Fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ishte e pritshme. Por jo dëmtimi prej 5000 votave në zgjedhjet atje. Ndërsa, nëse llogarisim nga trupi i përgjithshëm elektoral, PDK i ka humbur dhe nuk ka arritur t’i rikthej rreth 10 mijë vota.
Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Komunale në Drenas, mund të jenë një mësim i pakëndshëm për PDK’në. Apo një alarm i hershëm të cilin lidershipi i kësaj partie duhet ta marrë seriozisht. Fjala është se çarjet brenda partisë dhe lojërat me emërimin e kandidatëve i kushtuan kësaj partie hiç më pak se 10 mijë vota.
Komuna e Drenasit, është një vend super besnik i PDK’së dhe bastion i padyshuar i këtyre 16 viteve të fundit, që i prodhoi kësaj partie prej 18 mijë deri në 24 mijë vota, gati çdo mandat, në nivelin lokal e nacional.
Kjo në totalin e votave të PDK’së, pra të trupit elektoral prej mbi 200 mijë votave, i bije që Komuna e Drenasit përbën diku rreth 10 për qind, e në rastin më të mirë deri 12 për qind të trupit elektoral të PDK’së në, nivel të Kosovës.
Por, më nuk duket të jetë kështu.
Në zgjedhjet e të dieles, PDK’ja me kandidatin e saj Ramiz Lladrovci i mori mbi 9000 vota, që i bije rreth 5000 vota më pak se Nexhat Demaku që ishte edhe mandatari i fundit para se të mbaheshin zgjedhjet me 4 dhjetor. Ndërsa, Nisma e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, si trup i dalur 99 përqind nga PDK’ja edhe në vitin 2013 edhe në vitin 2016, nuk ka lëvizur nga rreth 5000 vota dhe mbetet stabile në dy mandate.
Por sa i kushtoi kjo PDK’së, në kuptimin e trupit dhe fuqisë elektorale?
Shkurt e shqip, i bie 10 mijë vota, apo rreth gjysma e elektoratit të Drenasit, nëse llogaritet origjina e votuesit të PDK’së.
5 mijë u kushton Nisma
Prej vitit 2013 e deri në vitin 2016, PDK nuk arriti as ta bashkojë elektoratin e vet, që i shkoi te Nisma, e as nuk pati asnjë proces negocimi, së paku publik dhe të sukseshëm, për bashkimin e degëve në këtë komunë, e as tendencë rikthimi të këtij elektorati, nëse veç nuk u morrën vesh me ish kolegët e tyre partiak, që i kushtoi edhe 5000 vota të tjera nga trupi i vet në Drenas, edhe në vitin 2016, e që dikur i përkiste vetëm PDK’së.
5 mijë kushton Ladrovci, Drenori dhe Demaku
Kandidati fitues Ramiz Lladrovci i emëruar nga PDK, i kushtoi më hiq më pak se 5000 vota më pak se kandidati i kaluar Nexhat Demaku. Votat e Demakut, që si mori Lladrovci shihet qartë se janë shpërndarë te Drenori, që gati janë 3000 sosh, e që mjaftuan t’i kushtojnë PDK’së me fitore të zbehur me balotazh. 1000 vota të tjera, janë dëmë nga mos mobilizimi i elektoratit në këtë komunë, neutraliteti i Demakëve në këtë proces dhe faktorëve të tjerë që ndikuan rezultatin, siç mund të jenë mungesa e Sami Lushtakut, Azem Sylës e të tjerëve që mbahen të burgosur e që nuk mundën të jenë prezentë dhe aktivë gjatë fushatës në këtë komunë. Po ashtu, asfalti dhe kandidatët komandantë, duket se as në Drenicë nuk shihen më si tërheqës, pas 17 viteve pas lufte.
Për fund
Rezultati në Drenas, tregon rënie të PDK’së në terren të vet, dhe mos këndellje nga çarja e vitit 2013, sidomos duke e pasur parasysh se kjo parti ishte në fuqi ta bënte këtë sepse ishte edhe mandatore në Qeveri edhe në Koumnë të Drenasit. Mund të ketë edhe faktorë tjerë që ndikuan në këtë rënie, por shifra prej 10 mijë votave, apo rreth gjysmës së elektoratit në një komunë të Drenicës, mjafton të jetë një alarm i hershëm, por i fuqishëm për partinë më të madhe në vend.
Dihet qartë se Drenasin nuk do ta humb PDK’ja, por çështja është se a do të mund ta ruaj dhe ta rikthej kjo parti elektoratin e saj, që e humbi të dielën në Drenas. Çka mund të thotë kjo për Prizrenin, Ferizajin dhe Mitrovicën, që poashtu janë synimet kryesore të kësaj partie, t’i mbaj dhe t’i rikthej me fitore zgjedhore, gjë që nuk arriti ta bëjë as gjatë zgjedhjeve të fundit. /gazetametro.net