Loading…

Pas vendimit për burgim të përjetshëm të Mladicit, reagojnë liderët botërorë

  • 08/06/2021 | 20:19

Pas vendimit për burgim të përjetshëm të Mladicit, reagojnë liderët botërorë

I njohur si Kasapi i Ballkanit, krimineli serb Ratko Mlladic sot është dënuar me burgim të përjetshëm për krimet e kryera në vitet e ’90-a në Bosnje e Hercegovinë. E, ndaj kësaj kanë reaguar liderët botërorë duke e përshëndetur këtë drejtësi ‘të vonuar’ e poashtu ka pasur reagime të shumëta edhe në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.


Apeli i Tribunalit të Hagës e shpalli fajtor Mladicin për terrorizëm të popullsisë civile dhe gjenocidin në Srebrenicë, ku gjatë vitit 1995 ishin masakruar mbi 8000 burra e djelmosha myslimanë.

Më poshtë ju sjellim disa nga reagimet e liderëve botërorë, duke nisur me presidentin amerikan Joe Biden:

Presidenti i SHBA’së, Joe Biden, ka reaguar pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Hagë konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mlladiq, duke e quajtur këtë vendim historik.

Në një deklaratë me shkrim, Biden tha se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.

“Pothuajse 26 vjet më parë, Ratko Mlladiq urdhëroi ekzekutimin e rreth 8,000 burrave dhe djemve të paarmatosur në Srebrenicë. Ai gjithashtu udhëhoqi një rrethim brutal shumë-vjeçar të Sarajevës dhe ishte përgjegjës për shumë krime të tjera. Mekanizmi Ndërkombëtar i Apelit i Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale në Hagë konfirmoi sot dënimin e tij për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ky verdikt historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai vendim gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’i parandaluar mizoritë e ardhshme kudo në botë”, tha Biden.

Në anën tjetër ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka deklaruar së dënimi i Ratko Mlladiqit i jep fund gjykimit kryesor në historinë e Evropës për krime lufte – përfshirë gjenocidin që ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë.

Poashtu, Sekretari i Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, uron që vendimi i sotëm i Gjykatës së OKB-së në Hagë, të shërbejë sadopak për të qetësuar shpirtrat e viktimave të Ratko Mlladicit në Bosnje.

“Le të shërbejë dënimi i sotëm i ish-komandantit të ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të sjellë pak paqe te viktimat dhe të dashurit e tyre”, shkruan kryediplomati amerikan në Twitter.

Lidhur me verdikin e Hagës, ka reaguar edhe Kathryne Bomberger, drejtoresha e komisionit Ndërkombëtar për personat e zhdukur (ICMP), e cila tha se vendimi i sotëm i gjykatës ndërkombëtare, paraqet një konfirmim të sundimit të ligjit.

“Ata që kanë vrarë civilë të paarmatosur dhe ata që kanë krijuar kushtet për krime të tillë – e kanë gjykuar gabimisht se mund të zhdukin mbetjet e viktimave të tyre”, ka shtuar Bomberger.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka porositur se Bashkimi Evropian pret që të gjithë akterët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor, të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim të plotë me gjykatat ndërkombëtare – të respektojnë vendime e tyre dhe të njohin pavarësinë dhe paanshmërinë.

“Vendimi i sotëm është një mundësi që liderët në Bosnjë dhe rajon, të nderojnë viktimat dhe të promovojnë pajtimin për të tejkaluar luftën dhe të ndërtojnë paqen”, thuhet ndër tjera në kumtesën e zëdhënësit të BE-së.

Kujtojmë, që Mladic, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar lëndën në shkallën e dytë.

Ratko Mladic u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i ikur drejtësisë./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë