Loading…

Pasioni i dashurisë dhe politika në tragjedinë ‘Surena’ e Corneille’it

  • Nga

  • MUHAMEDIN KULLASHI

  • 16/02/2022 | 16:15

Pasioni i dashurisë dhe politika në tragjedinë ‘Surena’ e Corneille’it

Mbretërit francez Luigji i XIII(1601-1643) dhe Luigjit XIV (1643-1715) në oboret e tyre mbretërore krijuan hapësira të veçanta për kulturën teatrore. Hapësira në të cilat u kultivua arti teatror me veprat madhore të Pierre Corneille-it (Kornej,1606-1684), Jean Racine-it (Rasin,1639-1699) dhe Molière-it (1622_1673), begatia dhe fuqia krijuese e të cilave do të rrezatoj gjatë shekujëve.


Shkruan: Muhamedin Kullashi

Richelieu (Rishlie), mendimtar politik madhor dhe themelues i Akademisë së shkencave të Francës, Kryeministri i Luigjit XIII, do te zhvillojë një aktivitet të veçantë në promovimin e krijimtarisë teatrore. Një kohë të gjatë shfaqjet e çmuara teatrore u prezentuan në Pallatin Richelieu.Veprat e tragjedisë, tragji-komedisë e komedisë që u krijuan asokohe do të ushtrojn ndikim në kulturën dramaturgjike të teatrove deri në ditët e sotme.Teatri më i njohur francez La Comédie française u themelua nga Luigji i XIV më 1680.
Pierre Corneille autor i tragjedive që do ta shënojn mëvetësinë e tragjedisë klasike franceze.

Tragjedia Surena (1674) është vepra e fundit e Corneille-it e cila është cilësuar, jo vetëm në shekullin klasik(XVII), por edhe më vonë si stragjedia më e mirë e tij. Coreneille e shkrou këtë tragjedin në kohën kur nisi të ndriçoj talenti dhe mjeshtria krijuese e Racine-it. Disa kritikë të asaj periudhe, do të thonë se Corneille me veprën vet të fundit thuajse kishte dashur ta bëjë një vepër të veçantë e cila do t’i bënte ballë jo vetëm aftësisë krijuese të rivalit të tij, por edhe kohërave të ardhshme që brejn shumçka. Kritiku Perrier shkruante se Surena ishte « shikimi i fundit i Corneille-it mbi botën. »Kêtê shfaqje tê Corneille-it e kam parê nê Théâtre des Abbesses nê Paris nê regjinë e Brigitte Jaques-Wajeman si dhe nê La Comédie française nê regjinê e Anne Delbé.

Fabulën për këtë tragjedi Corneille, sikurse edhe për disa vepra të tjera të tij, i ka marë nga shkrimet e historianit antik Plutarkut. Surena ishte gjeneral i mbretit Orod në Parthe, zonë kjo midis Sirisë dhe Irakut të sotëm ,50 vite para epokës sonë. Mbretin Orod e kishte përmbysur vëllau i tij Mitridat në saje të mbështetjes së ushtrisë romake. Ndërkohë, Surena do të mposht me aftësitë ushtarake e strategjike sa komandantin romak Crassus aq edhe mbretin e Armenisë Artabase. Kësisoj ai do ta rivendos Orodin në fronin e tij mbretëror. Gjatë festave të çlirimit Orode do t’i shfaq një mirënjohje të madhe gjeneralit të vet Surena, i cili do të adhurohet nga populli si çlirimtar dhe trim i pashoq.

