Loading…

Pas votimit të demarkacionit hiqen vizat

  • 10/02/2017 | 22:26

Pas votimit të demarkacionit hiqen vizat

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se takimet me tre presidentët Juncker, Tusk dhe Tajani kanë qenë takime të rëndësishme për Kosovën, për të ruajtur dhe kultivuar interesimin e BE-së për Kosovën, për perspektivën e sigurt evropiane.


Ai ka thënë se BE ka një çasje unike për perspektivën konkrete të institucioneve të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

“Liberalizimi i vizave nuk është në dorën e BE-së, e tëra varet nga vullnetit i deputetëve të Kosovës.

Tani nuk po ndodh vonesa nga BE-ja, vonesa po ndodhë nga mosvotimi në Kuvendin e Kosovës.

Izolimi i Kosovës po ndodhë nga mosvotimi nga ana e deputetëve që po e keqpërdorin vullnetin dhe besimin e qytetarëve duke mos votuar”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, është konstatim i tre presidentëve që pas miratimit të demarkacionit, BE-ja do të deklarohet pro liberalizimi të vizave, pra në muajt në vijim.

Thaçi i ka ftuar të gjithë deputetët që të respektojnë vullnetin e qytetarëve, të mos bien pre e politikës ditore për përfitime elektorale. Ai ka thënë se të gjithë së bashku duhet t’i lënë të gjitha dallimet anash, për të mirën dhe të ardhmen e qytetarëve.

“Duhet të ketë komunikim mes subjekteve politike në Kosovë për të votuar pro demarkacionit. Asnjë argument nuk është për të votuar kundër. Integriteti territorial i Kosovës është i respektuar, tani po bëhet edhe matja nga ekspertët. Për ruajtjen e integritet territorial të Kosovës e kemi pasur edhe mbështetjen e hapur të ish-presidentit Obama”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se me kauza të rreme kombëtare disa po e minojnë të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të saj.

“Është qëndrim definitiv i BE-së që pa miratimin e demarkacionit nuk ka liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.

Asnjë rrethanë politike nuk e justifikon mosvotimin e demarkacionit, sipas presidentit Thaçi, si dhe asnjë rrethanë nuk e justifikon vazhdimin e izolimit të vendit dhe të qytetarëve tanë.

Thaçi ka thënë se edhe BE-ja po pyet se cili është orientimi i Kosovës, mos dikush në Kosovë ka agjendë të fshehtë dhe, si rrjedhojë, ka njerëz të tillë që dëshirojnë të na mbajnë të izoluar.

“Është momenti i fundit që të veprojmë drejt”, ka thënë për rtv21 ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se edhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë dakorduar që pas miratimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet liberalizimi i vizave.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë