Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken tërhoqi vërejtjen sot Rusisë që të mos ndërmarrë ndonjë “hap përshkallëzues” ndaj Ukrainës, duke theksuar pasoja serioze pikërisht në suaza të takimit të NATO’s në Riga të Letonisë, transmeton Gazeta Metro.
“Një agresion i ri do të shoqërohej me pasoja serioze” ishte paralajmërimi i Sekretari Amerikan Blinken.
Duke folur me gazetarët përkrah ministrit të jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics gjatë një vizite në Rigë, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga dërgimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Shqetësimet rreth shtimit të trupave ruse do të diskutohen në takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Rigë.
Para takimit të NATO’s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet në rajon, duke shtuar paralajmërimin e tij.
“Një sulm i mundshëm i Rusisë kundër Ukrainës, do të kishte një çmim të lartë dhe pasoja politike dhe ekonomike serioze për Rusinë”, tha dje zoti Stoltenberg.
Alarm para takimit të anëtarëve të NATO’s në Riga ka ngritur edhe kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki në një intervistë për BBC sot. Ai tha se Rusia ka treguar qartë se ka synim shkatërrimin e sistemit gjeopolitik dhe përçarjen e BE’së.