Mbreti Orode e shfaq mirënjojen ndaj Surenës duke ia ofruar të bijën e vet Mandan për grua Surenës. Njëherit ai ia kishte premtuar mbretit të Armenisë Artabaze lidhjen martesore të birit të tij Pacorus me të bijen Eurydice. Mirëpo, pas mposhtjes së ushtrisë së mbretit ermen Artabase, Surena kishte qëndruar disa javë për negociata dhe marveshje midis dy mbretërive. Në këto rrethana ai e kishte takuar shpesh Euridycen në oborin mbretëror të Artabaz-it ; një dashuri e fortë ishte ngjizur midis tyre. Këtu sajohet një nyje e ndërlikuar brenda martesave të parapara me vendimet e dy mbretërve. As Euridice nuk do të pranoj të martohet me të birin e Orodit, e as Surena me të bijen e mbretit të vet.

Tragjedia në pesë akte do të zhvillohet me shpjshtjellimin e kësaj nyje duke sajuar disa ngjarje tragjike.

Tragjikja e tragjedisë

Në suazë të këtij artikulli ne do ta kemi parasyshë në veçanti atë që përbën karakterin tragjik të kësaj tragjedie.
Një aspekt i nyjës së kësaj tragjedie shpërfaqet në dilaogun (Akti III) midis mbretit Orode dhe këshilltarit të tij Sillace. Ky e kishte informuar se Surena jo vetëm që nuk ishte i impresionuar me dëshirën e mbretit që t’ia jap dorën e të bijes së tij Mandane, por se i dukej edhe indiferent dhe i përmbajtur ndaj kësaj oferte. Orode shfaq shqetësimin e vet të dyfisht : nga njera anë ai i kishte ofruar gjeneralit të vet dhuratën më të çmueshme për shërbimet që ai i kishte bërë. Mirëpo, nëse Surena refuzon një dhuratë aq të lartë ai do t’i bënte kêsisoj mbretit, në sytë e të gjithëve, një fyerje të rëndë.

Ana tjetër e problemit që e shqetëson Orodin ka të bëjë me ndjenjën e rrezikimit që e kishte nga autoriteti i Surenës, i cili po rritej dita ditës jo vetëm në mbretërinë e tij por edhe më larg, madje edhe në Romë.
Përballë situatës së re, Orode heton se ndjenjës së mirënjohjes që kishte për gjeneralin e vet, ia zë vendin në shpirtin e tij një frikë e përshkuar me urrejtje. Këshilltari Sillace vë në dukje karakterin e rrezikshëm të kësaj situate ; ky rrezik do të mund të evitohej vetëm nëse Surena do ta pranonte dorën e Mandane dhe kësisoj të bëhej pjesë e pandashme e familjes mbretërore. Ndryshe, eliminimi i tij, sipas këshilltarit, del si veprim urgjent dhe i pashmangshëm për sigurinë e shtetit dhe të fronit.
Ndërkaq, në skenën e parë të aktit të parë Euridyce ia beson shoqërueses së vet Ormene trishtiminn që ndjen brenda atomosferës ngazëlluese që mbretëron në pallatet e mbretit Orode nga përgaditjet për martesën e saj me Pacorus(Pakorys), i biri i tij. Ormene shfaq habinë dhe kërkon të kuptoj arsyen e këtij trishtimi. Euridyce ia bën me dije se ajo s’ka si t’i bashkohet kësaj atmosfere të gëzimit, ngase zemra e saj ushqen dashuri për dikend tjetër. Ajo ia përshkruan Ormenes se si ka lindur dashuria e saj ndaj Surenës, në oborin mbretëror të babait të saj :

« Shikimet e njëjta që më shfaqnin zjarrin që ai ndjente, ia ndriçonin atij fshehtësinë e shpirtit tim, Dëshirat e tij takonin aty dëshirat e mia të njoma. »(f.31)

Përkthimin e këtyre vargjeve të Corneille-it, ku metrika klasike franceze (aleksandrini) gjen shprehje me dymbdhjet rrokje, e bëjmë këtu pa versifikim gjegjês, vetëm sa për të vërë në dukje domethëniet që ato përmbajn.

