ndërtuar mure, ndarja ka qenë e pashmangshme. Shkurt, ndërtimi i murit është ndarje. Përgjegjës për ketë janë: Presidenti i tashëm dhe kryeministri, përfshirë dhe ministrat që flisnin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?! Për çfarë normalizimi flisnin ata?! Muri duhet të jetë fundi i tyre”, tha Krasniqi për Gazetën Metro.

Sipas tij, me ketë formë te bisedimeve dhe me këta njerëz, nuk mund e nuk duhet të zhvillohen bisedime me Serbinë.

I pyetur se kush është fajtori për këto lëshime, Krasniqi tha se faji është i të gjithë Delegacionit dhe i të dy Kabineteve të fundit qeveritare.

“Këta njerëz duhet të dhënë përgjegjësi politike. Këta duhet të tërhiqen dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje.”, tha për fund ai./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë