Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para pak minutash njoftoi se drejtorit sportiv dhe Këshilltarit të lartë ligjor, Eroll Salihu ju është ndërprerë marrëdhënia e punës. Në një prononcim për Gazeta Metron vetë, Eroll Salihu deklaroi që nuk ishte i njoftuar për këtë gjë dhe e quajti kriminel kryetarin e FFK’së, Agim Ademin, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një bisede telefonike ish-sekretari i përgjithshëm i FFK’së, Eroll Salihu nuk ishte farë në dijeni që ishte larguar nga puna dhe e kuptoi vetëm nga gazetari i Metros.
Kur ju lexua vendimi i njëjti vazhdoi ta quaj kryetarin e FFK’së, Agim Ademi kriminel, duke thënë se është një rrugaç dhe nuk ka arsye se pse të largohej nga puna pas 15 viteve, ku i ka shërbyer Federatës.
”Ai është kriminel, Agim Ademi po kush tjetër, ai është kriminel po ku munet mëm qit prej pune për çka, kriminel është thjesht nuk pritet prej tij kurgjo më mirë, paramendo pas 15 viteve del një kriminel, rrugaç,” tha Salihu për Metron.
Më tutje akuzat e tij drejtuar Ademit vazhduan ende për të cilin thotë se është i dënuar nga organet më të larta të futbollit europian dhe po ashtu edhe nga shteti i Kosovës dhe është në krye të FFK’së.
”Prej tij nuk pritet kurgjo ma mirë tona ant është i dënum nga FIFA, UEFA prej shtetit edhe hala e udhëheq ni Federat, kshtu qe nuk kom fjalë,” deklaroi Salihu.
Kujtojmë se po ashtu edhe më 7 mars të këtij viti Komiteti Ekzekutiv kishte marrë vendim për suspendimin e Eroll Salihut për gjashtë muaj, pasi sipas KE’së ai kishte bërë shkelje të Kodit të Etikës si dhe kishte shkelur urdhëresën e FFK’së, ku u ndalohet zyrtarëve të FFK’së të deklarohen për media pa marrjen e pëlqimit nga drejtuesit e FFK’së. /gazetametro.net