Politika e sfiduar nga dashuria

Do të ndalemi tani te skena e II e aktit të parë, skenë kjo e takimit të Euridyce-s me Surenën. Që të dytë tanimë e dijnë se dashuria e tyre nuk ka më shpresë të jetësohet ngase mbreti Orode kishte mar vendimin pêr ta martuar të bëjën e vet Mandane me Surenën në mënyrë që ta sigurojë pushtetin e vet nga luhajtjet dhe rreziqet, sa tê brendshme aq edhe tê jashtme.
Në anën tjetër, Euridyce thellësisht e shqetësuar kërkon një rrugëdalje nga kjo situatë e pashpresë për dashurinë e tyre. Shqetësimi i saj buron nga anticipimi i rrjedhojave për vet jetën e Surene-it, nëse ajo refuzon dorën e Pacorus-it, të cilin nuk e do. Ky refuzim do të implikonte jo vetëm një fyerje ndaj mbretit Orode por edhe shkeljen e marrveshjes së paqës të cilën e kishte nënshkruar babai i saj si mbret i Armenisë, e me këtë vendim do të shkaktonte luftra të reja midis dy mbretërive.
Mirëpo, shqetësimi i saj kryesor buron nga rreziku real që mbreti Orod ta zhduk brutalisht të dashurin e saj. Kësisoj, dashuria e saj e fuqishme do të shndërrohej në një vuajtje të paskajshme për të.
Përballë këtij parashikimi ajo mëton të gjejë një pikë shprese për t’ia shpëtuar jetën Surenës duke e bindur që ta pranoj martesën me Mandane. Kësisoj, ata të dy do të mbeteshin të gjallë ndonëse të detyruar që të jetojn të ndarë njeri nga tjetri, të jetojn me persona që nuk i duan. Mirëpo Eurydice mendon se kësodore së paku do të kishin mundësi që në oborin mbretëror, ndonëse të ndarë, të këmbejn ndonjëherë shikime dhe ca fjalë. Eurydice e lutë Surenën që t’i evitojn takimet përderisa të gjejnë një rrugëdalje nga situata e rrezikshme.

Surena i përgjigjet kësisoj kêrkesês sê saj:

« Unë e di sa i kushton zemrës sime që t’ju shoh,
Por kush kërkon të vdesë, duhet të kërkoj atë që e mbytë.
Unë nuk kam më veçse këtë ditë, këtë çast të jetës sime ;
Faliani dashurisë sime që po ua sakrifikojë këtë çast të vetëm.
Gëzimi im i fundit ua jap juve shpirtin tim të tërin. »

Euridyce me trishtim e kupton se Surena tanimë ka marr vendimin që të mos pranoj martesën me Mandane. Kjo vendosmëri ia ndriçon asaj njëherazi thellësinë e dashurisë së Surenës ndaj saj, karakterin absolut të kësaj dashurie : mospranimin e kushteve dhe kufizimeve që mund t’i vihen asaj nga sfera e politikës, nga pushtetit mbretëror. Dy logjika të ndryshme : ajo e pasionit të dashurisë dhe ajo e interesit politik të mbretit që paraqitet si interes i përgjithshëm shtetëror.
Euridyce megjithatë shpreson t’i shpëtoj disa çaste të shkurta të përbashkëta(shikime, buzëqeshje), si vegime. Ajo njëherazi i thot Suren-ës se se do të vuante nga nga jeta e ndarë ; ajo dëshiron, duke evituar zhdukjen e dashurisë së tyre nga faqja e dheut, t’i fitojë disa çaste gëzimi nga shikimet e tij : « Gjithmonë ta dua, gjithmonë të vuaj, gjithmonë të vdesë. »
Mirëpo ajo njëherit pranon se të jetuarit e tillë për disa çaste të rralla, është një vdekje e ngadaltë, e mundimshme : « Dua që një trishtim i zi të më djegë ngadalë ».(f.41)

