Loading…

PDK e para, VV e dyta, kalon LDK’në

  • 27/12/2016 | 17:22

PDK e para, VV e dyta, kalon LDK’në

Një hulumtim i opinionit i kryer nga Index Kosova, e ka nxjerrë PDK-në si partinë më të preferuar në vend. E veçanta e këtij anketimi është se vendin e dytë më nuk e ka LDK, por Lëvizja Vetëvendosje.


Hulumtim i Index Kosova i kryer me 989 persona të anketuar, thotë se nëse merren parasysh vetëm të anketuarit që kanë deklaruar për cilën parti do të votonin, rezultati potencial i zgjedhjeve të përgjithshme do të ishte si vijon: Për PDK-në do të votonin 32%, për Lëvizjen Vetëvendosje 24%, për LDK-në 22%, për Koalicionin AAK-Nisma 13, për Iniciativën për parti të re (Mimoza Kusari-Lila, Ilir Deda, etj.) 2%, ndërsa për partitë tjera 1%, transmeton gazetametro.net.

Index Kosova në njoftimin për media thotë se, hulumtimi i rregullt i opinionit publik, i zhvilluar në Kosovë në dhjetor të këtij viti, zbulon se preferencat votuese të qytetarëve të Kosovës kanë mbetur pak a shumë të njëjta sikur vitin e kaluar.

Në pyetjen e Index Kosova, “Nëse zgjedhjet për Parlament të Kosovës do të mbaheshin nesër, për cilën parti do të votonit?”, 17% kanë deklaruar se do të votonin për PDK-në, 13% për Lëvizjen Vetëvendosje, 12% për LDK-në, 7% për Koalicionin AAK-Nisma, 3% për AKR-në, 1% për Iniciativën për parti të re (Mimoza Kusari-Lila, Ilir Deda, etj.) dhe 1% për partitë tjera. Gati gjysma e të anketuarve nuk kanë dhënë përgjigje specifike për cilën parti do të votonin: 18% kanë deklaruar se nuk do të votonin për asnjë parti, 15% kanë thënë se nuk e dinë për kë do të votonin dhe 13% kanë refuzuar të përgjigjen.

aa

Analiza demografike e votuesve potencial tregon se përderisa LDK dhe Iniciativa për parti të re kanë votues nga të dy gjinitë në mënyrë të barabartë, subjektet tjera politike kanë dallime gjinore në mesin e votuesve të tyre. Për PDK-në, AKR-në dhe Vetëvendosjen do të votonin më shumë femrat sesa meshkujt, ndërsa për Koalicionin AAK-Nisma do të votonin gati dyfish më shumë meshkujt sesa femrat.

Sipas hulumtimt, sa i përket moshës, LDK ka më shumë votues të vjetër të moshës mbi 45 vjeçare dhe më pak votues të rinj të moshës 18-34 vjeçare. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka më shumë votues të rinj, sidomos të moshës 18-34 vjeçare dhe më pak votues të moshave të vjetra. PDK, Koalicioni AAK-Nisma dhe AKR kanë votues pothuajse nga të gjitha moshat, megjithatë PDK ka pak më shumë votues të moshës 35-44 dhe 55-64 vjeçare sesa votues të moshave tjera,

Koalicioni AAK-Nisma ka pak më shumë votues të moshës 25-34 vjeçare, ndërsa AKR ka pak më shumë votues të moshës 18-24, 45-54 dhe 65+ vjeçare.

Sa i përket statusit social, hulumtimi i Index Kosova thotë se në mesin e votuesve të LDK-së ka më shumë pensionistë/invalidëdhe amvise, ndërsa në mesin e votuesve të PDK-së ka më shumë të pa punë që nuk kërkojnë punë, të punësuar me gjysmë orari dhe amvise. Lëvizja Vetëvendosje ka më shumë votues që janë studentë dhe të punësuar me orar të plotë, ndërsa Koalicioni AAK-Nisma ka në mënyrë të theksuar më shumë votues të pa punë që kërkojnë punë.

Përderisa votuesit e LDK-së vijnë kryesisht nga regjioni i Prizrenit dhe Gjilanit dhe tepër pak nga regjioni i Mitrovicës dhe Gjakovës, votuesit e PDK-së vijnë kryesisht nga regjioni i Mitrovicës dhe shumë pak nga regjioni i Pejës. Vetëvendosje ka më së shumti votues në regjionin e Prishtinës dhe të Gjakovës dhe më së paku nga regjioni i Mitrovicës dhe i Pejës.

Votuesit e Koalicionit AAK-Nisma kryesisht janë nga regjioni i Pejës dhe Gjakovës, ndërsa ata të

AKR-së kryesisht nga regjioni i Ferizajt. Gjithashtu vërehet në mënyrë të theksuar se votuesit e Iniciativës për parti të re janë kryesisht nga regjioni i Gjakovës.

Të anketuarit gjithashtu janë pyetur edhe për problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova në përgjithësi. Qytetarët e Kosovës besojnë se problemi kryesore vazhdon të jetë papunësia (53%), së bashku me varfërinë/standardin e ultë jetësor (21%), korrupsionin (15%) dhe punën e dobët të Qeverisë (3%). /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë