Partia Demokratike e Kosovës, dega në Istog, ka reaguar ndaj deklaratatve të kryetarit të AAK’së në Istog, Gani Dreshaj, i cili një ditë më parë në TV Dukagjini deklaroi se ka mbështetjen e PDK’së për kryetar të Istogut.
“PDK në Istog s’ka koalicion me AAK-në. Nuk e mbështet Dreshajn për kryetar të Komunës së Istogut. Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Istog nuk ka lidhur koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet lokale në këtë komunë, të cilat do të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Rrjedhimisht, nuk e mbështet kandidatin e AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, z. Gani Dreshaj, siç ka deklaruar mbrëmë ky i fundit në një intervistë në RTV Dukagjini”.
Në këtë reagim thuhet se deklaratat e Dreshajt, janë tendencë për të keqpërdorur emrin e PDK’së.
“Strukturat e PDK-së, Dega në Istog kanë raporte të mira me të gjitha partitë politike në Istog, në veçanti me partitë opozitare AAK, AKR, VV si dhe me kandidatët e pavarur. Por, në asnjë rrethanë nuk do të lejojnë që të keqpërdoret emri i PDK-së nga kryetari i Degës së AAK-së për Istog dhe as nga kushdo tjetër për të krijuar favore partisë së tij në dëm të PDK-së”.
“Dega e PDK-së në Istog i ka të gjitha strukturat e veta drejtuese të cilat janë më aktive se çdo herë tjetër dhe janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale, ku shumë shpejt do të dalin me kandidatin për kryetar të Komunës së Istogut, e poashtu edhe me listën e kandidatëve për Asamble Komunale”.
“Me punën dhe angazhimin e të gjitha strukturave dhe me mbështetjen e kryetarit z.Kadri Veseli, Dega e PDK-së në Istog padyshim që është alternativa më e mirë për qytetarët e Istogut në Zgjedhjet Lokale të 2017. Kryesia e PDK-së, Dega në Istog”. /gazetametro.net