Surena ndërkaq e njofton përse ai nuk mund të kapet për atë shpresë të brishtë : « I mbushur me dashurinë tonë aq të dlirë e të fortë si kjo e jona,

Unë jam i verbër për Mandane, i verbër për cilëndo tjetër,
Meqë nuk kam më sy që t’i kthej kah ato,
Nuk kam më as zemër, e as duarë për të dhënë. »

Në vijim Euridyce përpiqet ta bind Surenën që të bëj një zgjidhje e cila do ta mbajë në jetë, e kjo do të thotë t’i jap një shpresë dashurisë së tyre, së paku disa çasteve nga takimet e rastit në oborrin mbretëror. Ajo ia shfaq dëshirën që një ditë të kete rastin, pas martesës me Mandane, të shohë fëmijët e tij, të shoh vazhdimin e jetës së tij te trashëgimtarët e tij ; që virtytet dhe vlerat e tij të riparaqiten te ata, që ata t’i përcjellin në ardhmëri vlerat e stërgjyshërve të vet.
Mirëpo, Surena ka megjithatë një pikëshikim tjetër, pikërisht pse dashuria e tij për Euridyce është e thellë

« Gjithçka le të vdesë me mua zonjë,

Cfarë më bën, kush do ta shkel pas meje tokën e cila më mban ? A mos ata stërgjyshër të çmuar do ta ndiejnë një shkëlqim i cili do të depërtonte brenda territ të varrit të tyre ?
Në mos ata nipër e mbesa do të thithin ajrin i cili do të mund t’i ngjallëte ata stërgjyshër ? ».
Në këto vargje shpalosen refleksione të thella e të hidhura mbi vdekjen si humbje dhe zhdukje e pakthim. Në to shpërfaqet gjallëria dhe bukuria e ndjenjës së dashurisë së tyre .
Është pikërisht fuqia jetësore e dashurisë së tij ajo që e shtyn Surenën të lë anash sa horizontin e së shkuarës së stërgjyshërve po aq edhe ardhmërinë e trashëgimtarëve të tij. Mundësitë e tjera që do të mund të çileshin, pasi të jenë ndarë dhe pasi të jenë lidhur me dikend tjetër, siç shpreson Euridyce, Surenës i duken si një « jetë krejt imagjinare » ose një jetë jo e mirëfilltë dhe aparaente. Pikërisht pse « kemi humbur dritën e cila na ndriçon », edhe « çasti më i vogël i lumturisë së dëshiruar vlen më shumë se sa një përjetësi e ftohtë dhe e kotë ».
Karakateri absolut i kësaj dashurie të zjarrtë, që realizohet brenda disa çasteve, nuk mund të pajtohet kësodore as me përjetësinë ngase kjo del e ftoht dhe e kotë.

Euridyce vazhdon të shpresoj ta bind Surenën që t’i ikën vdekjes nga dora e Orodit dhe të pranoj madje në një oborr tjetër mbretëror një lidhje tjetër martesore :

« Nuk ka, shton ajo, Obor mbretëror nën këtë qiell,

I cili nuk do të hapej për ju, sepse fama e juaj ka shkëlqyer aq shumë, sa shumë bija të mbretërve nuk do t’ju mungonin. »
Surena ndërkaq flet për një horizont (qiell) tjetër , atë të dashurisë me Euridyce e cila e bën të pamundur e të paparamendueshme një lidhje martesore me një femër tjetër.
« Sikur ato femra të më bënin zotëri i tërë një bote,
Absolut mbi tokën dhe detrat, zemra ime megjithatë… » (f. 43).
Eurydice ndërkaq, përpjekjet e saj për ta bindur Surenën që të martohet me Mandane vetëm sa për ta shpëtuar jetën e tij, dhe disa çaste të rralla intime i përjeton si një sakrificë kundër vetvetes : ajo i thot motrës së Surenës Palmis : « A e dini se kur ia dërgoj Mandanes me duartë e mia dashnorin tim,

Kjo do të thotë se me dorën time dua ta vrasë veten time ? »

Në aktin e katërt Pacorus-i, i birit të mbretit ia përkujton Surenës obligimin që ta respektoj vendimin e sovranit, të pranoj të martohet me Mandane ; njëherit ai kërkon prej tij ta bind Princeshën Euridyce që ta përmbushë detyrën e vet, përkatësisht ta respektoj marrveshjen midis dy mbretërve, babait të saj dhe Orodit dhe të martohet me Pacorus-in.
Mirëpo, Surena i përgjigjet se ai nuk mundet ta bind « një shpirt të përflakur, sikur ia kishte arritur ta nënshtroj një Armatë të tërë, dhe se më vështirë është ta drejtosh një zemër se sa t’i mposhtësh trupat romake. »(f.87) Në vargun që vijon Surena i thot princit Pacorus se « mbretëria e zemrave nuk i takon Perandorisë suaj dhe se « dashuria e ruan me xhelozi autoritetin (pushtetin) e vet dhe se ajo nuk njeh as mbret e as Sovranitet ». Surena orvatet ta sygjeroj dallimin midis këtyre dy fuqive e dy pushteteve : pushtetit politik e shtetror të mbretit dhe pushtetit e fuqisë së dashurisë. Është fjala për një dallim pêrkah natyra dhe vlera e dy fuqive si dy botëra të ndryshme, si hapësira të ndryshme ku manifestohen përjetime dhe frymëzime krejt të ndryshme midis pasionit për pushtet dhe pasionit të dashurisë. »(ib.)
Tê pêrkujtojmë këtu se mendimtari dhe poeti gjerman Goethe(Gëte) kishte zhvilluar refleksione të thella mbi vlerën e çasteve të së tashmes dhe raportin e tyre me përjetësinë, në disa vepra të veta (« Poezia dhe e vërteta » etj.). Ai kishte vêrê nê dukje njëherit praninë e së kaluarës në të tashmen brenda veprave artistike (skulpura e piktura) e letrare, si pikëtakim i dy dimenzioneve të kohës, si përmbushje brenda çasteve të veçanta të së tashmes. vetëdija mbi kufishmërinë e ekzistencës njerëzore përballë gjithësisë si pakufishmëri pokështu edhe ndaj përjetësisisë si paskajshmëri. Goethe në disa tekste të veta ka ndriçuar nê veçanti vlerën e çastit të së tashmes : « pika ku jeta i gëzohet jetës, shkruan ai, është pikërisht çasti i së tashmes. » ; është kjo pikë ku e tashmja puqet me përjetësinë, përkatësisht me përmbushjen e dashurisë në ato çaste të kufijshme.

T’i kthehemi sërish teksit tê Corneille-it. Princi Pacorus gjendet tani përballë theksimit të këtij dallimit midis këtyre dy logjikave , të politikës dhe asaj të dashurisë, e sidomos përballë fuqisë shpirtërore të dy të dashuruarëve që e vejn në rrezik jetën e tyre duke iu kundërvën vullnetit mbretëror ; e shpërfillin mbretin i cili synon t’ua imponojë se me kë duhet të martohen, duke harruar e mënjanuar pasionin e dashurisë së tyre. Pacorus-i tani ia bën me dije Eurydycs seajo dhe Surena duke këmbëngulur ta mbrojn dashurinë e tyre ata në fakt« nga një krim dashurie e bëjn një krim kundër shtetit. »(f.87)

Begatia e gjeniut dramatik të Cornneill-it hetohet gjatë leximit dhe shikimit të shfaqjes teatrore të « Surenës » edhe sot. Magjia e vizioneve të tij poetike, që rrezatojn deri te ne sot, me dendësinë e bukurisë artistike na flet dhe na lëkund edhe sot.

(Muhamedin Kullashi është akademik dhe diplomat).

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë